Ruben Avxhiu
Suzanna Shkreli, e cila po kandidon për kongresiste në Michigan, ka pasur një të papritur të bukur sot, kur është takuar me ish-Presidentin Bill Clinton, gjatë paradës për Ditën e Punës në Michigan.
Në një shënim në Facebook, Shkreli tha se e kishte falenderuar ish-presidentin amerikan, për çfarë kishte bërë për shqiptarët, gjatë kohës që drejtonte Shtetet e Bashkuara.
“Ai u entuziasmua kur i tregova se isha shqiptaro-amerikane e brezit të parë që po kandidoja për Kongres”, shkruan Suzanna, duke thënë se nëse fiton në nëntor do të hyjë në histori.
Ndihmës-prokurorja 29-vjeçare ka hyrë në një garë jo të lehtë përballë kongresistit republikan në fuqi, Mike Bishop, në Distriktin e 8, Michigan, të Shteteve të Bashkuara.
Ajo e filloi fushatën me vonesë, pas tërheqjes së një kandidate fillestare, por është optimiste se, përkundër kushteve, do të ketë sukses në nëtor.
Ajo ka marshuar sot me sindikatat punëtore, ka folur kundër marrëveshjes tregëtare të Paqësorit, të Presidentit Obama, që mund të humbasë vende në Michigan dhe ka marrë pjesë në disa takime publike ku është prezantuar nga Demokratë të njohur të shtetit.
Zgjedhjet për Kongresin, ashtu si ato presidenciale, do të mbahen në 8 nëntor.