Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi sot listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por ata janë shpërfillur krejtësisht duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të intervistohet fare.
Edhe pse nuk është bërë e ditur arsyeja e refuzimit, teorikisht hedhja poshtë e listës në bllok mund të bëhet për dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.
Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.
Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.
Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera.
Gjykatësi shqiptar i tanishëm në Gjykatën e Strasburgut është Ledi Bianku, mandati 9 vjeçar i të cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm./exit.al