Home KRYESORE Dosjet “e nxehta” të hetuara nga prokurorët që morën 18 mijë €...

Dosjet “e nxehta” të hetuara nga prokurorët që morën 18 mijë € ryshfet

Një denoncim i rëndë është bërë mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Stop” në Tv Klan. Çështja kishte të bënte me problemin e një qytetari të cilit i ishin bllokuar 120 mijë euro të ardhura nga jashtë. Për lirimin e tyre atij i është dashur të paguajë 18 mijë euro ryshfet te oficeri i Prokurorisë së Tiranës Fatos Lusha dhe prokurori i kësaj Prokurorie Ardian Braho. “Stop” tregoi me pamje se si u paguan paratë brenda një makine. Por cilët janë zyrtarët e lartë që morën këtë shumë të madhe parash si ryshfet për të hedhur një firmë.

Lapsi.al mësoi se Fatos Lusha është oficer i prokurorisë së Tiranes te njësia Task-Forcë e ngritur pikërisht për të hetuar çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin. Ai ka qenë për mbi 15 vite oficer ushtarak pranë prokurorisë. Ai ka hetuar çështje që lidheshin me ushtrinë. Përpara një viti është liruar nga kjo detyrë dhe me vendim të kryeprokurorit Adriatik Llalla është emëruar si oficer i policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranes.

Ndër çështjet më të rëndësishme që ai ka kaluar përmendet ajo ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste Tom Doshi i akuzuar për pastrim parash. Lusha ka në dorë edhe çështjen e famshme të pajisjes italiane të përgjimit IMSI Catchet të përdorur nga policia e shtetit dhe për të cilën është vënë në përgjegjësi kreu i policisë së shtetit Haki Çako.

Një tjetër dosje që po hetohet prej tij është ajo e parkut të lojërave të ngritur te liqeni artificial nga Bashkia e Tiranës. Lusha po heton edhe akuzat për trukime të ndeshjeve të Skënderbeut. Një tjetër hetim i rëndësishëm në dorën e oficerit të prokurorisë tashmë vetë i akuzuar është zbardhja e rrëzimit të helikopterit te ushtrisë në liqenin e Shkodrës, etj.

Kush është prokurori Ardian Braho

Prokurori Ardian Braho rezulton të jetë mjaft përvojë në organin e akuzës. Lapsi.al mësoi se ai ka qenë për 10 vjet te Prokuroria për Krime të Rënda ku ka kaluar në duar dosje mjaft “të nxehta”. Braho është prokurori i çështjes së “bandës së Lushnjes” e drejtuar nga Aldo Bare. Ai ka hetuar rrëmbimin e imamit te Gostivarit, dosje të trafikut të drogës, armëve dhe vepra te ndryshme të rënda penale. Që në momentin që ka kaluar te prokuroria e Tiranës ka hetuar ish-ministrin e Financave Ridvan Bode për kallëzimin e fshehjes se pasurisë. Ai ka pasur nën hetim edhe Gjergj Bojaxhiun për mosprishjen e ndërtimeve. Braho ka hetuar dosjen ndaj zyrtarëve të PD-së Florian Mima dhe Enno Bozdo, etj etj. Tashmë Braho ka në dorë një tjetër çështje mjaft pikante. Ai po hetonte kush e ka përgjuar ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri pas gjetjes në paradhomën e zyrës së tij të një çimke. /lapsi.al/

Share: