Home KRYESORE Rama-Kokëdhima, nga miq te ngushte në armiq te forte?

Rama-Kokëdhima, nga miq te ngushte në armiq te forte?

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PS, Koco Kokedhima, duke hyre ne nje mbledhje te Asamblese Kombetare te Partise Socialiste, PS, e cila eshte mbledhur per zgjedhjet e reja ne parti dhe per rinovimin e strukturave dhe anetaresimeve te reja. /r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and lawmaker Koco Kokedhima, during a meeting of the National Assembly of the Socialist Party.

Nga Spiten Prulli

Një nga miqësitë më të forta në politikë është kthyer në armiqësinë më të madhe. Fjala është për Kryeministrin Edi Rama dhe ish-deputetin e Vlorës, Koço Kokëdhima. Më parë, dyshja Rama-Kokëdhima ishte e pandarë dhe në një sintoni vale për çdo lëvizje politike të Kryeministrit. Aq sa shpesh herë aludohej se i vetmi person që ka ndikim të çuditshëm dhe të gjithëpushtetshëm te Rama ishte ish-deputeti dhe botuesi i njohur, Kokëdhima.

Por kjo marrëdhënie duket se tashmë i përket së shkuarës. Mund të thuhet se dy miqtë janë kthyer në armiq të betuar të njëri-tjetrit. Të paktën, Kryeministri Edi Rama nuk po lë rast pa e treguar se jo vetëm nuk e do më Kokëdhimën si pjesë të projekteve të tij, por mundësisht po synon ta përjashtojë nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste. Janë disa lëvizje që tregojnë se Edi Rama po tenton me çdo mundësi të largojë nga PS-ja dhe rrethi i tij ish-mikun Koço Kokëdhima. Por edhe Koço nuk mungon t’i kthejë reston. Edhe në fejesën e vajzës së tij para disa ditësh nuk e kishte ftuar Ramën, sepse nëse do të ishin në ditët e mira të tyre, Edi do të ishte në krye të sofrës së dasmës.

Kryeministri duket se e ka hequr nga listat kudo ish-mikun e tij. Provë për këtë është mbledhja e djeshme e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt pas 4 muajsh vonesë ishin njoftuar të 30 anëtarët e kryesisë dhe 5 sekretarët, përveç Koço Kokëdhimës. Duket se jo rastësisht është lënë jashtë këtij takimi ish-deputeti i Vlorës. Edhe pse Koço Kokëdhima nuk e ka më mandatin e deputetit, zyrtarisht ai është Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin. Mbledhja e djeshme në Kryesinë e PS-së kishte si qëllim përgatitjen për zgjedhje dhe anëtarësimet e reja në selinë rozë. Të përjashtosh nga mbledhja sekretarin kryesor të Kryesisë duket se nuk ka qenë harresë. Pas heqjes së mandatit të deputetit në Gjykatën Kushtetuese me një procedurë të cilën Kokëdhima e quajti si “prerje në besë nga Rama”, në selinë rozë po bëjnë gati dhe largimin nga gjithë funksionet partiake të Kokëdhimës. Madje, kanë menduar edhe mënyrën se si. Skemë si e gatuar në Ministrinë e Brendshme të kohës së Kadri Hazbiut! Duan ta largojnë me turp ish-deputetin në mënyrë që të mos ketë asnjë kurajë të flasë ndonjë fjalë ndaj Edi Ramës. Të besuar të Kryeministrit që punojnë në stafin e ngushtë të tij shprehen në kofidencë se “Koço ka mbaruar…!”, dhe lenë të kuptosh se Rama i ka diçka të madhe në dorë sa nuk guxon të dalë kundër në publik, Kokëdhima.

Vetë deputeti Kokëdhima tha dje se ishte njoftuar nga mediat për mbledhjen e Kryesisë, por jo nga PS. Ndërkohë që, zëdhënësja, Elisa Spiropali tha se mbledhja e ishte periodike dhe se, “nuk e dinte arsyen pse mungonte Kokëdhima”. Në fakt, në praktikën e mbledhjes së PS-së zakonisht anëtarët njoftohen me SMS ose e-mail ku u jepen dhe materialet me të cilat do të diskutohet në mbledhje. Mosnjoftimi i Kokëdhimës, nuk lidhet me çështje harrese, por me gjetjen e një sebepi për të mos e lejuar Kokëdhimën të jetë pjesë e mbledhjes. Kokëdhima tha për “Koha Jonë” se nuk dinte të kishte mbledhje, pra nuk kishte njoftim.

Sikur të mos mjaftonte largimi nga strukturat e PS-së, një tjetër vendim i institucioneve kundër Koço Kokëdhimës dëshmon për raportet jo të mira mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama.

Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) vendosi këtë fundjavë mosrinovimin e licencës për një prej mediave të Kokëdhimës. Bëhet fjalë për “Radio +2”, një prej kompanive të para mediatike që Kokëdhima mori në pronësi të tij në vitin 1998 . Bordi drejtues i AMA-s vendosi që t’i heq licencën me argumentin se nuk përmbush kushtet për ofrimin e shërbimit në nivel kombëtare.

Pavarësisht pjesës teknike dhe ligjore që mund të ketë pasur kompania, vendimi i AMA duket se nuk është thjesht ligjor. Më shumë se kaq, duket se është një sinjal që Kryeministri Rama po i jep ish-mikut të tij lidhur me kompanitë mediatike. Pra, përveçse i hoqi mandatin, siç dyshon dhe vetë Kokëdhima, përveçse po e anashkalon nga forumet e Partisë, Kryeministri tani po kërkon të minimizojë edhe peshën mediatike të ish-mikut të tij, botuesit Kokëdhima. Vendimet e djeshme duket se kanë nisur luftën e hapur mes tyre dhe lëvizjet e fundit me përjashtime janë vetëm fillimi i kësaj beteje.

Qëndrimet e PS-së janë paksa paradoksale. Sepse në kohën që Rama nuk e pranon me Kokëdhimën në forume e larta të PS-së, në Himarë dhe Vlorë, aty ka bazën e votuesve Koço vazhdon takime me strukturat e PS-së. Kjo rrezikon që në Vlorë të ketë dy PS, një të Koços dhe një të Ramës. Dhe duke qenë nga Qeparoi, Kokëdhima, duket se, në atë zonë të Jugut nuk dëgjohet Kryetari i PS-së, por ish-deputeti. Ndaj dhe ka hedhur formulën se duhet që anëtarësia e PS-së, të zgjedhë emrat kandidatë për deputetë në Parlamentin e ri. Është zgjidhje dinjitoze, në këtë rast, e Kokëdhimës. Pavarësisht se e bën edhe për inat të Ramës që të mos caktojë kandidatë për deputetë nga Tirana, në thelb ideja mbetet e saktë. Fakti që këtë radhë u emëruan deputetë kriminelë dhe pa lidhje me PS-në tregon se ish-deputeti ka përkrahje publike

Por ka edhe një gjë deri tani mes dy ish-miqve-armiq: Kokëdhima akoma nuk ka hapur “Kutinë e Pandorës” për Edi Ramën.

A do guxojë Koço, mbetet të shikojmë!

Koha Jone

Share: