Politika do të shpërfillë referendumin për mbetjet, ndërsa rreziku që me mbetjet e padëmshme të mund të futen edhe lëndë toksike është real. I këtij mendimi është analisti Fatos Lubonja, i cili në një lidhje me skype për Ora News thotë se Shqipëria nuk ka kapacitetet e nevojshme të kontrollit.
“Nëqoftëse Shqipëria u mbyt me kanabis pasi u pastrua Lazarati, këtu padyshim kemi pasur ndikimin e interesave mafioze që kanë kapur politikën. Ka mjaft mundësi që edhe në këtë rast të kemi të bëjmë me interesa në mos korruptive për të përfituar disa njerëz edhe mafioze për të futur bashkë me plehrat e padëmshme siç quhen edhe plehrat e dëmshme, plehrat toksike.Pra një grusht njerëzish mund të pasurohen duke na sjellë mbetje toksike këtu pa pyetur fare për halllin e shqiptarëve”.
Klauzola që shoqëria civile do të ketë akses për të monitoruar futjen e mbetjeve në dogana, për Lubonjën është një tallje me qytetarët, dhe për këtë ka dhe argumenta.
Por edhe nëse gjithçka ndodh në përpikmëri me ligjin e miratuar për importin e mbetjeve, Lubonja vlerëson se kemi sërish ndotje.
Zoti Lubonja duket se ligji i mbetjeve nuk përfundoi me miratimin e tij, përkundrazi është ndezur më shumë. Nga njëra anë kemi opozitën që kundërshton fort, nga ana tjetër qeverinë e cila argumenton fort se nuk ka asnjë rrezik për shqiptarët dhe Shqipërinë nga importi i mbetjeve.Si i keni parë këto zhvillime? Kujtoj që nesër ka dhe një protestë të shoqërisë civile.
Lubonja: Unë nuk e shikoj siç thatë ju, sikur në një anë kemi mazhorancën dhe në anën tjetër kemi opozitën që e kundërshton. Përkundrazi e shikoj se mazhoranca dhe opozita thjesht kanë ndërruar rolet për ta aprovuar të njëjtin ligj le të themi dhe ky është problemi më i madh.Ajo protesta që pritet nesër ka një problem shumë të madh sepse është një protestë që në thelbin e vet nuk ka mbështetjen e opozitës sepse është opozita që e ka iniciuar këtë ligj. Kam shkruar një shkrim sot ku mendoj se përveç emocioneve të njerëzve dhe protestës që është goxha e rëndësishme, duhet një analizë shumë më e thellë dhe një debat shumë më i thellë lidhur me atë se çfarë qëndron mbrapa kësaj politike. Sepse në fund fare këto ligje janë vendosur nga politika por me “sponsorizimin” e atyre bizneseve që ne na rezultojnë 25 vjet gjithmonë, biznese që janë kundër interesit publik, interesit të shumicës shqiptare, për pakicën, për të pasuruar një grup njerëzish. Kështu janë duke filluar që nga piramidat financiare, ndërtimet e larta që shkatërrojnë bregdetin e deri tek kjo industri e mbetjeve siç e qujanë që përsëri është një industri në kundërshtim me interesin publik, interesin afatgjatë, në kundërshtim me atë që quhet ekonomi e qëndrueshme që sot në botë është shumë e rëndësishme. Atëherë, pse Shqipëria kthehet në një kosh plehrash nga këta lloj biznesmenësh që pastaj ndërrojnë rradhën me politikanët, mbështesin gjithmonë njëherë njërin, njëherë tjetrin, por fitojnë gjithmonë.Ky është debati i thellë që duhet të bëhet në Shqipëri dhe unë mendoj se një nga shkaqet kryesore është se krimi e ka kapur politikën shqiptare me kohë dhe ekonominë shqiptare. Është folur shumë për një vetting të gjyqtarëve, por normalisht ne kemi nevojë për një vetting të gjithë bizneseve dhe biznesmenëve që kanë bërë të tilla investime në Shqipëri, ku e kanë origjinën në emër të një reformë në ekonomi. Ne kemi nevojë për një ndryshim thelbësor, reformë jo thjesht në drejtësi, por reformë në ekonomi që të fillojmë të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, një ekonomi ku interesi privat është në përputhje me interesin publik. Jo kundër interesit publik.
Qeveria dhe Kryeministri kanë thënë se nuk do të vinë plehra, por mbetje dhe ka një diferencë siç thotë ai?
Lubonja: Ka disa anë të errëta, një anë është se pse gjithmonë kemi këto lloj biznesesh që kudo në botën e qytetëruar dhe botën ku duam të bëjmë pjesë shikohen me shumë dyshim për të mos thënë që refuzohen nga popullësia.Pse në Shqipëri ndodh vetëm kjo, pse biznesmenët shqiptarë nuk investojnë në agroturizëm, në bujqësi, në blegtori, në industrinë ushqimore, të gjitha ato industri që janë të shëndetshme por bëjnë gjithmonë shkatërrim të terrenit sepse kjo gjithësesi është një industri që pretendon të përpunojë mbetje që vinë nga Europa, ndërkohë që kemi të padiferencuara mbetjet tona. Pse nuk investohet në diferencimin e mbetjeve tona, pse nuk bëhet kjo dhe të digjen vetëm mbetjet tona apo të riciklohen në formë tjetër? Ana e dytë e errët që është akoma më problematike, është se ka shumë dyshime që këtu kemi të bëjmë dhe me interesa mafioze. Nëqoftëse Shqipëria u mbyt me kanabis pasi u pastrua Lazarati, këtu padyshim kemi pasur ndikimin e interesave mafioze që kanë kapur politikën. Ka mjaft mundësi që edhe në këtë rast të kemi të bëjmë me interesa në mos korruptive për të përfituar disa njerëz edhe mafioze për të futur bashkë me plehrat e padëmshme siç quhen edhe plehrat e dëmshme, plehrat toksike. Shqipëria nuk ka asnjë lloj mundësie dhe garancie. Unë dje, meqë jam në Itali, pashë një emision “Preza diretta” quhet në La Sette, një gazetare ka shkuar në një vend ku grumbullohen mbetjet metalike dhe aty e kanë nxjerrë me shqelma ata, e kanë dhunuar ata që kanë pranuar aty mbetje të paçertifikuara. Çdo mbetje kërkon një certifikim. Ajo shkoi t’u kërkojë çertifikatën dhe njerëzit e asaj fabrike, atij vendit ku mblidheshin dhe përpunoheshin këto mbetje e kanë marrë dhe i kanë thyer kamerat. Në Romë ishte fjala, në Romë mund të ndodhë që të mund të futen mbetje të paçertifikuara që nuk kanë dhe jo më në Shqipëri që është 14 herë më e rrezikuar që mafia të kalojë çdo lloj mbetje, ta fusë në Shqipëri me çmimet e mëdha që paguhen për këto lloj mbetjesh. Se ky është problemi. Pra një grusht njerëzish mund të pasurohen duke na sjellë mbetje toksike këtu pa pyetur fare për halllin e shqiptarëve.
Shoqëria civile do të ketë akses për monitorimin e tyre?
Lubonja: Sapo ta thashë, në Romë një gazetare e La Sette u nxor me shqelma nga shoqëria civile. Po të kujtoj që kur ne si shoqëri civile kërkuam të marrim pjesë në një dëgjesë që bënte Kryeministri për stadiumin “Qemal Stafa” që e shkatërroi duke shkelur të gjitha ligjet, na vuri bodigardët e pronarit të hotelit ku bëri mbledhjen dhe na nxori jashtë. Imagjinoni tani kur bëhet fjalë për një shoqëri civile që tenton të shkojë diku nga doganat e veriut, Durrësit apo Shkodrës, ku duan ti sjellin. Kjo është qesharake, kjo është thjesht për të mashtruar njerëzit gjoja me shoqërinë civile. Aq më tepër që dhe vetë shoqëria civile në Shqipëri ka problemet e saj, që shpesh herë dhe korruptohet.Kjo është një gjethe fiku krejtësisht transparente, që shoqëria civile mund ta bëjë këtë punë.Në mes të Tiranës, Kryeministri që kemi nxori jashtë shoqërinë civile.Dhe tani thotë do të shkojë shoqëria civile të kontrollojë kufijtë, në dogana ato kontenjerët e plehrave. Kjo është të tallesh me njerëzit.
Si e shikoni idenë e mbajtjes së një referendumi?
Lubonja: Referendumi është gjithmonë i mirë por do një përvojë, do një mbështetje të rëndësishme dhe mediatike. Unë mendoj që është e vështirë të organizohet një referendm në kushtet ku është e kapur media, opozita e cila thotë referendum, por deri dje e ka aprovuar vetë këtë ligj.Mendoj që referendumi do të jetë një gjë që do të shpërfillet nga politika. Duhet një lëvizje e fortë proteste që të mbahet gjallë, jo thjesht për plehrat, sigurisht plehrat mund të shërbejnë si një nxitje, por për të kërkuar ndryshimin e kësaj klase politike dhe vënien në diskutim të madh të gjithë kësaj elite ekonomike, e cila është e lidhur me këtë klasë politike që nuk po bën asgje përveçse po shkatërron vendin me gjoja investime.
Basha dhe Berisha kanë kërkuar ndjesë. Si e shikoni?
Lubonja: Kjo protestë që bën opozita gjithësesi është pozitive, edhe ndjesa që kërkon opozita është pozitive, por problem është se nuk mjafton një ndjesë. Ndjesa e opozitës duhet të ketë një dimension që të bëhet e besueshme, të mos ngelet në nivelet e retorikës. Përveç kësaj duhet një lëvizje e re që të vërë në dyshim gjithë këtë politikë dhe këtë opozitë që në një marrëveshje ndoshta nesër me një opozitë që ka bërë refletim mund të sjellë një ndryshim real. Përndryshe njerëzit e kanë shumë të vështirë ti besojnë kësaj opozite, është si puna e historisë së atij bariut që ka thirrur një herë, dy herë, tre herë, eja më ndihmoni se po më hanë kopenë ujqërit duke gënjyer, kur erdhën vërtetë ujqërit i hëngrën kopenë se nuk i besonte më njeri. Njerëzit e kanë ndjekur dy herë Sali Berishën dhe kanë pësuar zhgënjim. Edhe Lulzim Basha ka nevojë, nuk është çështje e një personi, nuk e kam çështjen vetëm me Berishën, e kam me të gjithë atë parti e cila ka shumë individë që në një mënyrë apo tjetër janë po ata njerëz, të lidhur me po ata biznesnemë që sot bëjnë industrinë e ricilikimit të mbetjeve, që kanë dorë në këtë sistem dhe janë pjesë e këtij sistemi që ka ngritur kjo klasë politike dhe ekonomike, një sistem që kërkon të grabisë sot ç’të mundet, të shfrytëzojë terrenin shqiptar si një terren për fitimin e vet. Gjashtë fabrika çimentoje nga Tirana në Lezhë janë ndërtuar në kohën e Berishës, çfarë janë ata? Janë 6×2, ose 6×3 biznesmenë, 18 veta që shkatërrojnë jetën e një komuniteti të tërë në këtë zonë dhe nuk duan t’ia dinë fare. Si do të bëhet ndjesa këtu?Tërë lumenjtë e Shqipërisë, hajde kapin aty gjejnë ndonjë investitor italian gjysëm mafioz hajde të bëjmë hidrocentrale, shkatërrojnë jetën e komunitetit, i marrin ujë një komuniteti të tërë.Kjo është thelbësore. Kështu është dhe industria e ndotjeve, do sjellë fitimin e 5 njerëzve apo 10 njerëzve që kanë kapur politikën në kurriz të ambjentit ku marrin frymë të gjithë shqiptarët. Kërkohet një shkundje shumë serioze dhe kjo opozitë nuk mund ta kalojë thjesht me një ndjesë sa për ta larë gojën, ka përgjegjësi të mëdha në këtë lloj sistemi ekonomiko-politiko-mediatik që kanë ngritur.
Largimi i Blushit nga PS?
Lubonja: Në mënyrë jo fort të organizuar ka shumë grupime brenda ose jashtë partive që e ndjejnë që duhet diçka të ndryshojë në këtë klasë politike, nuk mund të vazhdohet më kështu. Edhe populli e ndjen këtë. Ajo që bëri Blushi krijon dhe më shumë idenë se këto grupime duhet të bashkohen, të krijojnë një strategji që ka dy gjëra. Një lëvizje transversale që mund të ketë edhe të majtë dhe të djathtë, si quhen se nuk janë. Janë dy parti që përfaqësojnë oligarkët. Një lëvizje e gjithë të pakënaqurve do të ishte mirë të bashkohet, por këtu pastaj ka diferenca. Është mirë të bashkohen për shtetin ligjor. Ndoshta- ndoshta për rrezikun që paraqet kjo mazhorancë që e kanë quajtur putiniste që kërkon të kapë të gjithë ekonominë, mediat dhe të kontrollojë me trafikun e drogës shoqërinë, mund të bashkohen me një opozitë që është PD, duke i imponuar ndryshime serioze sa i përket dhe të kaluarës së saj. Përndryshe, do kisha menduar që Blushi mundet të kishte një rezultat më efikas brenda asaj partie, të mundet që vetë kjo parti të ndjente nevojën e një ndryshimi të saj për të mos u deligjitimuar plotësisht. /Ora News/