Ndonëse, gjatë gjithë javës u bënë publike përgjimet telefonike, në të cilat dëgjohen zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë marrëveshje ndërmjet vete për punësimin e militantëve, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk ka bazë për ngritje të aktakuzë, ndaj protagonistëve të aferës “Pronto 2”.
E derisa Prokurorisë, vazhdojnë t`i mungojnë të dhënat e mjaftueshme për të ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve të PDK-së, si Deputeti Adem Grabovci, Presidenti Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Nijazi Kryezi, Drejtor i Urbanizmit në Prizren, e prokurori Bahri Hyseni etj, në publik po vazhdojnë të qarkullojnë përgjimet, ku ata dëgjohen duke vendosur për emërime të anëtarëve të bordeve e institucioneve të ndryshme.
Publicisti Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se një përgjim eventual për përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve, mund të jetë tregues i mirë se përse Prokuroria e Shtetit nuk inicion hetime.
“Përgjigjen time në këtë pyetje tuajën e kisha lënë kur të dali telefonata për përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve. Nëse edhe këta janë zgjedhur në stilin ” A është i joni”, dhe ” Q… n…, se nuk është i joni” atëherë do e kuptojmë të gjithë përse nuk po iniciohet procedurë penale lidhur m këto regjistrime. Sidoqoftë, po relativizohet paksa përgjegjësia e z.Grabovci në pjesën e tretë, sepse ai po i vendosë në listë vetëm ato të cilat po i njeh, si të partisë, bashkë partiaku i tij lokal”, ka thënë Lepaja.
Kurse, sipas analistit Skënder Zogaj, këto përgjime tregojnë forcën e jashtëzakonshme të krimit të organizuar, dhe arsyen se përse nuk funksionon shteti.
“Shqipëria e pas saj Kosova janë shembulli më tipik me mënyrën dhe shkallën e absurditeteve monstruoze që ndodhin dhe që kalojnë sikur të mos ishin asgjë. Kjo tregon se forca e krimit të organizuar është e jashtëzakonshme dhe se shteti nuk funksionon, apo edhe nuk ekziston fare, sepse kjo që po shohim se po ndodh, tregon se është duke shkuar kah shkatërrimi total. Kudo në botën demokratike për fyerjen më të vogël që cenon integritetin moral dhe personalitetin e një personi tjetër, jepen dënime te rrepta”, ka thënë Zogaj.
Sipas tij, nëse Prokuroria e Shtetit nuk i konsideron fakte përgjimet e publikuara, atëherë duhet të pritet, që, të ndodhin gjëra më të hatashme që do të ishin prova për Prokurorinë.
“Cenimi i ligjit, sidomos kur prek të drejtën e njerëzve për punë dhe angazhime në detyra të rëndësishme publike e shtetërore, ku ka të bëjë me kriterin e konkurrencës, çdo ndërmjetësim, qoftë edhe krejtësisht periferik është i dënueshëm rreptësisht, sepse prek interesin vital të shtetit dhe të popullit. Se shkeljet e këtilla kanë ndodhur shihet qartë nga bisedat e përgjuara. Mirëpo, ja që, Prokuroria e shtetit nuk i konsideron provë e mjaftueshme për ndjekje ligjore! Këtu përfundon çdo gjë, sepse, nëse për Prokurorinë nuk janë prova të mjaftueshme, atëherë na mbetet të presim që, të ndodhin gjëra më të hatashme që do të ishin prova për Prokurorinë. E provat e reja të ardhshme kanë për të qenë makabre”, ka deklaruar ai.
Tutje, Zogaj ka thënë se edhe qytetarët kanë të drejtë të fyejnë e të shajnë, pasi sipas tij kjo nuk qenka provë ligjore.
“Po themi kështu sepse, nëse funksionarët më të lartë të vendit paskan të drejtë me sha e me fye kështu, atëherë këtë te drejtë pritet që ta përdorin të gjithë shtetasit e Kosovës, të cilët po del se kanë të drejtë kur tu teket e si tu teket, me ua sha nenën, gjyshen, babën dhe mizat e shtëpisë, nga më i madhi i vendit e deri te më i vogli, pa u brengosur fare, sepse, kjo nuk qenka prove e mjaftueshme për shkelje ligjore. Në këtë situatë nuk na mbetet tjetër pos, personazheve të përgjuara dhe shokëve të tyre, t’u urojmë shëndet të mirë e takat të fortë për me vazhdua aktivitetin e tyre edhe më intenzivisht, derisa ta gjunjëzojnë dhe ta hedhin në koshin e mbeturinave Kosovën dhe kopenë e njerëzve të Kosovës, që, dinë më u gërvalle për gjëra koti, por jo edhe për fatin e tyre dhe të vendit të tyre, që po i del flaka nga pisllëku”, ka nënvizuar ai.
Kurse, sipas analistit Adlum Ramadani, fatkeqësia në Kosovë qëndron tek simptomat e klientelizmit dhe klaneve të cilat kanë ozurpuar çdo institucion publiko-privat me ryshfete, propaganda, kërcënime dhe lojëra tjera politike se kush kë po e punëson më shumë.
“Në botën demokratike udhëheqësi e inkriminuar mund të ndëshkohet dhe të largohet përmes 1 rruge me dy alternativa, përmes reformës strukturore të subjektit dhe përmes popullit në bashkëpunim me institucionet ligjvënëse, respektivisht organet e drejtësisë. Fatkeqësia jonë qëndron tek simptomat e klientelizmit dhe klaneve të cilat kanë ozurpuar çdo institucion publiko-privat me ryshfete, propaganda, kërcënime dhe lojëra tjera politike se kush kë po e punëson më shumë”, ka nënvizuar ai.
Sipas Ramadanit, në kuadër të kësaj simptome bashkëveprojnë mungesa e kulturës politike, vetëdijësimi i dobët politik qytetarë dhe individualizmi si elemente që vazhdojnë t’u japin frymë udhëheqësive kriminale.
“Konsiderojë që udhëheqësia e tanishme përkundër publikimeve të njëpasnjëshme asesi se nuk ndikohet pasiqë tashmë rrjeti i saj tashmë ka futur nën ndikim thuajse të gjithë krerët institucional duke pamundësuar çdo nismë ligjore kundër tyre. Bihevioralizmi i udhëheqësve politikë duke u thirur në parimet demokratike të partisë, qëllimi i të cilëve ka qenë dhe vazhdon të jetë maksimilizimi i interesit klanor po e rrezikon shtetësinë e Kosovës”, ka potencuar ai.
Sipas publicistit Faik Krasniqi, në çdo shtet të botës demokratike, aty ku sundon shteti i së drejtës, ka arsye për tu hapur procedurë qoftë edhe për pak incizime.
“Çfarë elementi më i qartë mund të ekzistojë, në këtë kontekst dhe në këto rrethana specifike, se korrupsioni dhe veprimet e kundërligjshme të dokumentuara përmes telefonit dhe zërit të të dyshuarve. Por, për regjime të tilla siç është ky regjimi yni nuk vlen as Kushtetuta, as ligji, as rendi, as drejtësia, as parimet, as principet, as etika”, ka thënë ai.
Krasniqi, ka theksuar se, nuk e kupton se çfarë prova të tjera dëshiron të ketë z. Lumezi, që t’i ndjek penalisht të gjithë të involvuarit në këtë aferë, që zanafillën e ka prej aferës ”Pronto 1” të para ca viteve.
“Prandaj, një Kryeprokuror si z. Lumezi që ka ardhur në krye të Prokurorisë së shtetit nga klani ”Pronto”, thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për ndjekjen e Grabovcit. Sepse është vegël e këtij klani dhe kuptohet që nuk e ka guximin që të nisë hetimet kundër shefave të tij! Për qytetarët e thjeshtë një email mund të shërbej për ta futur në burg, e lëre më të ketë ndonjë bisedë telefonike. Që do të thotë se drejtësia tek ne është selektive. Për të ”fortit” nënë, kurse për të ”dobëtit” njerkë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se, ky klan i politikanëve do t`i shpëtojnë drejtësisë, pasi, i kanë në dorë Gjykatat, Prokuroritë, Policinë, shtetin e pushtetin!
“Imagjinoni se çfarë kanë bërë ky klan mafioz për 17 vite. Ky është tmerri dhe fundi i Kosovës. Dyshoj që ky klan mafioz do lagen ndonjëherë, pavarësisht se çfarë kanë bërë dhe çfarë janë duke bërë, sepse kanë në dorë të gjithat, duke filluar nga Gjykatat, Prokuroritë, Policinë, shtetin e pushtetin! Deri sa populli nuk ua prenë rrobat, këtyre kungulli do u ec tërë jetën mbi ujë! Por me cilin popull se! Paramendojeni po të kishte ndodhur ky skandal i përgjimeve në një shtet normal, ku zbulohen pisllëqet e pushtetarëve se çfarë tërmeti kishte me ndodh, sa arrestimet e sa shkarkimet. Por tek ne kjo gjë nuk ndodh, sepse ne s’kemi as shtet normal e as nuk jemi shoqëri normale!”, ka thënë ai.