Nga Kasem Seferi
Politika tatimore nuk duhet ta privojë individin e atij vendi përsa i përket lirisë që kërkohet për të ndjekur fitimin në çdo fushë të prodhimit/shërbimit, ose më saktë të tregtisë, duke e rënduar atë me anë të një barre të rëndë tatimore, si dhe duke i lënë punëmarrësit “të ndihen një çikë më mirë se sa bletët në një koshere të madhe”.
Këta tre vjet (2013 – 2016) dëshmuan qartë se tatimet patën një rëndësi të veçantë në lidhje me ndikimin e tyre mbi vendimet e biznesit, veçanërisht, në lidhje me krijimin e vendeve të punës, vendndodhjen e biznesit, konkurrueshmërinë dhe sidomos përsa i përket transparencës së sistemit tatimor, ashtu si edhe me shëndetin afatgjatë të ekonomisë së vendit.
Me pak fjalë: në mënyrë shumë të ndikueshme tatimet i zvogëluan fitimet për arsye se tatimet i morën biznesit pjesën më të madhe të fitimeve në krahasim me atë kosto që kalon te konsumatori (nëpërmjet një çmimi më të lartë), te punëmarrësi (nëpërmjet një page më të ulët, ose në më pak vende pune), ose te aksionerët (nëpërmjet një dividenti më të ulët, ose të një vlere më të ulët të aksionit).
Pra, sikundër mund të kuptohet fare qartë edhe nga një gjyshe, përfundimi është: një vend me barrë më të ulët tatimore do të ishte më tërheqës (joshës) për investim nga biznesi (vendas dhe ai i huaj) dhe do të kishte më shumë gjasa që të përjetonte atë rritje ekonomike që dëshirohet (dhe jo ashtu sikundër premtohet rëndom në fushatat zgjedhore).
Një vend që inkurajon sipërmarrjen mund dhe duhet të marrë përparësinë e rritjes ekonomike në raport me fqinjët e tij, sepse bizneset kanë prirjen të largohen nga ato vende ku barra tatimore është e lartë. Në debatet në lidhje me zgjedhjen që duhet të bëjë biznesi ndërmjet një sistemi tatimor progresiv dhe atij të sheshtë, ekspertët kanë argumentuar me fakte se të tatuarit progresiv, në mënyrë të natyrshme, i dekurajon njerëzit nga të punuarit më fort dhe nga të qenit më të suksesshëm, për arsye se me anë të shkallëzimit progresiv të tatimit, përfitimet monetare shtesë do të pakësohen nga tatime më të lartë dhe, në njëfarë pike, njerëzit vijnë në përfundimin se të bësh më shumë para nuk ka vlerë për arsye të përqindjeve më të larta tatimore.
Me pak fjalë: mundi dhe sakrifica e tyre shkon në favor të qeverisë dhe justifikimi se këto para shkojnë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, nxit dembelizmin dhe mashtrimin. Koha vërtetoi se në krahasim me tatimin e sheshtë, tatimi progresiv u dha tatimpaguesve më shumë se një nxitës për të mos paguar tatimet; thjesht, për shkak të shkallëve tatimore, për arsye se me përqindje tatimore më të larta, njerëzit kanë një prirje të natyrshme më të madhe për të mos paguar tatime me qëllim që të kursejnë para.
Natyrshëm, në një sistem tatimor progresiv administrimi tatimor është më kompleks dhe më i vështirë, veçanërisht, kur plotësimi i kërkesave të legjislacionit tatimor bëhet duke përdorur masa shtrënguese, për arsye se ligjet dhe rregullat e domosdoshme janë më komplekse se sa ato të përqindjes së thjeshtë tatimore, gjë që tregoi në këta tre vjet se u konsumua më shumë kohë për mbajtjen e kontabilitetit, regjistrimeve, llogaritjeve për bizneset dhe individët në lidhje me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor, gjë që do të thotë se ishte më i kushtueshëm.
Përveç këtyre argumenteve, qeveria në reformën e saj tatimore nuk mori ashtu siç duhet në konsideratë reformën që duhej të shoqëronte administrimin e tatimeve, sepse që nga koha që administrata tatimore u mbush me militantë (sidomos në nivelin e lartë të menaxhimit), natyrisht, do të ishte e vështirë të arriheshin objektivat e reformës. Për këtë arsye reforma e administrimit të tatimeve nuk e arriti adaptimin e një strukture organizative dhe gjetjen e metodave tatimore, proçedurave administrative efektive dhe efiçente, që t’ia bënin të mundur që administrimi i tatimeve të arrinte shkallën më të lartë të mundshme të plotësimit, me mirëkuptim, të kërkesave të legjislacionit nga tatimpaguesi.
Arsyeja është e thjeshtë: administratës tatimore i mungojnë burimet në përputhje me kërkesat e kohës për të funksionuar në mënyrë efiçente, ndërkohë që pjesa më e madhe e tatimpaguesve ka kapacitet të kufizuar për të mbajtur llogari dhe kjo ka bërë që bizneset të kundërshtojnë sepse ata e identifikuan shpejt faktin që ishin të mbitatuar dhe kjo krijoi nxitës për evazion tatimor dhe korrupsion.
Që reforma tatimore të ishte e suksesshme kërkonte ndërmjet të tjerave plotësimin e dy kushteve: angazhimin politik dhe një staf të devotshëm dhe të trajnuar; gjithashtu e rëndësishme ishte gjetja e nxitësve të përshtatshëm për tatimpaguesit dhe administratorët tatimorë, nxitës këto që duhet të shoqëroheshin me masa që të minimizonin koston e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe të vendosnin proçedura për zbulimin e shkeljeve dhe listimin e ndëshkimeve të përshtatshme. Në kontekstin e mësipërm reforma duhej të inkurajonte formalizimin nëpërmjet thjeshtësisë (plus qartësinë) dhe barrëve të ulta tatimore, të inkurajonte rritjen ekonomike nëpërmjet barrëve të ulta tatimore dhe të mos kishte antinxitës, të përmirësonte zbatimin e legjislacionit tatimor nëpërmjet thjeshtësisë (plus aftësinë për të mësuar kontabilitetin) dhe stabilitetin e legjislacionit dhe jo ndryshimet e shpeshta të tij.
Stabiliteti është një qëllim madhor i reformës, pasi paqendrueshmëria e regjimeve tatimore është ankesa më e madhe dhe problemi kryesor për bizneset; regjimi tatimor po e vazhdon ndryshimin dhe një gjë e tillë e ka bërë të pamundur bërjen planeve afatmesme dhe afatgjatë nga ana e bizneseve, të cilat në vetvete priren ta pengojnë investimin; fatkeqësisht, regjimet e tatimit për biznesin e vogël kanë qenë mjaft të paqendrueshëm dhe kjo ka bërë të mundur që bizneset të adaptohen dhe të gjejnë mënyra për të abuzuar me sistemin dhe me kalimin e kohës konfliktet dhe evazioni janë përkeqësuar, sepse përdorimi i shpeshtë i masave shtrënguese (mjafton të kujtojmë fjalën “aksion” që ka një ngjyrim negative tek qytetarët) e ka ndryshuar dhe e ka çuar regjimin në një tërësi të re konfliktesh.
Në qoftë se objektivi i reformës tatimore do të ishte administrimi i qendrueshëm dhe efiçent, atëhere struktura e të gjitha tatimeve përveç elementëve të përbashkët duhej të përmbante: përqindje të ulta, pak përqindje nominale, një bazë të gjërë, pak përjashtime, pak nxitës, pak mbipagesa, pak masa të përkohëshme dhe të kishte udhëzime të qarta dhe të gjitha këto për arsye se struktura tatimore e nxit më mirë administrimin e tatimeve. Ndikimi i politikës tatimore mbi administrimin tatimor në një vend me ekonomi që duket sikur rri në një tranzicion të pafund kërkonte që sfida e administrimit tatimor të përballohej me anë të një partnershipi të ngushtë me komunitetin e biznesit, sepse sistemi tatimor pasqyrohet në ndërveprimet e palëve dhe treguesi më i rëndësishëm për të vlerësuar (dhe matur) efektivitetin e sistemit tatimor dhe administrimin e tij është cilësia e këtyre ndërveprimeve.
Pra, proçesi me anë të cilit një qeveri përzgjidhet, monitorohet dhe zevendësohet kërkon përgjegjshmëri, që mat proçesin politik, të drejtat politike, si dhe stabilitet politik dhe mungesën e dhunës, që masin perceptimet e gjasës nëse qeveria do të stabilizohet ose rrëzohet. Kapaciteti i qeverisë për të formuluar dhe vënë në jetë në mënyrë efektive politika të shëndosha kërkon efektivitet të qeverisjes (në furnizimin e qytetarëve me të mira publike) dhe cilësi rregullatore (ose barrën që u vendos qeveria qytetarëve).
Së fundi, por jo nga rëndësia, respekti për qytetarët dhe shtetin në lidhje me institucionet që qeverisin ndërveprimet ekonomike dhe shoqërore (sundimi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit). Në përfundim, morali tatimor i qytetarëve shqiptar dhe i bizneseve në Shqipëri nuk mund të jetë i shkëputur, ose ndryshe nga morali i politikanëve dhe i zyrtarëve qeverisës. Dhe për këtë ia vlen të kujtojmë thënien latine: “Ignorantia non est argumentum.” – “Padija nuk është argument,”…