Vetëm një ditë pas sekuestrimit në veri të vendit të tre plantacioneve me kanabis, forcat italiane të rendit kanë zbuluar në zonën jugore të Ordonës, pranë Foxhas, 6 hektarë të mbjella me gjithësej 180 mijë rrënjë.
Mesa dihet, deri tani janë arrestuar tre persona që merreshin me mbarëvajtjen, kultivimin e deri në tharjen e kanabisit me makineri të posaçme. Plantacioni ujitej rrënjë për rrënjë nëpërmjet një sistemi modern vaditjeje.
Ende nuk janë dhënë detaje të hollësishme për këtë sekuestrim, që konsiderohet më i madhi i këtij lloji në nivel kombëtar. Nga analizat e laboratorit është vërtetuar se nga bimët e kapura mund të nxirrej 356 kilogramë princip aktiv i pastër, sasi e mjaftueshme për përgatitjen e 14 milionë dozave mesatare.
Po në këtë zonë, më 8 shtator u sekuestruan 5 tonë kanabis dhe u arrestuan dy vendas që në vreshtën e tyre, përveç rrushit kultivonin dhe narkotikë.
Gjithashtu vlen të theksohet se zona e Foxhas, pjesë e rajonit të Garganos, është thellësisht e prekur nga fenomeni mafioz, që në vitet e fundit është karakterizuar nga një luftë e përgjakshme mes klaneve të organizatës Sacra Corona Unita./ Top Channel