Home KRYESORE DËSHMON I AFËRMI I VRASËSIT TË POLICIT: JA PSE U ÇMEND DAVIDI!

DËSHMON I AFËRMI I VRASËSIT TË POLICIT: JA PSE U ÇMEND DAVIDI!

Vrasja në Torovicë e efektivit të FNSH- së ka qenë kryelajmi, këto dy ditë. David Qosja tegoi sot në polici arsyen pse qëlloi me armë, ku mbeti i vrarë Ardian Kodra, duke thënë se: “Dyshoja se po më qëllonin nga shpati i malit, ndaj u përgjigja me armë”.

Një i afërm i viktimës, që nuk do të identifikohet, shpreh ngushëllimet për policin e vrarë dhe tregon për dritare.net, detaje nga jeta dhe sëmundja e Qosjes.

Ja çfarë thotë ai: “Davidi ka qenë një njeri normal, punëtor, asnjëherë problematik. Por ndryshoi kur i vdiq vëllai, më 15 mars 2013, pas aksidentiti me një mjet bujqësor, te dera e shtëpisë ku jetonte. Davidi e pa vëllain të vdesë dhe u çmend. E dërguan në Bronx në SHBA, por erdhi siç iku, asnjë ndryshim.

Vëllai i David Qosjes, vdekur më 13 mars 2013

Vëllai i David Qosjes, vdekur më 15 mars 2013

Kur u rikthye, nuk doli më nga dera e shtëpisë, qëndrote vetëm brenda, pa dalë kurrë jashtë. Ra 30 kg nga pesha. Mbante mjekër. Ngjante si barbon. Nuk njihej më, ta shikoje. Që kur pa të vëllain të vdesë, vdiq edhe ai. Se nuk qe gjallë, përderisa nuk e shikonim më.

Prej një viti jetonte vetëm. Nëna i kishte shkuar në Itali, te djali tjetër, se u sëmur. Kur nëna ishte në shtëpi, para një viti, unë i shkova dhe i thashë ta marr Davidin për kafe. Më tha, është në dhomë se i dhemb koka, lëre më mirë. Ç’të thoshte e zeza ajo!

Para pak ditësh, ka qenë në Shqipëri, i vëllai i Davidit. Erdhi nga Italia që ta çonte në spital për kurim. Por ai nuk e dëgjoi, nuk pranoi. Jam mirë, i tha.

E vërteta është që ai nuk ngacmonte njeri. Kur qëllonte të dilte, nuk i bënte keq kujt. Të gjithë e dinin që kishte tre vjet kështu, po nuk e ngacmonin, se nuk ngacmonte njeri. Atë ditë që ndodhi ky tmerr, unë isha duke punuar në arë, por më thanë se është parë te dyqani këtu afër me automatik në dorë dhe ka qëlluar në ajër.

Ç’të them, t’i lutemi Zotit të na ruajë nga e keqja” – e mbyll rrëfimin e tij për dritare.net, kushëriri i David Qosjes, i cili vrau një efektiv policie.

David Qosja ishte i sëmurë mendor dhe i armatosur. Askush nuk e kishte denoncuar. Para pak javësh një tjetër i sëmurë mendor vrau në mënyrë makabre një fëmijë në Palasë. Në Shqipëri ka një numër të shtuar të të sëmurëve mendorë dhe nuk ka statistika të sakta e as regjistrim e kontroll mbi ta.

Situata e shëndetit mendor në Shqipëri është nga më emergjentët dhe nëse shteti nuk nis të bëhet i ndërgjegjshëm për gjendjen në të cilën ndodhemi, atëherë le të lutemi si kushëriri i David Qosjes: Na ruajtë Zoti nga e keqja!/ dritare.net

Share: