Nga Edison Ypi
Po kalon nëpër sheshin Skënderbe. Proletarë morracakë surratshqyer të kërcënojnë nga mozaiku mbi muze. Kurvi ka 30 vjet që ka cof. Kurvizmi është në zenit. Mozaiku kriminal të rrezaton si rontgen, ta përshkon trupin, ta mpin trurin, t’i ngathtëson gjymtyrët, të mposht, të zgërlaq. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol diabolik. Ik nga kurvizmi. Ik e mos u kthe më kurrën e kurrës.
Në bulevard t’i trazon zorrët varri i kurvit. Është aq i madh sa do-s’do nuk mund të mos e shohësh. Jo-po është vepër arkitektonike, jo-po brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur, janë rrena që i përhapin arkitektë eunukë bythlëpirës të politikës për ta detyruar miletin të votojë për kurvizmin. Ik nga sytë këmbët. Si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.
Në të dy anët e bulevardit, rrugë e rrugica që mbajnë emrat e një lukunie rrugaçësh vrasës. Po të hysh në to, të zënë drithmat. Ik në ndonjë vend tjetër. Po nuk ike do çmendesh nga kombinimi djallëzor i rrugëve paqësore me emra vrasësish.
Në lindje të sheshit Skenderbej mund të shkosh tek Pazari i Ri. Sheshi tek Pazari i ri që mban emrin e një halabaku vrasës komunist parakurvist, të bërtet, të uluret; Ik-ik-ik, vetëm ik dhe kurrë mos u kthe.
Syri të zë një kioskë që shet gazeta. Merr nja tre a katër gazeta për të marrë vesh çfarë bëhet në vendin tënd. Sapo u hedh sytë gazetave, zë kokën me duar, balli të mbushet me djersë, nëpër trup të kalojnë mornica; Krim në familje. Deputetë tutorë kurvash. Komente dhe analiza servile nga autorë të famshëm por të urryer. Aleanca parlamentare që s’kanë asnjë lidhje me preferencat e elektoratit por vetëm me interesat e krerëve. Sajesa, shpifje, intriga, të gjitha kurviste.
Një “intelektual” kurvist thotë se Kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk mund të jetë një mjek që ka arritur të ketë një spital privat. Se si duhet të jetë Kryetari i Bashkisë, kurvisti nuk e thotë por e lë të nënkuptuar se preferon një proletar, një leckaman, që pasi të bëhet Kryetar Bashkie përmes hajnisë të pasurojë veten dhe ca si vetja.
Thonë se dosjet duhen hapur. Por procedurat dhe masën e hapjes i sugjerojnë të atilla që të mos preket gënjeshtra propagandistike kurviste sipas të cilës spiunët kanë qënë viktimat e spiunllëkut, pra të përndjekurit, ndërsa ata që projektuan dhe realizuan spiunllëkun s’kanë aspak gisht në spiunllëk. Alarmin për ikjet, shoqëruar me “argumentat” përkatës, bashkë me sugjerimet për ndalimin e tyre, i bëjnë ca kurvista të cilët kurvizmin e kanë marrë me qumështin e nënës. Leri gazetat, kafen, ujin e gazuar. Mos humb kohë. Ik.
Nga kafeneja në shtëpi. Ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, të vështron vëngërr një sigurimist. Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t’i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret. Ca të tjerë kurvista me nam lokal që banojnë në të njëjtën shkallë as qurret nuk t’i hedhin. Në shtëpi hap kompjuterin për të hyrë…ku tjetër veçse në Fejsbuk. Në Fejsbuk edhe më zi se në sheshin e mozaikut të proletarëve të xhindosur, bulevardin e varrit të kurvit, Pazarin e Ri të vrasësit, rrugicat e atentatorëve. Në Fejsbuk shesh tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra që mbahen për konservative serioze, s’lënë ditë pa ta provuar se janë copa mishi duke fotografuar veten nga një mijë kënde. Burra-lavire pa asnjë zotësi apo talent të cilët në perëndim i ka hedhur Sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg të ndodhen aq më trima hiqen, në përpjekje për të pakësuar dhimbjet që u shkakton identiteti katastrofik, bëjnë pafund selfie mendimtare me vështrimin prej gjeniu tretur në horizont me t’i sjellë zorrët në fyt. Hiç mos vill. Hiç mos u mërzit. Ik e mos u duk. Sa më larg të jetë e mundur.
Në mbrëmje sheh programe televizive të kushtueshme që paguhen nga taksapaguesit dhe konsumatorët, por udhëhiqen nga ca gjobëvënës, të cilët, të ftuarve, në këmbim të ftesës, u kërkojnë favore. Ke plotësisht të drejtë të mos i shohësh. Nuk durohen. Ik nga kokën këmbët.
Pasi u ke hedhur nga një sy banakëve televizivë të hajdutëve që kanë vjedhur gazeta dhe humbin në bixhos çdo ditë aq Euro sa janë të ardhurat vjetore të një komune, mbështillesh me batanije, merr në dorë telekomandën dhe kërkon ndonjë film shqiptar. Ah, gabove. Në Shqipëri nuk është bërë asnjë film i hajrit. Të gjithë kanë qënë, dhe janë, propagandë. Po thonë se soc-këllirave po ua restaurojnë pelikulat. Për të marrë ca pare, se për çfarë tjetër. Gjynah prej Zotit ta shpenzosh jetën me të tilla televizione e ata mender filma. Duke u përplasur e duke rrokullisur, barkaz, me kurriz, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.
Qytetet e vogla dhe katundet, po aq zhytur në kurvizëm. Kurvistat kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Prandaj ik, ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.
E njëjta gjë në Kosovë ku ligjin e bëjnë “çlirimtarët” hajdutë dhe vrasës. Mos e zgjat asnjë dekikë. Ik nga Kosova. Më këmbë, me vrap, me autobuz, me furgon. Bjeri nga të mundesh; nga Serbia, nga Hungaria, Japonia, Kina, Indonesia, Alaska, vetëm ik.
Ik edhe nga Maqedonia perëndimore. As atje s’ke ç’bën mes patriotave të llafeve.
E ç’ju duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea. Ikni o budallenj, ikni. Ikni dhe vetëm ikni. Ikni këmbejini kaltërsitë e llogorasë me tymrat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me erërat e qelbta të kuzhinave ku do lani tasat e zbrazura. Ikni qafën thefshi. Gjermaninë ku ma gjen. Ikni edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar, ikni ku të mundni. Vetëm në Shqipëri mos rrini. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u kthefshi.
Ikni shqiptarë ikni. Ikni nga kurvizmi. Ikni sa më parë, sa më larg, sa më tepër, mundësisht të gjithë. Hiç mos u sëkëlldisni se shqiptarët paksohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria nuk ka qënë kurrë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qënë kurrë më pak se kanë mundur të jenë. Mos u merakosni se pasi të ikni ju do vijnë t’ua pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmin e kultivuat vetë me aq zell e pasion sa tashmë kurvizmi ka infektuar gjithçka, askend nuk do ta marri malli t’i popullojë vatrat e ftohura, tokat e helmatisura, shtëpitë e vdekura, para fundit të botës.
Mapo 27 prill 2015