Biznesmeni që filmoi oficerin e Policisë Gjyqësore Fatos Lushi duke marrë 18 mijë euro kërkohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarime në hetimin që ka nisur për skandalin.
Menjëherë pas publikimit të videos, prokurori Ardian Braho u paraqit vullnetarisht te Krimet e Rënda dhe tha se oficeri me të cilin kishte punuar në zyrë kishte përdorur emrin e tij, shkruan “Panorama”. Prokurori mohoi të kishte dijeni për shumën e 18 mijë eurove dhe kërkoi hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë ai është pezulluar nga detyra që prej mbrëmjes së 28 shtatorit 2016. Në zyrën e tij u sekuestrua dosja me materialet për biznesmenin Gani Manollari, ndërkohë që dosje të tjera që kishte në hetim prokurori Braho do t’u kalojnë tashmë kolegëve të tij. Kështu, hetimi për pajisjen e përgjimit të gjetur në paradhomën e zyrës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do t’i kalojë një prokurori tjetër.
Edhe dosja e kallëzimit të KLSH-së për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë me kartëmonedhat e vjetra e të dala nga përdorimi, do të hetohet nga një tjetër prokuror, pas pezullimit të Ardian Brahos.
Një tjetër dosje e bujshme që po hetohej prej tij ishte edhe pjesa shqiptare e skandalit të dyshuar financiar “Panama Papers”, ku po verifikohen disa biznesmenë shqiptarë për manovrime të paligjshme financiare, brenda e jashtë vendit.
Prokurori Ardian Braho kishte në hetim e gjykim edhe një numër të konsiderueshëm dosjesh të tjera me rëndësi, por më pak publike, të cilat tashmë do t’u kalojnë kolegëve të tij.