Ministria e Integrimit Europian, organizoi sot takimin konsultativ, në lidhje me guidën e aplikantit, për fondin e BE-së me vlerë 1 milionë euro, i cili do t’i jepet shoqërisë civile për të mbështetur dhe rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me procesin e integrimit.
Aplikimi për grantin e dedikuar për shoqërinë civile, do të nisë në muajin tetor, me objektivat e qartë: rritjen e dialogut politik dhe ndёrgjegjёsimin pёr procesin e integrimit europian si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t’u angazhuar në këtë proces.
Në këtë takim, morën pjesë Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe shoqërisë civile.
Për herë të parë, në kuadër të procesit të menaxhimit të decentralizuar të fondeve IPA të BE-së, Ministria e Integrimit Europian në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ndërmerr angazhimin për zbatimin e kësaj iniciative përmes kapaciteteve të saj.
Ministrja Gjosha sqaroi se kjo thirrje, si pjesë e Dokumentit të Veprimit të EU Integration Facility 2014, ka ardhur si pasojë e identifikimit të dy elementeve themelore, që do të shoqërojnë vendin tonë përgjatë procesit të integrimit: informimit të vazhdueshëm të publikut për çdo aspekt në sferën e integrimit, si dhe bashkëpunimit të institucioneve tona publike me shoqërinë civile.
“Informimi i publikut nuk është thjesht një kërkesë për një proces transparent, por edhe një parakusht esencial për të siguruar një proces me mbështetje të gjerë nga të gjithë qytetarët tanë”, tha Ministrja Gjosha në fjalën e saj.
Ministrja u shpreh se bashkëpunimi me shoqërinë civile, duhet të jetë sa më shumë interaktiv, i prekshëm dhe i thjeshtuar.
“Edhe kjo thirrje, pikërisht këtë synon në vetvete, përthithjen e ekspertizës, shfrytëzimin sa më efikas dhe efiçent të kapaciteteve tuaja dhe vënien e tyre në dispozicion jo vetëm të qytetarëve por edhe institucioneve publike”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja tha se se veçanërisht në nivel lokal, ka rëndësi madhore informimi i kategorive të ndryshme mbi mundësitë e fondeve të BE-së dhe menaxhimit të tyre.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se me miratimin e reformës në drejtësi Shqipëria është një hap përpara me procesin e integrimit.
“Ne shpresojmë në marrjen e një rekomandimi për hapjen e negociatave brenda kësaj vjeshte. Kjo fazë është më e rëndësishmja dhe pa kontributin tuaj, pa kontributin e qytetarëve shqiptarë do të jetë shumë më e vështirë për t’u tejkaluar”, tha Ministrja Gjosha.