Home KRYESORE Shpallet maturantja e dytë më e mirë në Shqipëri, por nuk e...

Shpallet maturantja e dytë më e mirë në Shqipëri, por nuk e fiton Mjekësinë

Fituese e disa Olimpiadave dhe e dyta maturante më e mirë në Shqipëri, A.Zyberi nga Shkodra me lot në sy tregon se nuk arriti dot të fitonte shkollën e dëshiruar. Së bashku me shokun e saj E.Haxhia, janë zgjuar që në 6 të mëngjesit për të ardhur në Tiranë dhe për të kërkuar të drejtat e tyre, duke iu bashkuar protestës së maturantëve përballë Kryeministrisë.

Zyberi tregon se pavarësisht mesatares së saj të ponderuar, 10.17, ajo nuk arriti dot të fitonte degën e dëshiruar. Ndërsa E. Haxhia me mesatare 9.7 nuk fitoi dot asnjë shkollë.

Që në fëmijëri, ëndrra e Zyberit ishte të bëhej një mjeke, por për shkak të sistemit të ri arsimor, kjo ëndërr mori fund. Në shkollën e saj nuk e kishte paralajmëruuar njeri për kriteret që duhej të përmbushte për të fituar degën shumë të dëshiruar.

As institucionet e tjera arsimore në vend nuk kishin publikuar asnjë kriter. Të gjithë i thonin: “Ke fituar medalje ari, nuk ke pse shqetësohesh aq shumë”. Dhe me të drejtë në fakt.

Fundja nëse nuk do e fitonte ajo, maturantja më e mirë në vend, kush tjetër mund ta fitonte atë degë?! “Unë nuk ia dola.

Edhe pse, mesatarja ime e ponderuar 10.17 (llogaritje të reja të ministrisë) e tejkalonte mesataren e kërkuar prej tyre që ishte 8.5. Për çfarë po penalizohem unë? Që mesatarja ime është më e lartë sesa e kërkojnë ata?! Ky është gabimi im?” Po Haxhia? Edhe ai fitues i disa Olimpiadave, u godit rëndë nga sistemi i ri arsimor. Ndryshe nga shoqja e saj, ai nuk fitoi dot asnjë degë. Asnjë! “Nuk arrij ta kuptoj, sesi unë me mesatare 9.7 nuk arrita dot të fitoj asnjë nga 10 degët e përzgjedhura, ndërsa shoku im me mesatare 7.6 arriti të fitonte një degë shumë të mirë këtu në Tiranë.

Ministrja e Arsimit më detyrohet një shpjegim për këtë, kryeministri më detyrohet një shpjegim!”

Dy shokët nga shkolla e Medresesë në Shkodër, janë pjesë e maturantëve që protestuan sot përpara Kryeministrisë. Ata thonë se nuk do ndalen, por do vazhdojnë të protestojnë derisa sistemi i ri arsimor të ndryshojë.Maturantët nga skajet e Shqipërisë u bashkuan për të kërkuar të drejtën e tyre para kryeministrisë.

Të pyetur nga Newsbomb.al me lot në sy dhe çadra në duar tregonin gjimnazin ku kishin studiuar, mesataret e tyre dhe ëndrrat e thyera.Kjo është një listë me nxënës nga gjimnaze të ndryshme, kryesisht nga gjimnazet e Tiranës, por edhe nga Vlora, Elbasani dhe Shkodra, të cilët nuk kanë kapur asnjë degë. /Newsbomb.al

Të paktë kanë qenë ata të cilët kanë fituar një nga degët, zgjedhjen e nëntë ose të dhjetë në listë.

I.Gjini, mesatare 9, Gjimnazi Ibrahim Rugova, Kamëz
I.Lleshi mesatare 9.7,1 Gjimnazi Ibrahim Rugova, Kamza
Arjola Sina mesatare 9.4, Gjimnazi Aulona, Vlorë
A. L mesatare 10.14, Gjimnazi Medrese, Tiranë
Xh.L mesatare 9.2, Kostandin Kristoforidhi, Elbasan
K.I mesatare 9.17, Kostandin Kristoforidhi, Elbasan
I. M mesatare 8.5, Qemal Stafa Tiranë
D.H mesatare 9.7, Qemal Stafa Tiranë
Egi Peti mesatare 9.3, Sami Frashëri Tiranë
Irdi Sadiku mesatare 9.2, Sami Frashëri Tiranë
O.SH mesatare 9.2, Sinan Tafaj Tiranë
Rezana Bulgu, mesatare 9.7, Gjimnazi Ismail Qemali, Tiranë

Share: