Home KRYESORE 6 të rinj shqiptarë iu bashkuan ISIS në Irak

6 të rinj shqiptarë iu bashkuan ISIS në Irak

Kosova ka shënuar përparime të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar është thënë dje në ditën e tretë të punimeve të Seminarit të 93-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin po marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve rreth 70 deputetë nga 21 vende anëtare të NATO-s dhe vende partnere.

Parandalimi i radikalizmit dhe luftimi i terrorizmit ishte tema qendrore që u diskutua në këtë ditë të punimeve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se institucionet po i kushtojnë një rëndësi të veçantë aktiviteteve dhe luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Kosova, ka thënë Mustafa, nuk ka qenë imune ndaj njerëzve të cilët janë bashkuar në frontet e ndryshme të luftës jashtë vendit.

Ndër të arriturat kryesore, ai ka përmendur edhe miratimin e Ligjit, me të cilin Kosova e ka ndaluar bashkimin e qytetarëve në frontet e jashtme.

Sanksionimi i pjesëmarrjes në luftërat e huaja ka sjellë si rezultat rënien drastike të numrit të personave që iu janë bashkuar radhëve të grupeve apo organizatave, të cilat tashmë janë të shpallura si terroriste në Siri e Irak, ka theksuar Mustafa.

“Ne kemi arritur që nga shtatori i vitit të kaluar të ndalojmë që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos bashkohet në konfliktet e jashtme, përmes një pune shumë të rëndësishme që e ka bërë Policia e Kosovës, e ka bërë Agjencia e Inteligjencës, e ka bërë shoqëria civile, partitë politike në aktivitetet e tyre”.

“Kemi punuar me shkolla, kemi punuar me bashkësitë fetare jo vetëm me komunitetin mysliman por edhe me komunitetet tjera fetare. Kemi aprovuar në Qeveri Strategjinë për Luftë Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit dhe mendoj se është arritur një rezultat mjaft i madh”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, u tha se ka marrë masa për pezullimin e punës së 19 organizatave joqeveritare, për të cilat është vlerësuar se në aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me punë humanitare, por kanë edhe zhvillime tjera politike të cilat mund të cenojnë stabilitetin e vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë me këtë rast se Kosova, duhet të konsiderohet si prijëse nga vendet e rajonit, për angazhimin e saj në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem.

“Në këtë rrafsh ka demonstruar, si pothuaj askush tjetër më shumë në Ballkanin Perëndimor, gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente. Kemi pasur gati pothuaj një vit që nuk kemi shënuar, nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak”, ka thënë Hyseni.

Sidoqoftë, Hyseni ka pranuar se pas afërsisht një viti, që vlerësohet si periudhë në të cilën nuk ishin shënuar shkuarje të reja në frontet e luftës në Irak e Siri, së fundit, ka gjashtë raste që janë evidentuar si nisje të qytetarëve nga Kosova për në frontet e luftës në Siri apo Irak.

“Nga fundi i muajit shtator kemi gjashtë raste, dy prej të cilave i kemi konfirmuar që kanë arritur në vatrat e krizës përmes rrugëve të ndryshme. Pra, flasim me shifra, raste të regjistruara, sepse nuk e përjashtojmë asnjëherë mundësinë që ndonjë i radikalizuar të gjej rrugë të treta”, ka thënë Hyseni.

Aktualisht, sipas autoriteteve në Prishtinë, janë rreth 70 qytetarë nga Kosova që ndodhen në zonat e konfliktit në Siri apo edhe Irak. Ndërkohë, që nga viti 2013, Policia e Kosovës ka hapur hetime për mbi 200 persona. Sipas shënimeve zyrtare, janë arrestuar 119 persona dhe deri tash janë dënuar 35 prej tyre.

Ligjin që ua ndalon qytetarëve të Kosovës bashkimin në luftëra të huaja parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie. (REL)

Share: