Home KRYESORE Albert Einstein: Bota, siç e shoh unë!

Albert Einstein: Bota, siç e shoh unë!

Nëse mendojmë ekzistencën dhe përpjekjet tona, zbulojmë menjëherë që të gjithë veprimet dhe dëshirat tona janë të lidhura me ekzistencën e njerëzve të tjerë dhe që, për vetë natyrën tonë, jemi të ngjashëm me kafshët që jetojnë në komunitet. Ushqehemi me produkte të prodhuar nga të tjerë, mbajmë veshje të prodhuara nga të tjerë, jetojmë në shtëpi të ndërtuara prej punës së të tjerëve. Pjesa më e madhe e gjëra që dimë dhe që besojmë na është mësuar prej të tjerëve, përmes një gjuhe që të tjerë e kanë krijuar. Pa gjuhën, aftësia jonë për të menduar do të ishte meskine, dhe e krahasueshme me atë të kafshëve superiore; prandaj edhe eperësia jonë ndaj kafshëve konsiston mbi të gjitha – këtë duhet ta themi – në mënyrën tonë të të jetuarit në shoqëri. Individi, po të lihej vetëm që në lindje, do të mbetej, në mendimet dhe ndjenjat e tij, i ngjashëm me kafshët në një masë që do të ishte e vështirë ta imagjinonim. Ajo që është dhe ajo që përfaqëson individi, nuk i ka prej të qënurit një individ, por prej të qënurit pjesëtar i një shoqërie të madhe njerëzore që udhëheq qenien e tij materiale dhe morale, nga lindja deri në vdekje.

Vlera e një njeriu, për komunitetin ku jeton, varet para së gjithash, se sa ndjenjat, mendimet dhe veprimet e tij kontribuojnë për zhvillimin e ekzistencës së individëve të tjerë.

Në fakt kemi zakonin që të gjykojmë një njeri te keq apo të mirë, sipas këtij pikëvështrimi. Cilësitë sociale të një njeriu, në takimin eparë, duken si të vetmet që vlejnë për të përcaktuar gjykimin tonë mbi të.

E megjithatë, edhe kjo teori nuk është rigorozisht e saktë. Nuk është e vështirë të kuptohet se të gjithë të mirat materiale, intelektuale dhe morale që marrim prej shoqërisë, vijnë tek ne përgjatë disa brezave me individualitete krijues. Ai i sotmi është një individ që ka zbuluar me një “goditje” të vetme përdorimin e zjarrit, një individ që ka zbuluar kultivimin e bimëve ushqyese, një individ që ka zbuluar makinën me avull.

Liria shpirtërore e individëve dhe uniteti shoqëror

E megjithatë, vetëm individi i lirë mundet që të meditojë dhe si pasojë të krijojë vlera të reja shoqërore dhe të krijojë vlera të reja etike, përmes të cilave shoqëria përsoset. Pa personalitete krijues, në gjendje që të mendojnë dhe gjykojnë lirisht, zhvillimi i shoqërisë në drejtim progresiv vështirë të imagjinohet, ashtu sikurse dhe zhvillimi i personalitetit individual pa ndihmën gjallëruese të shoqërisë.

Një komunitet i shëndetshëm dhe i lidhur po aq me lirinë e individëve, sa edhe me bashkimin e tyre shoqëror. Eshtë thënë me shumë të drejtë se qytetërimi greko-europiano-amerikan, dhe në vecanti rilulëzimi i kulturës së periudhës së Rilindjes italiane, pas pezmit të Mesjetës në Europë, e gjeti mbi të gjitha themelin në lirinë dhe izoilimin relativ të individit.

Të shohim tani epokën tonë. Në cfarë kushtesh janë sot shoqëria dhe personaliteti? Në raport me të kaluarën, popullsia e vendeve të qytetëruar është shumë e dendur; popullsia e Europës është pothuajse tre herë më e madhe se sa 100 vjet më parë. Por numri i personave me dhuntinë e një temperamenti gjenial ka rënë në mënyrë të shpërpjestuar. Vetëm një numër i vogël njerëzish,për nga aftësitë e tyre krijuese, njihen si personalitete prej masave. Në një farë mase, organizimi ka zëvendësuar cilësitë e gjeniut në fushën e teknikës, por në një masë të konsiderueshme, edhe në fushën e shkencës.
Mjerimi i personalitetit ndihet sidomos në fushën artistike. Piktura dhe muzika janë sot në përkeqësim dhe gjejnë tek popujt një jehonë jo shumë të fortë. Politikës nuk i mungojnë vetëm krerët: pavarësia intelektuale dhe ndjenja e të drejtës janë ulur shumë tek borgjezia, dhe organizimi demokratik e parlamentar që mbështetet mbi këtë pavarësi është tronditur në shumë vende; kanë lindur diktatura dhe ato janë duruar, sepse ndjenja e dinjitetit dhe të drejtës nuk është më e gjallë aq sa nevojitet.

Dekadenca e dinjitetit njerëzor

Gazetat e një vendi munden që, brenda dy javësh, ta cojnë turmën e verbër dhe injorante në një gjendje të tillë të keqe, apo në një ngazëllim të tillë, sa të shtyjë njerëzit të veshin rroba ushtarake për të vrarë e për t’u vrarë, me qëllim që t’u mundësojnë biznesmenëve të panjohur që të realizojnë planet e tyre të panjohur. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak më duket simptoma më e turpshme e mungesës së dinjitetit personal, nga e cila vuan sot njerëzimi ynë i qytetëruar. Në lidhje me këtë gjendje të gjërave nuk mungojnë profetët që parashikojonë si të afërt shembjen e qytetërimit tonë. Unë nuk jam njëri prej këtyre pesimistëve: unë besoj në një të ardhme më të mirë.

Sistemi ekonomik pengon evolucionin e lirë

Sipas mendimit tim, dekadenca aktuale sociale varet nga fakti që zhvillimi i ekonomik dhe i teknikës e ka përkeqësuar rëndë luftën për ekzistencë, e si pasojë evolucioni i lirë i individëve ka pësuar goditje të rënda. Por për të kënaqur nevojat e komunitetit, progresi i teknikës kërkon sot nga njerëzit një aktivitet më të vogël. Ndarja racionale e punës do të shndërrohet në një nevojë gjithnjë e më të fortë dhe do të cojë në sigurinë materiale të njerëzve. Dhe kjo siguri, e bashkuar me kohën dhe energjinë që do të mbetet e disponueshme, mund të jetë një element i favorshëm për zhvillimin e personalitetit. Në këtë mënyrë, shoqëria mundet ende të shërohet dhe ne duam të shpresojmë që historianët në të ardhmen do të paraqesin manifestimet patologjikë të kohës sonë, si sëmundje të fëmijërisë së një njerëzimi, që u provokuan prej rendjes shumë të shpejtë të qytetërimit.

Vlera sociale e pasurisë

Jam tërësisht i bindur se të gjithë pasuritë e botës nuk do të mundnin ta shtynin njerëzimin përpara, edhe nëse do të binin në duart e një njeriu tërësisht të shenjtë e të dhënë pas evolucionit të qenies njerëzore. Vetëm shembulli i personaliteteve të mëdhenj e të pastër mund të çojë drejt mendimeve fisnikë dhe veprimeve të duhur. Paraja shkakton vetëm egoizëm dhe të shtyn gjithmonë, në mënyrë të parezistueshme, që ta përdorësh për keq.
A mund të imagjinohen Moisiu, Jezusi apo Gandi, të “armatosur” me bursën e Carnegie?

Përse jetojmë?

Shumë e veçantë është situata e në të vdekshmëve të tjerë. Secili prej nesh ka ardhur në këtë Tokë për një vizitë të shkurtër; nuk e dimë përsenë, por shpesh herë besojmë se e kemi kuptuar. Nuk reflektohet thellësisht e na kufizon të mendojmë një aspekt të jetës së përditshme; jemi këtu për njerëzit e tjerë: mbi të gjitha për ata, prej buzëqeshjes dhe mirëqenies së të cilëve varet lumturia jonë, por edhe për atë shumësi të panjohurish, me fatin e të kemi një lidhje simpatie. Ja cili është mendimi im konstant, i përditshëm: jeta jonë e jashtme dhe e brendshme varet prej punës së bashkëkohësve dhe të paraardhësve; unë duhet të përpiqem për t’u dhënë atyre, në po të njëjtën masë, atë që kam marrë dhe që ende marr prej tyre. Ndiej nevojën të bëj një jetë të thjeshtë dhe shpeh herë jam i vetëdijshëm se kërkoj nga veprimtaria e të ngjashmëve të mi, më shumë se sa është e nevojshme. Vetëdijësohem se dallimet e klasave shoqërore nuk janë të justifikuara dhe që, në fund të fundit, e gjejnë bazën e tyre tek dhuna. Por besoj gjithashtu se një jetë modeste është e duhura për këdo, për trupin dhe për shpirtin.

Limitet e lirisë sonë

Nuk besoj aspak në lirinë e njeriut, në kuptimin filozofik të fjalës. Gjithësecili reagon jo vetëm për shkak të impulsit të një detyrimi të jashtëm, por edhe sipas një nevoje të brendshme. Aforizmi i Schopenhauerit: “Eshtë e sigurtë që një njeri mund të bëjë atë që do, por nuk mund të dëshirojë atë që do” më ka lënë shumë përshtypje, që në rininë time; në vorbullën e ngjarjeve dhe provave që na paraqet vështirësia e jetës, ato fjalë kanë qenë gjithmonë për mua një ngushëllim dhe një burim i pashtershëm tolerance. Të jesh i vetëdijshëm për këtë, të ndihmon për të ëmbëlsuar ndjenjën e përgjegjshmërisë, e cila na ndrydh lehtësisht dhe na bën të mos marrim shumë seriozisht veten, ashtu sikurse dhe të tjerët. Kështu mbërrihet në një konceptim të jetës, që i lë një vend të veçantë humorit.

Mirëqenia dhe lumturia

Nga një këndvështrim objektiv, shqetësimi për kuptimin apo qëllimin e ekzistencës sonë dhe asaj të krijesave të tjera më është dukur gjithmonë diçka boshe për nga domethënia. Pavarësisht kësaj, çdo njeri është i lidhur me disa ideale që i shërbejnë si udhërrëfyes në të vepruar dhe në të menduar. Në këtë kuptim, mirëqenia dhe lumturia nuk më janë dukur asnjëherë si destinacioni absolut (këtë themel të moralit e quaj ideali i derrave). Idealet që kanë ndriçuar rrugën time dhe më kanë dhënë vazhdimisht kurajë të madhe kanë qenë e mira, e bukura dhe e vërteta. Pa patur vetëdijen e të qënurit në harmoni me ata që ndajnë bindjet e mia, pa kërkimin e paepur të të drejtës, përjetësisht e pakapshme, të fushës së artit dhe kërkimit shkencor, jeta do të më ishte dukur absolutisht e zbrazët. Që në vitet e rinisë sime, i kam konsideruar gjithmonë të neveritshëm destinacionet vulgarë, ku njerëzimi i orienton përpjekjet e tij: zotërimi i të mirave, suksesi në dukje dhe luksi.

Një kalë që tërheq i vetëm

Në dallim me ndjenjën time të fortë të drejtësisë dhe detyrës shoqërore, nuk kam ndierë asnjëherë nevojën për t’iu afruar njerëzve dhe shoqërisë në përgjithësi. Jam tamam një kalë që dëshiron të tërheqë i vetëm; nuk i jam dhënë kurrë tërësisht as shtetit, as tokës mëmë, as miqve dhe as njerëzve më të afërt; përkundrazi, përpara këtyre lidhjeve kam patur gjithmonë ndjesinë e të qënurit një i huaj dhe kam ndier gjithmonë nevojën për vetmi. Dhe kjo ndjesi vetëm sa rritet me kalimin e viteve.

Kam ndjesinë e fortë – por pa keqardhje – sikur kam prekur limitin e mirëkuptimit dhe harmonisë me tjetrin. Sigurisht, një njeri me një karakter të tillë humbet një pjesë të “bardhësisë” dhe qetësisë së tij, por fiton një pavarësi të madhe nga opinionet, sjelljet dhe gjykimet e të ngjashmëve të tij. Kështu nuk do të tundohet që të vendosë ekuilibrin e tij mbi baza kaq të pasigurta.

Gjithësecili duhet respektuar

Ideali im politik është ideali demokratik. Gjithësecili duhet të respektohet në personalitetin e tij dhe nuk duhet të ketë idhujtari për askënd. Për mua, elementi i çmuar në ingranazhin e njerëzimit nuk është shteti, por është individi krijues dhe i ndjeshëm, pra është personaliteti. Vetëm ky krijon të mirën dhe sublimen, ndërkohë që turma është flegmatike në mendim dhe e kufizuar në ndjenja.

Lufta

Ky argument më shtyn të flas për krijesën më të keqe, atë të masave të armatosura, dua të them të regjimit ushtarak, që e urrej me gjithë zemër. Kam neveri të thellë për kë është i lumtur të marshojë në radhë dhe formacione, nën tingujt e një muzike: një person i tillë vetëm gabimisht është “pajisur” me një tru. Palca kurrizore do të kish qenë më se e mjaftueshme. Duhet të eleminojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë turp të qytetërimit. Heroizmi i komanduar, luftimet idiotë trup më trup, fryma fatzezë nacionaliste, sa i urrej të gjithë këto! Dhe sa e poshtër dhe e neveritshme më duket lufta! Do të isha më i gatshëm të bëhesha copa-copa, se sa të merrja pjesë në një veprim kaq të mjerë. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, unë e vlerësoj kaq shumë njerëzimin dhe mendoj që kjo fantazmë e ligë do të ishte zhdukur prej kohësh nëse buonsensi i popujve nuk do të korruptohej sistematikisht prej shkollës dhe shtypit, spekulatorëve të botës politike dhe botës së biznesit./PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Share: