Papa Françesku mund të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën brenda vitit të ardhshëm, raportoi sot gazeta e përditshme e Beogradit “Danas” duke cituar burime jozyrtare diplomatike perëndimore.
Sipas raportit, burimet thanë se Papa Françesku ishte ftuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të bërë vizitën e parë zyrtare në Beograd dhe se ai ishte shprehur i gatshëm për ta bërë këtë. Raportohet se Kisha Ortodokse serbe nuk është kundër ftesës.
Gazeta tha gjithashtu se qeveria serbe ka refuzuar të komentojë mbi këtë. Sakaq, gazeta e përditshme kosovare “Koha ditore” citoi presidentin e Kosovës, Hasim Taçi të ketë thënë, pas një bisede me Papën, se ky i fundit kishte shprehur synimin për të vizituar Kosovën dhe për të njohur më mirë realitetin në Ballkan.