Ditën e parë të vitit akademik në Shqipëri, kanë mbetur ende mbi 9 mijë kuota të lira në universitete. Mijëra maturantë janë ende në ankth, nëse do të arrijnë të fitojnë një degë studimi, pavarësisht preferencës. Pikërisht këtë ditë ka gjetur ministrja Nikolla për të folur mbi aftësitë e vajzës së saj, që me nota të shkëlqyera ka fituar një bursë në Barcelonë dhe më pas masterin në Francë.
Gjatë bisedës në “Pasdite në Top Channel” Nikolla tha se vajza e saj Livia, tani është kthyer në Tiranë.
“Ka pasur shumë diskutime në media. Vajza ime ka studiuar në Shqipëri, nuk e ka bërë universitetin në Francë. Ka qenë një nxënëse dhe më pas studente ekselence, vetëm me nota dhjeta. Pasi përfundoi studimet fitoi një bursë për në Barcelonë dhe atëherë unë nuk isha ministre e Arsimit. Aty ajo doli një nga pesë studentët më të mirë dhe fitoi një master në Francë. Tashmë është kthyer dhe punon në Tiranë” tha zonja Ministre.
“Ndihem keq nga komentet në rrjetet sociale”, tha Nikolla duke iu referuar shkrimeve për të apo tekstet me probleme që publikohen në internet.
“Më kanë quajtur mëkatare”, vijoi ministrija e Arsimit kur shpjegoi debatet për maturën shtetërore.
“Një prind nga Vau i Dejës më çoi mesash dhe më tha vajza ime është me rezultate shumë të mira dhe ka mbetur pa universitet. I thashë zotëri, nëse vajza juaj është me rezultatet që thoni të jeni i sigurtë që sistemi do t’i garantojë të drejten e studimit në degën që kërkon. Më çoi mesazh para dy ditësh dhe më tha faleminderit! Kishit të drejtë! Vajza ime e fitoi shkollën”, tregoi Nikolla.