Tri pikat e debatuara mes Tiranës zyrtare dhe Athinës, ligji i luftës, problemi çam dhe delimitimi i zonave detare, mbeten në tryezë pa asnjë moment përafrimi. Demarshet e para disa muajve të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, përfunduan pa rezultat, sa kohë që kërkesa kryesore e qeverisë shqiptare ishte heqja e ligjit të luftës, e cila mund të jetë edhe në funksion të aleancës së PS-së me PDIU-në.
Në një intervistë për “Albanian Daily News”, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani ka konfirmuar qëndrimin e Greqisë për këto çështje.
“Lidhur me delmitimin e kufirit detar mes dy vendeve, do të doja të vija në dukje se kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB-së dhe ligjin e Detit dhe që në vështrimin tonë i shërben interesave të të dyja vendeve.
Mbi të ashtuquajturën çështje “Çame”, mendoj se ministri Kotzias, gjatë vizitës së tij në Tiranë qershorin e kaluar, dha një analizë shumë konkrete të pozicionit tonë dhe nuk ka nevojë ta përsëris. Çamët e Greqisë(dhe duhet t’i ndajmë nga çamët e Shqipërisë) lanë vendin në fund të pushtimit gjerman, duke ndjekur tërheqjen e trupave gjermane, nga frika e raprezaljeve që mund të kishte si pasojë e bashkëpunimit të liderëve të tyre me forcat okupatore…Në fund të luftës, incidente të tilla ndodhën kudo në Europë. Gjithsesi më lejoni të vë në dukje se qytetarët e kujtdo vendi, që kanë pretendime pronësore në Greqi, mund t’i kërkojnë ato duke iu drejtuar gjykatëave greke dhe sistemi gjyqësor grek, me të vërtetë i pavarur, do të prononcohet për çdo rast”, tha Sounari.
Nisur nga ajo që ka ngritur më herët ministri Bushati apo kryeministri Rama, ky qëndrim është në fakt një refuzim i Greqisë për të diskutuar politikisht çështje që sipas saj i takojnë instancave të tjera. Për kufirin detar për të cilën Sounari rihedh në tavolinë marrëveshjen e vitit 2009, duhet thënë se është folur për grupe pune etj.. Pala shqiptare shpesh ka lënë të kuptohet shqyrtimin në Gjykatën Ndërkombëtare, por aty duket se marrëveshja e vitit 2009 peshon në favor të Greqisë. /respublica