Nga Edlira Gjoni
Mirë që për shumë gjëra na e paska fajin politika. Po dhe për të gjitha, JO. Në qëndrimin e fundit në mëmëdhëmbje, disa nga pakënaqësitë më të mëdha më lindën nga njerëzit, jo nga qeveria. Ortek në rritje për çfarë nuk shkon mes më të thjeshtëve:
1- Shqipëria është e ftohtë, e pistë, kaotike, e zhurmshme dhe gropë e tmerrshme thithëse parash. Kështu e bëjnë njerëzit brenda saj.
2- Ushqimet tona janë bajate. Restorantet flas. O janë të shtrenjta e me tangërllëk të madh. O janë të thjeshta e të ngecin në fyt. Jashtë Tiranës, restorantet janë si magazina lopësh, të mëdha, të ftohtë, të mobiluar pa pikë shije, me tavolina gjigande e karrike të shëmtuara. Ushqimi “special” është vetëm mishi gjithë yndyrë, që shpesh të vjen sade në pjatën e bardhë, I pa-zbukuruar apo shoqëruar me asnjë patate furre me pak rozmarinë sipër. Apo me ndonjë perime të zier. Larg qoftë. Këto vijnë mënjanë, me çmime më vete, në përgjithësi po aq shtrenjtë sa mishi.
Nuk dua të fokusohem tek shërbimi këtë radhë. Ama kuzhina në gatim dhe arkitektura në mjedis, janë mjerane dhe armiqësore. Nëse dini ndonjë restorant të vogël, të këndshëm, të ngrohtë, me tavolina të vogla e karrike të ulëta e të rehatshme për një njeri, me nga një lule të freskët në çdo tavolinë ku ka edhe mbulesë të ëmbël bezeje me ngjyra të lehta, ju lutem më thoni.
Ah, të ketë edhe një tabelë te dera ku shënon menunë e ditës me shkumës. E kjo të jetë e thjeshtë fare, por e bukur shqiptare, me tavë patatesh, byrekë të furrës, patëllxhane të mbushur, tavë të ngrohtë kosi, dy-tre lloje petullash, tavë perimesh, mish vici me copa të vogla shoqëruar në pjatë me oriz apo perime të furrës (apo të ziera).
Dhe ujë shqiptar që nuk kushton 250 lekë shishja. Ah, mos më thoni të zakonshmet që janë në Tiranë. Nuk janë më tradicionale dhe nuk janë miqësore. Etja për para i ka tjetërsuar.
3- Në shumë lokale në Shqipëri, po veçanërisht në jug e juglindje, dëgjon muzikë greke në sfond. Ndonjëherë është e bukur (jo për mua domosdoshmërisht). Por pyes veten, si vizitore e shpeshtë e fqinjëve: pse në lokalet dhe restorantet e atyre nuk kam dëgjuar kurrë këngë shqip?
E më absurdja, në një dyqan në veri dëgjova edhe këngë serbe. Po si nuk kanë shans veshët të më zënë as gjuhë shqipe në Serbi, e jo më këngë shqip në mjediset e tyre publike? S’po flas për hitet që mund të kenë grekët apo serbët. Po kompleksi ynë i pozicionit ndaj tyre na vë në gjendje fort të cuditshme teksa i vëmë këngët e tyre më pare së shqiptaret në bare, restorante apo qendra tregtare.
4- Të udhëtosh nëpër Shqipëri është hall i madh edhe me mjetin tënd, e jo më me transport kpublic. Përpos të tjerave, për tualetet e kam fjalën. Duhet patjetër të ndalësh nëpër kafene e të pish edhe kur nuk të pihet, që të përdorësh tualetet. E këto, me përjashtime të rralla, janë një skandal e turp i madh për ne.
Së pari për të gjitha pikat e karburantit, baret e restorantet që janë buzë rruge në të katër cepat e vendit. Pastërtia e banjos tregon pastërtinë e vendit. Po ato pisllëkun e lenë thjesht të akumulohet. Ata që e bëjnë aq të ndyrë e të pa mendueshëm pisllëkun e banjove janë shqiptarët që hyjnë në to. Nuk kam parë vend më të pistë në këtë drejtim
E them me keqardhje dhe me ndot të madh. Nuk e kam idenë si i përdorin njerëzit këto banjo, apo c’mendojnë kur e lënë ashtu, si stallë derrash ku bashkohen gjithë jashtëqitjet, dhe shpesh me grumbull letrash higjenike e të duarve shpërndarë nëpër pllakat apo çimentot e ndotura në mënyrë të urryeshme.
5- Të njëjtën gjë vura re në tragetin më të ri që ka filluar udhëtimet nga Shqipëria drejt Italisë. Në të akoma janë tabelat në gjuhën daneze dhe është më i mirëmbajturi e më i pastri traget me të cilin udhëtojnë më në fund shqiptarët. Ama pa bërë akoma dy orë që kishte lënë portin, në banjot e tij, seksioni i femrave, duket sikur kishte rënë damllaja. Pisllëk, pakujdesi, ujë i derdhur gjithandej, letra të përhapura në dyshemenë e keqtrajtuar. Pse? Pse duhet të konfirmojmë stereotipet? Pse kjo sjellje e cuditshme e shqiptarëve me banjot?
6- Dhe më kujton episodet me të frikshme të kësaj natyre në banjot e fakulteteve, në godinat e studentëve, në cdo mjedis të përbashkët. Edhe në institucionet shtetërore. C’lidhje ka qeveria me pastërtinë? Pse dreqin nuk dimë të përdorim një banjo? Pse nuk dimë ta mbajmë pastërtinë?
7- Nga higjiena, te veshja. Kam kohë që pyes veten: pse burrat shqiptarë në qytete të vogla dhe ruralët që vijnë në qytet veshin gjithmonë një tip pantalloni, tip stof i lirë, me penca e xhepa pa lidhje, pantallona 10 mijë lekëshe që gjen në cdo treg e në cdo cep pallati?
8- Dhe pse gratë shqiptare të moshës së mesme kanë veshje klasike fundin deri te gjuri, stof, prerje drejt, me ndonjë të carë pas? Dhe e shoqërojnë përherë me bluzë deve? Dhe flokët i kanë kaq shpesh të prera shkurt e një model për jetë e mot?
9- Korrektesa. Vrasëse. Koncept që nuk njihet. “Do vij. Patjetër. Më ke aty”…”Do të lajmëroj menjëherë. Pa merak”…”Do shkojmë bashkë”….”Do nisemi nesër”… Fjali që nuk kanë asnjë domethënie apo rëndësi për ata që i thonë. Unë mendohem mirë para se të anulloj dicka për të cilën kam dhënë fjalën. Po pse shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e kanë më problem korrektesën? Mungesa e tij të bën gënjeshtar të përsëritur. Që është mëkat ta kemi si ves.
10- Më tremb mungesa e funskionalitetit në vend. Asgjë nuk është në funksion të plotë të asaj për të cilën është ndërtuar: as shtëpia, as mobiljes, as rrugët, as shërbimet, as sjelljet. Të gjitha duan arnuar. Ose shembur e krijuar nga e para.
E përvec se e ftohtë akull, armiqësore në ndërtim e infrastrukturë, jo-funksionale dhe e pistë, Shqipëria është edhe gropë e madhe thithëse parash, për të mbuluar të gjitha që mungojnë më sipër. Ja pra që edhe ku nuk hyn politika, Shqipëria është vrastare, sepse ashtu e bëjmë ne, frymorët që ndotim mbi të.