Home KRYESORE Rrëfen tmerrin e aksidentit ndërsa nuk e di për humbjen e policit...

Rrëfen tmerrin e aksidentit ndërsa nuk e di për humbjen e policit tjeter!

“Ishim duke patrulluar kur na përplasën…”  Kështu shprehen Besim Voja dhe Neil Hoxha, dy kolegët e policit të ndjerë Ervin Haxhia që u aksidentuan mbrëmjen e së dielës nga një i ri që udhëtonte me shpejtësi. Efektivët ishin duke përfunduar shërbimin, por gjysëm ore para se turni tjetër të merrte detyrën, ndodhi e paimagjinueshmja.

“Nuk e kuptuam, humbëm ndjenjat. Gjysëm ore para se të linim shërbimin na goditi makina me fuqi”, – tha Voja dhe Hoxha.

Të dy policët ndodhen të shtruar tek Trauma, në të njëjtën dhomë.

Voja gjatë paradites ishte tejet i përhumbur. Nuk mban mend shumë nga ngjarja, por ato pak minuta nuk ngurron t’i rrëfeje. Voja tha se së bashku me shokët Ervin Haxhia dhe I. Hoxha ishin duke patrulluar me makinë, kur furgoni i policisë u trondit nga një goditje.

“Kemi qenë duke ecur kur morëm një goditje të fuqishme nga mbrapa. Nuk e kuptuam kur dhe si na erdhi goditja. Furgoni ynë pësoi dy rrotullime në vend. Kur më nxorën nga makina e policisë, pashë dy kolegët e shtrirë. Nuk mbaj mend shumë gjëra….patrullonim shpesh në këtë segment”.

Ndërsa Besimi kishte dijeni për fatin e Ervin Haxhias, Neil Hoxha ende nuk e di se kolegu i tij ka ndërruar jetë. Teksa nën zë pëshpëritej, ‘i ndjeri që ndërroi jetë’, Neil Hoxha ngre kryet përpjetë dhe pyet; “Pse kush ka ndërruar jetë?”

Familjarët mundohen t’a qetësojnë. Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ata nuk duan që Neili të mësojë për fatin e kolegut Ervin Haxhia. Sipas tyre, është ende herët për këtë hap./shqiptarja.com/

Share: