Home KRYESORE Meidani: PS nuk fiton dot vetëm me PDIU, i duhet LSI…

Meidani: PS nuk fiton dot vetëm me PDIU, i duhet LSI…

Rexhep Mediani e sheh rezultatin e zgjedhjeve në Dibër si një proces që nuk mund të merret për bazë në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mediani thotë se, një koalicion PS-PDIU, nuk mund të sigurojë fitoren i vetëm.

Ai komenton edhe idenë e hedhur nga PS-ja për zgjedhjen e kreut të LSI-së President Republike. Meidani thotë se profili i Metës është ndër më të përshtatshmit dhe i pranuar nga të gjitha kampet.

Por, sipas tij, zgjedhja President i kreut të LSI-së, mund të sillte efekte jo të mira në rezultatin elektoral të kësaj partie. Duke folur për rritjen elektorale të LSI-së, Meidani shprehet se sondazhet tregojnë rritje në disa zona të LSI-së përballë PS-së, duke aluduar se zgjedhja e Kryeministrit të ardhshëm nuk do të jetë ekskluzivitet vetëm i PS-së.

“Po t’u besohet disa sondazheve, sipas të cilave, në mjaft zona, LSI-ja ka fituar tashmë një mbështetje elektorale më të lartë se ajo e PS-së; gjë që mund të pasqyrohet deri në një peshë më të madhe përfaqësuese të saj në dyshen LSI-PS. Aq më tepër, që dhe në pikëpamje kushtetuese, kryeministri propozohet nga forca politike me rezultat më të lartë elektoral”, – shprehet Mediani.

“Dibra si test nuk mund të vlejë si një projeksion real për zgjedhjet e ardhshme, aq më tepër që edhe në ato zgjedhje një rol të dorës së parë do të kenë vetë aleancat parazgjedhore apo koalicionet paszgjedhore. Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh se, me sistemin zgjedhor aktual, partitë e treta (siç mund të jetë PDIU në një koalicion të ngjashëm me atë në Dibër), brenda aleancave parazgjedhore, mund të goditen në një mënyrë apo tjetrën, sidomos në marrjen e numrit të dëshiruar të mandateve. Pra, është shumë herët për të ndërtuar një projeksion konkret, veçanërisht pa njohur ndryshimet në sistemin zgjedhor (me lista të hapura apo të mbyllura, me korrigjim kombëtar ose jo), aleancat parazgjedhore me dy apo tre boshte kryesore, pse jo dhe krijimin e konfigurimeve të tjera politike-elektorale. Ama, sipas votave totale në zgjedhjet vendore të një viti më parë, PS-ja e vetme, qoftë dhe në variantin binomial PS – PDIU nuk mund të arrijë të fitojë mbi 70 mandate, pra dhe të mbajë qeverisjen qendrore…” – tha ish-presidenti.

Meidani ishte kritik edhe me rezultatet e qeverisë në vitin e fundit të mandatit të parë.

“Ku premtimet, e ku zbatimi i tyre!? Për këtë, mjafton të analizohen angazhimet në fuqizimin e pritshëm, por dhe të domosdoshëm të infrastrukturës në tërësi. Kështu, p.sh., hidhni një sy ecurisë së punimeve (më saktë bllokimit të tyre), gjatë 3 vjetëve të fundit, në autostradën Tiranë-Elbasan; shihni ç’po ndodh me 900 metrat në hyrje të Pogradecit (ku sipas punëtorëve nuk është bërë as dhe pagesa!); kujtoni premtimet e zhurmshme të Rrugës së Arbrit etj., për të kuptuar përgjigjen edhe prej dashamirësit më të devotshëm të rilindjes! Prandaj, për një përgjigje të saktë, pyesni më mirë qytetarët, jo politikanët; aq më pak ata të krahut qeverisës. Por, gjithmonë, jashtë kamerave!?

Sidoqoftë, po të ecësh në rrugë e ndesh kudo vështirësinë e pritshmërinë, lodhjen e mërzinë, varfërinë e hallin në fytyrën e njerëzve, madje gëzimi, buzëqeshja dhe të qeshurit ndeshet gjithnjë e më rrallë. Realisht, pra, shumica e qytetarëve janë krejt të zhgënjyer dhe të pakënaqur, pavarësisht deklaratave të përditshme mbi çudira e suksese, apo propagandës marramendëse e demagogjisë lodhëse qeverisëse.

Edhe pse nuk mohohet kriza ekonomike, tregohen pa pushim, në çdo panel dhe ekran, “përralla” edhe si karshillëk ndaj vetë krizës. Por, për fat të keq, me ngërç serioz duket dhe cilësia e qeverisjes, paaftësia e drejtimit dhe e administratës së saj; arroganca e përzierë me një orientim kaotik, deri abuziv, në projektim e menaxhim” – tha Meidani./lapsi.al/

Share: