Nga Mentor Kikia
Një gjë është e sigurtë tashmë. Klima po bëhet armiku më i madh i njerëzimit. Moti është bërë kaq i paparashikueshëm, sa po zhvlerëson shpesh edhe meteorologjinë më të përparuar. Brenda pak orësh diku bien reshjet e një viti të tërë dhe për dëmet nuk ka nevojë për komente.
Ne në Shqipëri, jemi ndër ata vende që tashmë jemi dënuar ta përjetojmë në mënyrë dramatike këtë situatë. Ajo që ndodhi mbrëmë në Laç e Mirditë ishte një dëshmi e vogël. Gjatë këtij çerek shekulli, ne kemi kontribuar shumë që pasojat e ndryshimeve të klimës të jenë sa më të rënda.
Shpyllëzuam si barbarë, dhe tani duhet të vuajmë rrëshqitjet masive të dherave që dëmtojnë fshatra, rrugë e qytete. Shkatërruam lumenjtë, si të ishim pushtues këtu, dhe tani vuajmë përmbytjet katastrofike disa herë në vit.
Shkatërruam sistemin e kanaleve kulluese, një punë gjigande e një gjenerate të tërë, dhe tashmë mijëra hektarë tokë shndërrohen në këneta.
Shikoni se ç’ndodh sot në Haiti. Një vend dikur i pyllëzuar, që u shpyllëzua me barbarizëm. Sot hidhen ushqime nga ajri për të shpëtuar njerëzit nga uria, pasi çdo valë shiu shkakton katastrofa.
Por nuk ndalemi. Vazhdojmë të shkatërrojmë. Niveli i deteve rritet, ndërsa ne vazhdojmë të ndërtojmë sa më pranë vijës së ujit. Shkenca bërtet duke thënë se deri në vitin 2030 niveli i deteve pritet të rritet me rreth 50 cm, por ne ndërtojmë pallate, hotele e fshtara turistikë aty, mu në rërë.
Jetojmë në një epokë ndryshe nga 100 vjet më parë, edhe nga 50 vjet më parë. Duhet të mendojmë si të bashkëjetojme me një klimë tjetër, më agresive e armiqësore. Duhet të mendojmë si ti bëjmë ballë kushteve të reja të natyrës për të mbijetuar. Duhet të vendosim se ku duhet të ndërtojmë e ku jo. Te mbjellim pyje, me urgjence….
Por ne e sfidojmë natyrën. E sfidojmë nga babëzia e momentit, nga babëzia e atyre që qeverisin, e sipërmarrësve, e çdo njëri që jeton dhe ecën në këtë tokë.
Pas pak dekadash do të jetë vonë që të mendojmë. Atëherë thjeshtë do të vuajmë e do të braktisim shumë prej zonave që sot po i pushtojmë pa pyetur për asgjë.