“Kromi” është përzgjedhur si filmi shqiptar dramatik që garon për “Oscar” në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.
Filmi i Bujar Alimanit rrëfen historinë e një djali 15-vjeçar në kërkim të pavarësisë së tij. Ky film është i dyti i regjisorit Alimani që nominohet nga Shqipëria për “Oscar”, raporton “Holliwood Reporter”. Në vitin 2011, Alimani konkurroi në të njëjtën kategori me filmin “Amnisty”, por nuk ia doli të hynte në listën finale.
Në filmin “Kromi”, Fredjon Ruci luan rolin e Adit, një djalë i heshtur që jeton në një shtëpi të vogël së bashku me vëllain e vogël dhe nënën shurdhmemece. Me shpresën se do të fitojë pak para, ai shkon për të punuar ilegalisht në një minierë kromi, pa kuptuar se ky vendim do të ketë pasoja për të gjithë familjen.
Me një realizim ku gjuha e trupit dhe përvojat e brendshme të karaktereve janë më të rëndësishme se dialogu, natyra rebele e djalit pasqyrohet në një mësuese të re (Mirela Naska), e cila bëhet i vetmi njeri që i beson djalit.
Filmi është shfaqur për herë të parë në vitin 2015 dhe është një bashkëproduksion mes Shqipërisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Kosovës. Shqipëria ka dërguar që nga viti 1996 filma për kategorinë e filmit në gjuhë të huaj, por asnjë prej tyre nuk është futur në listën finale./Dita.al