Home KRYESORE STOP/ Bashkia nuk paguan qiranë e kopshtit, fëmijët ngelen në rrugë

STOP/ Bashkia nuk paguan qiranë e kopshtit, fëmijët ngelen në rrugë

Epo çudirat nuk paskan të sosur!

Emisioni investigativ “STOP” sjell një tjetër rast absurd që ndodh në Babrru – Fushë të Kamzës. Prej disa ditësh tashmë, prindërit shkojnë në kopshtin shtetëror për të çuar fëmijët, por ajo që ata gjejnë është një derë e mbyllur.

Arsyeja?

Siç rrëfejnë për mikrofonin e “STOP” prindërit, është se Bashkia e Kamzës nuk ka paguar fondet.

Duke qenë se ndërtesa ku fëmijët shkonin ishte amortizuar, kjo Bashki vendosi vite më parë që kopshtin shtetëror ta zhvendoste në një ambient privat, deri në përfundim të punimeve. Por mos pagesa e qerasë së këtij ambienti, ka bërë që pronari i saj të mbyllë dyert.

“Ne vijmë çdo ditë për të sjellë fëmijët në kopsht, si normalisht, por kopshti nuk hapet. Pronari e ka mbyllur pasi Bashkia nuk i ka mbyllur fondet, qeranë, sepse Bashkia paguan qeranë, është kopsht shtetëror”.

Prindërit rrëfejnë se kanë katër ditë radhazi që vijnë në këtë kopsht, por derën vijojnë ta gjejnë të mbyllur. Ata shprehen se janë të detyruar që t’i lenë të vegjëlit në këtë institucion parashkollor, pasi duhet të shkojnë në punë.

“Fëmija im është vetëm 3 – vjeç dhe nuk vjen në kopsht dhe nuk ka asnjëlloj mundësie tjetër ku të rrijë. Unë duhet të shkoj në punë, një fëmijë tjetër e kam të vogël, çerdhe nuk ka.”

Prindërit vijnë dhe presin me orë, me shpresën se dikush do të vijë për të hapur dyert e këtij kopshti.

“Erdhëm dje dhe ndenjëm nja dy orë, ikëm në shtëpi. Erdhëm edhe sot prap, e njëjta situatë”.

Prindërit shprehen se kjo është një problematikë që duhet të ishte zgjidhur më parë dhe të mos pritej deri në këtë pikë. Ata kërcënojnë se nëse nuk merren masa nga Bashkia do të bllokojnë rrugën.

Gazetarja e “STOP” vendosi që të pyesë drejtoreshën e këtij kopshti, Rukije Bano, për të mësuar më shumë rreth këtij problemi.

“Ngërçi qëndron tek kalimi i kompetencave të kopshteve në varësi të Bashkisë. Godina ku ne rrinim ishte jashtë përdorimi dhe e nxorrën jashtë të gjitha standardeve dhe Komuna, siç ishte atëherë kur kemi kaluar, gjeti një zgjidhje provizore. Derisa të hapej, të rregullohej godina aktuale që është. Subjekti privat ka hapur mëse tre vjet godinën për mësim. Kemi vazhduar mësimin rregullisht. Pretendimi është: pa u shlyer detyrimi që kanë nuk e hapim. Ju lutem ndërhyni, të hapet fondi, të shlyhen detyrimet dhe ne të fillojmë sepse e gjithë kostoja bie mbi këta fëmijë.”

Bano shpjegon se janë 190 fëmijë të regjistruar në këtë kopsht, që aktualisht kanë ngelur në mes të rrugës.

Ndërsa Miranda Tane, Specialiste e Zyrës Arsimore në Kamëz shprehet se, në komunikimin që kjo zyrë ka patur me Bashkinë, për zgjidhjen e këtij problemi, përgjigjja ka qenë se ky institucion nuk ka mundësi financiare për të marrë objektin me qera.

“Zyra Arsimore e njeh problemin. Kemi komunikuar me Bashkinë për zgjidhje të problemit të mjediseve për kopshtin në Babrru – Fushë. Nga ana e Bashkisë na është kthyer përgjigje se nuk ka mundësi financiare për të marrë objektin me qera, për të vazhduar qeranë me subjektin që ka qenë më përpara nga ana e komunës. Kemi kontaktuar me Zyrën e Arsimit pranë Bashkisë dhe jemi përsëri në pritje, të përgjigjes nga ana e tyre. Për ne është problem kjo situatë, është shumë problematike. Për këtë kemi ndjekur të gjithë rrugën ligjore, kemi njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit, për zgjidhjen e këtij problemi”./tvklan.al

Share: