Nga Spartak.Ngjela
A do të dalë serish Partia Demokratike, si në vitin 1997, një lëvizje anti-amerikane dhe anti-perëndimore në Shqiperi?
Ajo tashmë ka dalë si e tille. Forcat perëndimore në atë parti sot janë pa forcë. Sali Berisha i dridhet drejtësisë së moralitetit perëndimor. Ketu fillon rezistenca e tij antireformë.
Kurre mos mendoni se Lindja ndahet nga Perëndimi si pozicion gjeografik global; jo, ato ndahen me njëra – tjetrën nga dinjiteti, nga personaliteti i njeriut dhe të drejtat e njeriut. Kjo do t’i ndajë edhe përkrahësit e Sali Berishës në PD nga fryma perëndimore, sepse tani fryma perëndimore kërcënon Berishën me ndeshkim penal.
Ai ka abuzuar me pushtetin: ka vrarë, ka vjedhë; ka dëmtuar me vullnet të plotë Shqipërinë dhe shqiptaret; ka shitur interesin kombëtar për pak pushtet si edhe të tjerët para tij – për të gjitha keto, shumë shpejt do t’i ngrihet akuza nga shqiptarët e rinj që pritet me ditë të vinë në Tiranë për të implementuar Reformën në Drejtësi.
Prandaj Saliu shihet sot të jetë kthyer në një njeri pa fare ekuilibër të brendshëm: Berisha po ndien peshën e gjyqit shqiptar. Dhe s’është vetëm ai, por i gjithe tabori i tij familiar në këtë “hall ndëshkimi”.
Prandaj e urren Reformën. Kjo është edhe arsyeja që urdhërol lolon e tij ta padisë Reformën në ligjin kryesor përpara Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, të shtypurit e Saliut që do të firmosin kërkesën do të kenë firmosur padinë antiamerikane. A do të kenë kurajë, vallë?
Po Gjykata Kushtetuese, me nënte anëtarët e saj do të vendosë dot kundër Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe interesit jetësor të vetë shqiptarëve?
Nuk do ta bejnë dot: po të drejtohen nga arsyeja historike e zhvillimit shqiptar, do ta kenë të pamundur. Reforma shqiptaro-amerikane ka marrë sot një ngjyrë të vërtetë shprese dhe besimi në opinionin publik shqiptar.
Prandaj flet nëpër korridoret e krimit kundër ambasadorit amerikan Berisha çdo ditë.
Kujtohuni: a nuk është konfliktuar ai me të gjithë ambasadorët amerikanë në Tiranë? A nuk thanë lakejtë e tij para pak kohesh se ambasadori amerikan Arvizu ka mbetur pa punë?
Por, a nuk e sollën amerikanët zotin Arvizu ne Tiranë këto ditë, si zv. sekretar Shteti? Sali, është shumë e thellë reforma shqiptaro-amerikane. Nuk mund të ketë kthim mbrapa, dhe do ta fshijë të gjithe korrupsionin shqiptar të rangjeve të larta.
Ky eshte kusht historik që nuk mund te ndryshojë, sepse ka të bejë me zhvillimin perëndimor të vetë Ballkanit.
Reforma shqiptaro-amerikane në Shqiperi, do ta ngrerë në vendin e vet të gjithe botën shqiptare në Ballkan.