Letër nga Nositi
(Gjeniut të heshtur, Spiros)
Shumë herë kam menduar të të shkruaj një letër, një letër nga shpirti, me diell dhe më lotë, me dhimbje dhe gëzim. Duke mbyllur sytë dhe duke më folur zemra. Një letër që mban dashuri dhe sakrificë edhe në jetën e përtejme. Një letër mëmësie që përgjan me gjoksin e Nositit.
Me pak fjalë… me shumë zemër. Më përzjerje lotësh… Një Nosit që udhëton me gjoksin hapur vetëm për ty. Gjoksi im mban dashuri bir… Mban sakrifice. Mban dashurinë dhe kujdesin për ty. Mban emrin tënd!
Një letër që udhëton në lindjen dhe mbylljen e diellit.
I dashur Bir!
Dua të të tregoj se sa të dua.Të kam pritur si gëzim dhe ti je gëzimi im… Unë asnjëherë nuk jam mërzitur duke u lodhur me ty. Nuk jam mërzitur kurrë se ti ishe me autizëm.
Duke u lodhur për ty, kam kuptuar se çdo të thotë të jesh nënë. Duke u përpjekur për ty kam kuptuar se dashuria për fëmijët është më e madhërishmja më e forta, sfida e çdo kohe.Sfida e fatit.
Biri im, ti je ende fëmijë dhe unë mezi pres të të shoh çdo herë duke qeshur, të luash mes shokëve dhe të kalosh një fëmijëri të bukur.
Unë e dua shumë buzëqeshjen tënde! Buzëqeshja jote më vesh mua me dritë.Më bën të prek retë…, më bën të kuptoj se ti je fëmijë si gjithë të tjerët.
Kur të shoh të mërzitur, që ndonjëherë shokët e lagjes nuk të afrojnë, edhe kur te shohin që ti bën ndonjë gjest ashtu padashur më pikëllon shpirti.
I mbaj mend ato ditët e para kur kemi ardhur ne Tiranë. Mërzitjen, trishtimin, lotët dhe dëshpërimin se ti ti ishe fëmijë autik.
Kam ardhur për ty…Kam braktisur gjithçka vetëm për ty! Asnjëherë nuk jam mërzitur me ato që lashë pas,as me fatin.
Bir…! Shpirt!Drita ime!
Ti nuk je autik!!! “Autikë” jemi ne, shoqëria jonë patriarkale, parlamentarët, drejtuesit, njerëzit e ardhur rishtazi në metropol.
Po, po ne jemi autikë! Këta njerëz që nuk e shohin dhe nuk e kuptojnë që ti je një ëngjëll. Nuk i bie më qafë askujt. Nuk ngacmon askënd. Edhe kur të shtyjnë, ti hap rrugë. Ti luan ndonjëherë me gjestet e tua fëmijërore dhe kjo nuk i bën dëm askujt.
Je tolerant. Je fëmijë i mbarë dhe unë jam e lumtur për këtë. Më mbushet syri me lotë, ku të shoh të trishtuar. Ti bir je i ëmbël! Je i mirë! Ti bir je një gjeni!
Ti di saktësisht, kampionatet botërore të futbollit, Evropiane, emrat e futbollistëve, medaljet e fituara ndër vite, datëlindjet e futbollistëve.
Shkruan shumë bukur, ke dalë me rezultate të mira në mësime di shumë gjëra të tjera:Ti bir je një gjeni i heshtur!
Biri im, e kemi nisur rrugën e së ardhmes tënde bashkë. Do të të ndjek kudo. Do të bëhem shqiponjë për të fluturuar mbi kokën tënde. Do të jem mburoja jote! Nuk do të të lë vetëm asnjë moment. Kam një dashuri të madhe për ty dhe për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta.
Nëna, prindër, njerëz të mirë, mësojini fëmijët të duan ..të duan, sepse nesër, mund të keni ju në familje fis, gjak një fëmijë me nevoja të veçanta!
Po,mund t`u ndodhi! Fati nuk ka preferenca…
Bir! Unë e di në që Shqipëri fëmijët si ty e kanë të vështirë përshtatjen,por asgjë nuk është e pamundur!
Të kam mësuar shumë gjëra do të mësoj akoma. Mos ma hiq kurrë kokën nga kraharori,unë jam bota, mbështetja, dashuria. Mos ma hiq kurrë dorën! Bashkë do të ecim në kohë…
Unë jam nëna që kam nxjerr nga autizmi djalin tim,me shumë përkushtim dhe dashuri!
Unë jam Nositi!
Duaj ,mbështet edhe ti…
Nga Anila Kruti/Perqasje.com