Home KRYESORE Artan Hoxha lëshon bombën e dytë :Prokurorë, gjyqtarë e biznesmenë investuan para...

Artan Hoxha lëshon bombën e dytë :Prokurorë, gjyqtarë e biznesmenë investuan para në parcelat me kanabis

Gazetari investigativ Artan Hoxha, fill pas zbulimit të dy pistave për uljen e avionëve të drogës në jug të vendit, njëra në malin Çajup dhe tjetra në Kardhiq të Gjirokastrës, lëshon një tjetër bombë, duke zbuluar edhe vendet ku transporton kanabis Shqipëria, por edhe arsyet pse ka rënë këtë vit çmimi i kanabisit shqiptar në tregun evropian. Hoxha shprehet se shkak për rënien e çmimit është bërë mbiprodhimi, ndërsa shton se këtij “biznesi” i janë futur prokurorë e gjyqtarë, po ashtu edhe biznesmenë të ndershëm.

“Shqipëria ka pasur mbiprodhim. Kjo ka çuar në ulje të çmimit brenda territorit dhe 50% më të ulët edhe në vendet evropiane. Gjithë operatorët e rinj të futur në treg, theksoj se futën edhe biznesmenë të ndershëm që nuk iu ecnin bizneset e tjera, fermerë hallexhinj. Ata nuk i kanë linjat e trafikut dhe janë detyruar të shesin lirë se rrezikojnë të kapen, nuk kanë as ambiente, magazina hangarë, kushte për ruajtjen dhe tharjen e kanabist. Në këto kushte çmimi nga 300 euro ka shkuar deri në 100 apo 70 euro për kg. Në disa vende kanë investuar edhe persona brenda sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ata thonë se të ardhurat i kanë nga investime në bono thesari e bursa on line, por me sa duket duke parë edhe epideminë kombëtare kanë investuar para tek elementë që mbjellin kanabis dhe në fund të procesit marrin përfitim”,- u shpreh Hoxha.

Hoxha tregoi edhe vendet e Europës që sipas tij, i furnizon Shqipëria me kanabis, por edhe sa varion çmimi i lëndës narkotike, kaq shumë të përhapur në vendin tonë, siç tha Hoxha.

“Shqipëria furnizon me kanabis Italinë, Greqinë, Turqinë, Gjermaninë dhe më pak vendet Skandinave, atje çmimi i 1 kg arrin deri në 5 mijë euro”.

Hoxha u shpreh se çmimi i kanabisit që transportohej nga Shqipëria u rrit kur në treg hyri Turqia, ndërsa shtoi se në Francë: “Shqipëria s’ka pjesë luani. Sipas tij, atje mbizotëron kanabisi i Marokut, ndonëse cilësisht nuk është më i mirë se i Shqipërisë.

Share: