Home KRYESORE 67 Vjet Pa Mid’hat Adbyl Frashërin

67 Vjet Pa Mid’hat Adbyl Frashërin

Nga PhD Ilir Hysa USA

3 Tetor 1949 – 3 Tetor 2016: U bënë plot 67 vjet nga dita kur ndali së rrahuri në Nju Jork zemra e MID’HAT ABDYL FRASHËRIT.

Mid’hat Frashëri (25 Mars 1880 – 3 Tetor 1949) shkriu jetën për atdheun e tij dhe tonin, Shqipërinë dhe ka lënë pas një trashëgimi të pasur e shumëdimensionale, e cila do ti shërbejë brezave.

Në ngjarjet më madhore të kombit tonë konstatohet pjesёmarrja dhe ёshtё lёnё vula e patriotit, djalit tё Frashёrit tё Pёrmetit, birit tё Abdylit dhe nipit tё Naimit e Samiut, Mid’hat Frashёrit. Vula e tij gjendet gjithandej, në çdo udhëkryq të historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë.

Gjurmët e veprës së tij shtrihen në hapësirë dhe kohë, nga pjesëmarrja dhe zgjedhja Kryetar në Kongresin e Manastirit tek akti i Pavarësisë dhe zgjedhja Ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit; nga Konferenca e Paqes dhe lobimi në kryeqytetet europiane në 1919 tek detyra e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe avokatia e tij e zjarrtë për Çamërinë; nga “Kalendari Kombiar” tek botimi i revistës “Diturija”; nga kontributi tek “Albania” e Faik Konicës tek themelimi i librarisë “Lumo Skëndo”; nga themelimi i Partisë Balli Kombëtar tek mbrojtja e Kosovës në Mukje në Gusht 1943; nga themelimi i Ballit Kombëtar Demokrat në mërgim tek krijimi i Komitetit Kombëtar “Shqipnia e Lirë”; nga biografia kushtuar ungjit të tij Naim Frashëri tek artikujt, pamfletet e librat në të cilat hidhet dritë mbi shqiptarët. Këto janë vetëm disa nga kontributet politike, atdhetare dhe letrare të njërit nga firmëtarët e pavarësisë, të pinjollit të Frashërllinjve, birit të Janinës shqiptare.

Testamenti i Mid’hat Frashёrit pёr ti lënё shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranё, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë, ёshtё dёshmia mё e qartё e njё zemre e cila rrihte pareshtur pёr atdhe. Ajo ёshtё dёshmi e njё zemre qё jo vetёm mori pjesё me zell dhe pёrkushtim nё ҫdo ngjarje madhore tё atёhershme tё Shqipёrisё, por edhe dёshmi e njё zemre qё shqetёsohej pёr fatin e mёmёdheut pas ndarjes sё tij nga jeta.

Regjimi komunist u mundua t’a përdhosë figurën e tij por vepra e Mid’hat Frashërit është më e madhe se çdo diktator dhe diktaturë. Harresa gjatë tranzicionit të pafund provon se shoqëria jonë nuk është çliruar nga vargonjtë e së kaluarës komuniste dhe se kontributet prej kollosi të Mid’hat Frashёrit meritojnë më shumë vëmendje institucionale e shtetërore. Mosmirënjohja ndaj Mid’hat Frashërit tregon se ne jemi shndërruar në një shoqëri të frikshme, njё shoqёri e zhveshur nga vlerat universale, tё cilat bazohen nё bindjen se ata qё shkrijnё jetёn pёr atdheun meritojnё nderim dhe mbeten të pavdekshëm nё memorjen kolektive tё shoqёrisё. Ata, së paku, meritojnë një varr në dheun që deshën aq shumë dhe jo të mbeten në dhé të huaj.

***

Zemra e Mid’hat Frashërit ndali në Winthrop Hotel, 351 Lexington Avenue, New York, NY dhe ai u varros në Ferncliff Cemetery, 280 Secor Road, Hartsdale, NY 10530.

Sipas dokumentacionit të varrezave Ferncliff Cemetery, eshtrat e Mid’hat Frashërit gjenden në Parcelën LUKE, ndarja 1069, ndërsa amanetin i tij për tu kthyer në atdhe i paplotësuar.

Shërbimi funeral u krye në 9 Tetor 1949, gjashtë ditë pas vdekjes. Gjithmonë sipas dokumentit të shërbimit funeral, varrimi i Mid’hat Frashërit identifikohet me numrin e shërbimit 19991.

ilir hysaPhD Ilir Hysa
USA

Share: