Home KRYESORE Perballe znj. Ademi duhej më shumë përulje nga ana e kryeministrit e...

Perballe znj. Ademi duhej më shumë përulje nga ana e kryeministrit e më pak arrogancë

Nga Luli Progni/27.al

“Për me sundue një shtet nuk është mjaft dhelpnija, dredhia, intriga, batakçillëku, tradhëtia. Duhet nder, dije, urti e burrni. Qe se ç’ka duhet…”.

Është një citim i At Gjergj Fishtës i përdorur nga zoti Rama më 21 qershor 2013 në Shkodër. Ishte nata e fundit e fushatës së Rilindjes për zgjedhjet e 23 qershorit, kur Rama po kërkonte votën e Shkodrës e gjithë Shqipërisë për të qeverisur vendin, “pa dredhi, pa intriga, pa dhelpni, e pa  tradhëti”.

Edi Rama, lideri i atëhershëm i opozitës, u shfaq si me magji në podiumin e lartë në mes të Shkodrës, ku përmes një fjalimi emocionues, përfshiu prejardhjen e tij nga ai qytet, citoi Fishtën e foli në dialektin shkodran me gjithë rrespektin e madh për atë krahinë.

“Shkodra është vendi ku lindi gjyshja që i dha fëmijërisë time jehonën e kambanave të kishës dhe aromën e librave të shënjtë… . Është koha të vendosim me votë çfarë jena: robër të rrënimit apo qytetarë të Rilindjes. Tregojeni pra më 23 qershor se kush jena”, tha ndër të tjera, Rama në atë fjalim.

Bashkë me Rilindjen e Ilir Metën, Rama i fitoi zgjedhjet e 23 qershorit. Fitoi shumë vota edhe në Shkodër, shumë më shumë se në zgjedhjet e mëparshme. Shkodra ia dha mundësinë Ramës të qeveriste me nder, dije, urti  e burrni.

Se sa u përshfaqën këto virtyte në qeverisjen e Shkodrës dhe shumicës së Shqipërisë, tashmë dihet sepse ka statistika dhe bilance ngjarjesh që rrëzojnë tërësisht propagandën e kryeministrit.

Sot, tri vite pasi Rama u ul në karrigen e kryeministrit nuk ka shumë për t’u mburrur. Raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë për punësimin, për mirëqënie, për klimën e biznesit, për lirinë e medias, për nivelin e demokracisë dhe në krye të listës për shifrat e larta të varfërisë e të korrupsionit.

Këtë bilanc negativ, zoti Rama e krerët e tjerë të kësaj mazhorance po përpiqen ta mbulojnë me zhurmën e madhe që u bë gjatë gjithë këtij viti, për reformën në drejtësi. Në të vërtetë reforma në drejtësi u realizua me këmbënguljen e ndërkombëtareve dhe politika shqiptare në tërësi, ka shumë pak për t’u mburrur për meritat e miratimit të saj.

Nëse i kthehemi sërish fjalisë së cituar nga Fishta, ky bilanc negativ i qeverisjes tregohet në pjesën e parë, atë ç’ka nuk duhet për të qeverisur një vend: dhelpni, dredhi, intrigë, batakçillëk, tradhëti. Këtë e dinë mirë shkodranët dhe gjithë Shqipëria. E di edhe vetë zoti Rama. Ndaj dhe dje kur u përball me kryebashkiaken e Shkodres, zonjën Voltana Ademi, do të kishte qenë më mirë ta kursente arrogancën e prepotencën e të rrinte kokëulur përpara kamerave për t’i kërkuar ndjesë Shkodrës pikërisht për atë që bëri e nuk bëri, për ato çfarë i kishte premtuar atij qyteti.

Në përballjen me zonjën Ademi, Edi Rama u shfaq në të kundërtën e asaj çfarë kishte cituar në Shkodër më 21 qershor. U mundua ta përqeshë e ta tallë, po gegnisht. Ndërsa zonja Ademi, për hir të së vërtetës u shfaq dinjitoze në lartësinë e detyrës që mban. Ajo i kujtoi kryeministrit se po kryen detyrën e saj në Shkodër, në funksion të qytetarëve, duke theksuar se shumë prej tyre, s’kanë bukë të hanë. Është tjetër çështje përdorimi i atyre që s’kanë bukë të hanë për qëllime politike, siç ndodh zakonisht, por ajo çfarë pamë e dëgjuam në atë bisedë të tensionuar mes tyre, ishte se arroganca e kryeministrit la shije shumë të hidhur përballë një kryetare bashkie. Nuk mjaftoi kjo, por kryeministri u tall edhe me gazetarët e mediave lokale të qytetit; përqeshi një gazetar, duke e korigjuar në dialektin gegnisht.

Shkodranët kanë ditur t’i dallojnë më mirë se gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë atë çfarë nuk duhet të bëjë qeverija, sepse kanë dhënë prova me votën e tyre kur kanë rrëzuar Partinë Demokratike. E kanë rrëzuar, edhe pse kjo parti ka pasur mbështetje absolute në atë qytet, duke shfrytëzuar antikomunizimin që karakterizon Shkodrën.

Në Shkodër duhej më shumë përulje nga ana e kryeministrit e më pak arrogancë. “Qe pra ç’ka nuk duhej”, do të thoshte vetë Rama para tre vitesh.

Share: