Home KRYESORE Artur Zheji: Çmë tha Babai im Petro, për Terezën e Kalkutës

Artur Zheji: Çmë tha Babai im Petro, për Terezën e Kalkutës

Nga Artur Zheji

Ishin vitet ’80. Domethënë rreth 36 vite më parë. Vetëm distanca e viteve më duket si një ëndër më vete. Ndërtesa dhe çdo fasadë kishte pllakate të bojatisura me ushtarë, punëtorë, kazma dhe lopata. Yje dhe “PPSH” dhe “LAVDI Marksizmit!”

Asnjë gjurmë besimi, asnjë shenjë e Zotit…

Petro Zheji, im atë me tha:

“Do vijë një ditë që do të shohësh se ata që pështyjnë sot më shumë Zotin, do ta lëvdojnë më së shumti! Do t’mbushin Kishat dhe do të vrapojnë të zenë vendet e para, sa më afër Altarit! Do vishen me rrobat më të bukura dhe do të alivanosen nga përdëllimi dhe adhurimi i rremë, kur tu kalojë afër prifti i rradhës…

Kurse ne, që besojmë sot, kur shumëkush e mohon Perëndinë, nga padija dhe nga frika… nëse do të shkojmë në Kishë do të rrimë në rreshtat e fundit dhe plot turp për ata të rreshtave të para…”

Dhe e takuam në Romë Nënë Terezën, në Kishën e saj afër Koloseut. I puthëm duart e rreshkura dhe i thamë nën zë dhe me përulje që të lutej për Shqipërinë.

“God bless you! God bless Albania!” na u përgjegj me zë të lartë Nëna. Ishte viti 1991.

Petro, imë atë më tha duke u kthyer në këmbë nga kisha e saj, për Terezën e Kalkutës:

“Të gjithë mendojnë se ajo vuan dhe rraskapitet! Dhe të gjithë ata që mendojnë kështu janë veçse budallenj dhe nuk kuptojnë asgjë nga Besimi dhe Zoti!

Kush e ka atë Hir (atë dhuratë) si të Terezës, është vetëm euforik dhe vetëm i gëzuar! Dhe gëzimi shkon në infinit kur të tjerët, me mijëra, i gëzohen Gëzimit të Saj!

Nëse ka njeri fat në këtë botë, është pikërisht ajo! Sepse ka brenda vetes një lumturi të pashtershme!”

Nënë Tereza ka ujë të bekuar për të gjithë! Ndoshta ata që kanë shkuar aty si hipokritë, ose sepse ashtu duhej dhe për protokoll, pa asnjë ndjenjë të Vërtetë të brendshme, kanë më shumë nevojë se të tjerët për Mëshirë Kristiane!

“…sepse të fundit do të jenë të Parët dhe të parët do të jenë të Fundit…” thuhet të ketë thënë Jezu Krishti.

Le të mbetemi me shpresë se do të kenë fatin të pastrojnë ca nga pisllëqet e tyre, në Shenjtërimin e saj. Sepse ka kohë për të gjithë! Ndonëse në kthim, mjerisht do të jenë gjithësesi po ata!/360grade.al

Share: