Pas protestave të maturantëve të mbetur pa shkollë dhe dyshimeve të vazhdueshme nga ana e tyre për ngërç edhe në fazën e dytë të procesit, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka patur një takim me rektorët e Universiteteve në kërkim të një zgjidhjeje që do të normalizonte procesin, pas regjistrimit të maturantëve, fitues në disa degë.
Duket se zgjidhja ka qenë teknologjia, ku përmes një sistemi elektronik, fituesit e disa degëve, sapo të jenë regjistruar në degën e zgjedhur, automatikisht do të çregjistrohen nga programet e tjera, duke bërë të mundur që këto vende të lirohen për konkurrentët e tjerë të mbetur poshtë vijës së kuqe.
Në udhëzimin eMinistrisë së Arsimit lidhur me këtë argument thuhet:
“Pas datës 16 tetor 2016, deri më datë 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë online dhe me dokumentacion, deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës, të gjithë kandidatët e tjerë që kërkojnë të regjistrohen, duke respektuar renditjen në lista. Kandidati nuk mund të regjistrohet në më shumë se një program studimi”.
E përditshmja “Panorama” ka mësuar edhe mënyrën se si do të kryhet plotësimi i kuotave të zëna nga maturantët që rezultojnë fitues në disa degë, pasi të jenë shpallur fituesit.
Sipas gazetës, këta të fundit kanë vetëm katër ditë kohë të mendojnë zgjedhjen e jetës, me qëllim që vendet në degën/t ku rezulton fitues të lihen në dispozicion të kandidatëve poshtë vijës së kuqe. Pasi ai të ketë vendosur të regjistrohet në një program studimi, sistemi automatik kryen menjëherë heqjen e tij nga lista në degët e tjera ku është shpallur fitues. Ndërkohë, ata që janë në listë pritjeje (afër vijës së kuqe) duhet të checkojnë vazhdimisht në listën e fituesve për të parë nëse është liruar një vend. Nëse po, i pari do të jetë ai poshtë vizës.
Ky sistem bën që ai me më shumë pikë të ketë mundësi të zgjedhë degën që do dhe meriton. Kjo do të realizohet brenda afatit 4ditor, pa u regjistruar më parë në një tjetër degë më pak të dëshiruar. Duke qenë se pjesa dërrmuese e maturantëve, bashkë me mbetësit e vjeshtës garojnë në fazën e dytë, sekretaritë e fakulteteve do të kenë dyndje të lartë regjistrimesh, veçanërisht në ditën e fundit. Nuk përjashtohet mundësia që universitetet të shtyjnë afatin deri në shterimin e kuotave të lira./Opinion.al