Home KRYESORE Hipokrizia e 18 Shoqatave dhe Dhomave të Biznesit dhe sinqeriteti i Nikolin...

Hipokrizia e 18 Shoqatave dhe Dhomave të Biznesit dhe sinqeriteti i Nikolin Jakës!

Nga Nikollaq Neranxi*

Janë mërzitur shumë disa Dhoma dhe Shoqata biznesi, sepse u vendos me ligj që duhet të paguajnë me detyrim kuotizacion në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, prandaj i kanë dërguar edhe një letër Nishanit, ku i kërkojnë që të mos e dekretojë këtë ligj.

Duhet theksuar se Dhomat Amerikane, Britanike, Gjermane etj, si dhe Shoqata e Ndërtuesve apo Konfindustria, kanë në anëtarësinë e tyrë biznese të mëdha dhe Vip. Si të tillë ata janë një zë shumë i fuqishëm i sipërmarrjes në vend.

Nga ana tjetër, kemi Shoqatën për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, me një anëtarësi prej disa mijëra sipërmarrësish, kryesisht të vegjël të cilët në ndryshim nga ata të mëdhenjtë më lart të cilët bëjnë vetëm kritika nga tryeza të rrumbullakëta dhe katrore, këta të vegjlit kanë treguar se kanë kurajo të madhe, sepse kanë ditur të shfrytëzojnë hapësirat që iu jep shteti demokratik, duke i çuar në Kushtetuese për shfuqizim ligjet që vulosin falimentimin e tyre.

Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Tregtarëve, i kam kontaktuar një për një këto Dhoma dhe Shoqata, në mënyrë që betejën në Kushtetuese për supergjobat, ta bënim bashkë, por ata nuk kanë pranuar, sepse nuk donin t’i binin qeverisë.

Më pas përsëri iu kam bërë thirrje të çojmë në Kushtetuese dhe në Apel Administrativ taksat vendore të disafishura, të cilat do çonin në faliment biznesin, (ashtu siç ka ndodhur) dhe ata përsëri nuk kanë pranuar.

Tani që iu cënohet portofoli i tyre, sepse 25% të kuotave që mbledh çdo Dhomë, do duhet t’ja çojnë Dhomës së Nikolinit, janë ngritur në këmbë edhe pse e dinë mirë se asnjë shërbim nuk mund të bëhet pa para (tarifat pastaj janë për tu diskutuar).

Nëse do ishin me të vërtetë konstruktivë dhe zëri i problemeve të mëdha të sipërmarrjes në këtë vend, kishin raste plot për ta treguar. Por në kaq pak kohë që unë jam drejtues i një Shoqate Biznesi, përveç hipokrizisë dhe frikës, nuk kam parë diçka tjetër tek ata.

Ndërkohë, në gjithë këtë histori, njeriu më i sinqertë është Nikolin Jaka. Në 7 vite që ai është në drejtim të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ai është marrë vetëm me rritjen e bizneseve të tija, ka përfituar fonde publike sa i ka dashur qejfi, ka qenë ushtar i bindur i pushtetit sa herë ata kanë patur nevojë për pak masturbim mediatik dhe këtë fakt ai as nuk ka tentuar ndonjëherë ta fshehë.

Kështu që unë nga Nikolini dhe Dhoma e tij nuk pres që do t’i shërbejë ndonjëherë biznesit, as me kuota vullnetare dhe as me detyrim, sepse tek ne o njerëz, nuk çalojnë ligjet, por njerëzit që vëmë në krye për t’i zbatuar ato!

*Nikollaq Neranxi (Kryetari Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë)

Share: