Home KRYESORE Falen 400 milionë dollarë gjoba dhe kamatvonesa, ja kush përfiton

Falen 400 milionë dollarë gjoba dhe kamatvonesa, ja kush përfiton

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria kanë arritur në parim dakordësinë për faljen e madhe të detyrimeve të papaguara nga biznesi dhe pronarët e makinave.

Debatet mes Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për amnistinë janë për përmirësimin e ligjit mbi detyrimet që mund të jenë ende të mbledhshme nga biznese që nuk janë mbyllur apo që kanë ende aftësi paguese.

Nga FMN është kërkuar edhe saktësimi i procedurave për detyrimet e vjetra që nuk mund të mblidhen dhe do të fshihen. Burime nga Qeveria thanë për gazetën se FMN-ja, për përmirësimet e ligjet ka rekomanduar modelin e amnistisë që ka aplikuar Kosova, shkruan “Panorama”.

Amnistia e zbatuar në Kosovë solli faljen e 680 milionë eurove detyrimeve, ku u përfshi falja pa kushte e detyrimeve para 31 dhjetorit 2008, në rast se kryhet pagesa e plotë e detyrimit për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Përveç faljes së menjëhershme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitohej edhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave të borxhit për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Në draftin e hartuar nga Ministria e Financave përfshihet falja pa kushte për 400 milionë dollarë detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa. Zbatimi i amnistisë sipas draftit do të shtrihet në dy periudha, falja pa kushte për detyrimet e krijuara para 2011­-s. Falja me kushte përfshin detyrimet pas 1 janarit 2012, duke paguar 70 për qind të detyrimit dhe kamatëvonesës, për t’u falur 30 për qind e detyrimit dhe gjobat.

BIZNESI

Të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore dhe doganore, që u përkasin periudhave 31 dhjetor 2011, pra detyrime që kanë mbi 5 vjet, falen pa kusht.

Sipas draftit të amnistisë, detyrimet që ekzistojnë si të tilla në regjistrat e administratës tatimore dhe doganore para datës 31.12.2011 do të fshihen.

Pjesa e dytë e ligjit parashikon faljen me kusht, ku përfshihen detyrimet tatimore që u përkasin periudhave nga 1.01.2012 deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.

Për këto detyrime ligji parashikon se, nëse tatimpaguesi paguan 70 për qind të tatimit dhe 70 për qind të kamatëvonesës që është pjesë e pandarë e detyrimit, atëherë biznesit i falet gjoba që është pjesë e detyrimit tatimor dhe 30 për qind e detyrimit.

Share: