Home KRYESORE Përse po çregjistrohen bizneset?

Përse po çregjistrohen bizneset?

Nga Kasem Seferi – ekonomist

Në një nga shkrimet e Revistës Monitor të ditëve të fundit, jepej një pasqyrë e qartë e arsyeve përse bizneset (në pjesën më të madhe të numrit të tyre biznesi i vogël) po përjeton një krizë të rrallë të mbijetesës rezultat i një reforme tatimore të pastudjuar si dhe, kryesisht, për arsye të mungesës së integritetit të administratës tatimore, ose më saktë paqëndrueshmërisë së veprimeve të saj, mungesës së vlerave, përdorimit të metodave të gabuara dhe tejet të konsumuara, masave shtrënguese të panevojshme, shkeljes së së të drejtave të tatimpaguesit dhe pritshmërive të pallogaritura mirë.

Në botë perëndimore ku duam të bëjmë nuk janë shifrat në lidhje me paratë e mbledhura, por respekti dhe besimi i tatimpaguesit te administrata tatimore që tregojnë për suksesin e një reforme tatimore; ndërkohë që, më së pari dhe më së shumti, përgjegjësia për parandalimin e rënies së nivelit të integritetit dhe korrupsionit në administratën tatimore qendron te drejtori i përgjithshëm i administratës tatimore dhe te stafi ekzekutiv i menaxhimit të saj, të cilët në këta tre vjet nuk kanë demonstruar nivel të lartë të integritetit dhe të angazhimit që lufta kundër korrupsionit të fillonte dhe të vazhdonte për një kohë të gjatë.

Menaxherët ekzekutivë dhe mbikqyrësit nuk adoptuan rolin e një lidershipi profesional por imituan një lidërship autoritarist (deri aty sa Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk i përgjigjej në telefon Ministrit të Finanacve), si dhe nuk pranuan një nivel të përshtatshëm të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë për ta ngritur në një nivel më të lartë integritetin në të gjithë aspektet e punës së administratës tatimore; duke mos demonstruar gjithashtu një fokus të qartë dhe joekuivok mbi integritetin, pa harruar faktin se individualisht nuk u panë si shembuj të qendrueshëm në përputhje me Kodin e Sjelljes.

Nga ana tjetër, legjislacioni tatimor, rregullat, udhërrëfyesit administrativë dhe proçedurat nuk u harmonizuan dhe as që u thjeshtuan në shkallën më të madhe të mundshme me qëllim që formalitetet e administratës tatimore të mund të proçedonin pa barrë të panevojshme, proçes ky që përfshin adoptimin e konventave ndërkombëtare, standarteve dhe instrumenteve të tjerë. Ndërkohë që praktikat duheshin rishikuar dhe rizhvilluar për të eleminuar “vendet e ngushtë” dhe dublimin e panevojshëm, sistemet dhe proçedurat të ishin në pajtim me konventat ndërkombëtare të miratuara, me standartet, si dhe me parimet përgjithësisht të pranuara të kontabilitetit.

Nga ana tjetër në marrëdhëniet e tyre me administratën tatimore, tatimpaguesit pritën një shkallë të lartë të sigurisë dhe parashikueshmërisë; pra, tatimpaguesve u duhej bërë publikisht i njohur legjislacioni tatimor, rregullat dhe proçedurat dhe udhërrëfyesit administrativë, që ato të zbatoheshin lehtësisht, në mënyrë uniforme dhe të qendrueshme (shembulli më i keq mbetet ligji i ri për TVSH – në, konkretisht udhëzimi i Ministrit të Financave – data e hyrjes në fuqi është dëshmi e gjallë e këtij fakti domethënës).

Baza mbi të cilën ushtrohen fuqitë e maturisë së zyrtarit tatimor (ose interpretimi i ligjit sipas humorit dhe njohurive të këtij të fundit) nuk u përkufizuan, rishikimi dhe ankimi administrativ për të siguruar një mekanizëm që tatimpaguesit ta sfidonte ose të kërkonte nga administrata tatimore rishikimin e vendimeve, praktikave dhe veprimeve të tjerë administrativë, mbajti qëndrim të prirur për të mbrojtur vendimet e organit tatimor, madje edhe në rastet kur administrata tatimore e kishte shkelur me të dyja këmbët kartën e shërbimit për tatimpaguesit, ose standartet e performancës që vendosin nivelin e shërbimit që parashikohet nga tatimpaguesit, veçanërisht, sikundër parashikohet nga neni 32 dhe nenet e tjerë që pasojnë të ligjit Nr. 9920, të vitit 2008, i amenduar “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu automatizimi ose kompjuterizimi i funksioneve të administratës tatimore nuk arriti të përmirësojë efiçencën dhe efektivitetin (mjaftojnë rastet e gjobave të nxjerra nga sistemi jo për faj të tatimpaguesve), dhe për më tej as që bëhet fjalë për heqjen e mundësisë për korrupsion; automatizimi nuk e rriti gjithashtu nivelin e përgjegjshmërisë dhe as që ka siguruar gjurmë kontrolli për monitorimin dhe rishikimin e vendimeve administrative dhe të ushtrimit të maturisë së zyrtarit tatimor, për arsye se sistemet e automatizimit nuk u konfiguruan në atë mënyrë përsa i përket minimizimit të mundësisë për ushtrimin e maturisë së papërshtatshtme të zyrtarëve në kontaktin ballë për ballë ndërmjet personelit dhe tatimpaguesve ndërkohë që konfigurimi duhet të lejonte gjenerimin e mesazheve të alarmit të sigurisë për operime të përjashtuara në sistem.

Në mënyrë tipike rastet korrupstive janë ndeshur në situata që krijon përdorimi i praktikave të vjetëruara dhe joefiçente (aksionet), duke i shtyrë tatimpaguesit të përdornin nxitës për të shmangur proçedurat e ngadalta ose të ngarkuara me anë të ofrimit të mitës dhe pagimit të kuotave lehtësuese, arsye kjo përse administrata tatimore duhej të reformonte dhe modernizonte sistemet e saj, po ashtu dhe proçedurat për të eleminuar avantazhet e perceptuara që mund të fitoheshin nëpërmjet kërkesave që shmangin kërkesat zyrtare; nismat duhet të ishin të përgjithshme në natyrën e tyre dhe fokusi të ishte në të gjithë aspektet e operimeve dhe performancës së administratës tatimore, si dhe të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Parandalimi dhe kontrolli i korrupsionit në administratën tatimore nuk u shoqërua me vënien në jetë të një radhe mekanizmash të përshtatshëm monitorimi dhe kontrolli të tillë si: programet e verifikimeve të brendshme, regjimet e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, investigimi dhe përndjekja dhe të tillë regjime duhej të godisnin një balancë të arsyeshme ndërmjet strategjive pozitive për të inkurajuar nivelet e lartë të integritetit dhe strategjive ndëshkuese që duheshin projektuar për të identifikuar rastet e korrupsionit dhe për të displinuar ose përndjekur personelin e përfshirë në veprime korruptive; personeli i administratës tatimore, tatimpaguesit dhe publiku në përgjithësi duhet të inkurajoheshin për ta denoncuar korruspionin, veprimin joetik, ose të paligjshëm dhe një informacion i tillë i siguruar duhet të investigohet shpejt nëpërmjet mënyrës së menjëhershme pa harruar të mbrohen burimet e informacionit.

Një element kyç në çdo program efektiv integriteti është zhvillimi, çështja dhe pranimi i një kodi të përgjithshëm sjellje, që vendos në terma shumë praktikë dhe jo të dykuptimtë sjelljen, e parashikuar për të gjithë personelin e administratës tatimore; dënimet për mospërmbushje duhej të artikuloheshin në ligjin e proçedurave tatimore, të kalibruar për t’iu përgjigjur seriozitetit të shkeljes dhe të mbështetur nga kushte të përshtatshme administrative dhe legjislative, për arsye se rastet e korrupsionit që zbulohen meritojnë të publikohen për të siguruar që stafi të jetë i vetëdijshëm në lidhje me angazhimin e administratës tatimore për t’u marrë me çështjet e integritetit.

Vënia në jetë e politikave të shëndosha të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe proçedurave luan një rol madhor në luftën kundër korrupsionit, për arsye se praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore, të vërtetuara si të dobishme në kontrollin ose eleminimin e korrupsionit në administratën tatimore përfshijnë: jo vetëm sigurimin e një page të mjaftueshme dhe shpërblimet, por dhe kushte të tjerë që zyrtarët tatimorë të ruajnë një standart të pranueshëm jetese si: rekrutimi dhe mbajtja e personelit që ka të ngjarë të mbajë standarte të lartë të integritetit; sigurimin e përzgjedhjes së stafit dhe proçedurave të promovimit që sigurojnë barazi të mundësisë dhe janë të lirë prej animit ose favorizimit, si dhe bazohen mbi parimin e meritës; sigurimin që vendimet në zhvendosjen, rotacionin dhe rivendosjen e stafit të marrin në konsideratë nevojën për të hequr mundësitë për zyrtarët që mbajnë pozicione të sikletshme për periudha të gjata kohe; sigurimin e trajnimit në përputhje me kërkesat e kohës dhe zhvillimit profesional të personelit të administratës tatimore mbi rekrutimin dhe nëpërmjet karierës së tyre për të promovuar vazhdimisht dhe përforcuar rëndësinë e ruajtjes së standarteve të lartë profesional dhe të etikës; vënien në jetë të sistemeve të përshtatshëm të vlerësimit dhe menaxhimit, që përforcojnë praktikat e shëndosha dhe që forcojnë nivelet e lartë të integritetit personal dhe profesional. Por këto kërkesa u zevendësuan nga praktika e rekrutimit të militantëve partiakë.

Dhe pikërisht korrupsioni, në pjesën më madhe të administratës tatimore, ka ndodhur pikërisht atje ku morali ishte dhe mbetet i ulët dhe atje ku personeli nuk e gëzon krenarinë e reputacionit që duhet të ketë një administratë tatimore, për arsye se personeli që të veprojë me integritet kërkon që morali të jetë i lartë. Atje ku praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore janë të padrejta, si dhe atje ku nuk ka mundësi të arsyeshme për zhvillim të karierës dhe për progres, krijojnë të gjithë kushtet që personeli të mospërfshihet në mënyrë aktive në programin antikorrupsion dhe të mosinkurajohet të pranojë një nivel të përshtatshëm të përgjegjësisë për integritetin e administratës tatimore.

Administrata tatimore nuk u prir drejt marrëdhënieve të hapura, transparente dhe produktive me sektorin privat dhe, për këtë qëllim nuk i inkurajoji grupet e tatimpaguesve, shoqatat përfaqësuese të tyre si dhe të tjerë të interesuar që të pranojnë një nivel të përshtatshëm përgjegjësie dhe përgjegjshmërie në lidhje me problemet e integritetit, për identifikimin dhe vënien në jetë të zgjidhjeve praktike. Disa herë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kanë kërkuar marrëdhënie më të hapura dhe një nivel transparence më të mirë, por pothuajse janë shpërfillur.

Shërbimet për tatimpaguesin, që kanë dekada që kanë marrë përparësi në vendet e perëndimit, kanë katandisur në dhënien e vërtetimeve të rëndomta.

Share: