NGA ARTAN FUGA*
Preç Zogajn e kam mik me vlerë, dhe jo vetëm sepse e kemi të vjetër këtë miqësi, por edhe sepse ndajmë shumë frymëzime të përbashkëta intelektuale qysh qëmoti. Prandaj i kërkoj leje me shumë përulje që ta interpretoj ndryshe një fotografi që ai shpjegonte te “Panorama”. Është fjala për fotografinë ku kryeministri Rama, në kafenë e Kuvendit, është ulur me tre deputetë opozitarë demokratë dhe bisedon me ta për shtatë palë qejfe. Madje edhe duke tymos njeri prej tyre një cingar… Pasi doli fotoja, si duket, në rrjetet sociale ka pasur ndonjë pakënaqësi nga militantë ose qytetarë me prirje demokrate, të cilave, deputetët në fjalë iu përgjigjën se ata janë të lirë, se publiku duhet të emancipohet, se ata nuk po bënin ndonjë të keqe veçse po vazhdonin debatin parlamentar në kafe, dhe se audiencat ishin paksa dogmatike…
Unë nuk jam nga ata që konsideroj se po të ulem me dikë në tavolinë kafeneje medoemos e kam mik, ose medoemos kam të njëjtat bindje ose opinione si ai. Më tepër, nuk gjykoj të tjerët, aq më pak deputetët, le të rrinë bashkë në kafenera, le të bëjnë madje biznese bashkë, edhe seks madje, veç le të jenë me gjini të kundërta, se këto janë shijet e mia. Por, rasti, fotoja, duhen analizuar tamam. Përse reaguan keq disa audienca? Kanë të drejtë.
1. Kur deputetët debatojnë para kamerave, ata nuk lënë akuza pa i bërë njëri-tjetrit, individualisht dhe në grup. Kriminel, manipulues zgjedhjesh, i korruptuar, drogues i fëmijëve etj. Epo populli ka moralin e tij. Kur je i bindur se dikush është i tillë, duhet distancuar nga ai. Se edhe ta quash ashtu, edhe të rrish në një tavolinë kafeneje me të, këtë morali popullor nuk e honeps dot. Njëra nga të tria; Ose e shan kot dhe sa për sy e faqe, ose e shan me bindje dhe prandaj nuk mund të ulesh në një tavolinë me të, ose nuk ke karakter dhe edhe e shan, edhe pi kafe me të. Ky është morali i popullit dhe nuk më duket se e ka keq populli. Prandaj ai ndihet i tradhtuar. Dhe pyet mbase naivisht, por mbi bazën e një morali të shëndoshë: Ore i keni seriozisht kritikat ju të opozitës apo talleni me ne? Jepni shfaqje para nesh, dhe në të vërtetë midis jush, socialistë dhe demokratë, putheni dhe përqafoheni!!!
2. Sepse deputetët demokratë dhe opozita, mbase nuk e di, se ka një opinion masiv që e kritikon atë, sepse vetëm llafe ka, nuk ka veprim, se pas fjalëve duhet veprim. Ajo fotografi shkon në përputhje me këtë thashethem popullor shumë të përhapur, që jo medoemos është edhe imi. Ja kanë thënë njerëzit, ja prova, nga njëra anë debatojnë sikur do të theren me njëri-tjetrin, nga ana tjetër, bëjnë shoqëri kafenesh. Llafe për Dibrën, por Dibra iku te socialistët. Ma gëzofshin. Llafe për ligjin për territorin, por reforma u bë dhe territori është në dorë të socialistëve. Ma gëzofshin, se mos janë të gjithë hamzara dhe ballabana. Se mos e mori turku… Llafe për arsimin e lartë, por socialistët i bënë diplomat si deshën. M’i gëzofshin, se mos i duhet njeriu shkenca dhe njohuritë këtu sot! Ja kështu arsyeton populli opozitar. Dhe nuk është se nuk ka të vërteta në atë opinion, që jo medoemos është imi. Sepse duhet ditur që gjuha joverbale për popullin është më e rëndësishme sesa ajo verbale. Çfarë rëndësie ka se çfarë i thanë zotërinjtë deputetë demokratë zotit kryeministër. Ato fjalë nuk i dëgjoi njeri. Askush nuk e beson shpjegimin e sinqertë që thanë të ulurit në atë tavolinë. Fotografia ka një gjuhë të vetën joverbale që funksionon më vete nga bisedat e shprehura verbalisht. Edhe teoricienë e pranojnë se kur disa vetë ulen për të biseduar, vetëm kjo përmban me nënkuptim parimin se kemi dakordësi për të biseduar në kafene, pra jemi aq miq sa pranojmë që bisedat në foltore t’i vazhdojmë në kafene. Ky është arsyetimi popullor, dhe ndonëse unë jam liberal, pra nuk më bën përshtypje fare se çfarë bëjnë njerëzit pas pune, morali popullor, jo pa të drejtë, ka parime të tjera.
3. Mos harrojmë se populli përpunon prej kohësh opinionin se pushtetarë dhe opozitarë, prapa debateve, janë e njëjta klasë politike, me privilegjet, bizneset, nivelin e jetesës, pushtetin, rrogat, qejfet, luksin etj., që populli nuk i ka të përbashkëta me ta. Një herë njeri dhe një herë tjetri në pushtet, por privilegjet mbesin të pacenuara. Madje edhe opinionistët. Jo medoemos shpreh gjykimin tim, por opinioni popullor ky është. Populli i sheh deputetët si e njëjta klasë politike. Opozitës ky opinion nuk i intereson të jetë i përhapur, por qeverisë i intereson shumë, sepse e than opozitarizmin. E dinë deputetët demokratë këtë?
Nëse nuk e dinë, mirë është ta dinë. E di qeveria këtë? Me siguri e di. Pse kot vajti kryeministri Rama të ulej në kafe me ta? Ka kohë të humbasë ai kot! Ishte një akt i pastër komunikimi në marrëdhëniet publike për t’i hequr kapelën në interes të tij.
Unë jam i bindur se deputetët demokratë nuk kanë bërë ndonjë tradhti aty në kafene. Madje, edhe po të donin ta bënin, nuk e bënin dot. Tradhtitë nuk bëhen dot as në syrin e fotografit, as në kafene, as në nivel deputetësh. Unë nuk u besoj teorive konspiracioniste. Nuk kam arritur në këtë përfundim. Nuk është mendimi im. Deputetët e tjerë demokratë nuk i njoh, por zotin Boçi e njoh, kam respekt për të, ndaj mjaft ide me të, madje edhe bashkëpunoj si universitarë që jemi, pavarësisht se ai është politikan dhe unë jo. Unë çdo universitar e trajtoj si i korporatës sime, dhe nuk më duhet fare në është socialist, LSI-ist, çam, demokrat, grek, a çfarëdo ngjyrese tjetër politike. Jam i bindur në ndershmërinë e tij prej politikani. Pa hije.
Por, megjithatë duhet ta dimë që tjetër është biseda në tavolinë, tjetër fotografia, tjetër sesi e përjetojnë të fotografuarit, dhe krejt tjetër sesi e lexon fotografinë populli demokrat, opozitar, neutral, indiferent politikisht etj. Këto janë gjëra krejt të ndryshme. Kjo nuk është kuptuar nga zotërinjtë deputetë demokratë, të cilët kanë rënë në grackën e strategjisë dhe teknikave të marrëdhënieve publike të qeverisë. Aty, duhet ta pranojnë, qeveria 1, opozita 0. Fitore me autogol demokrat.
Gjëra që ndodhin. Kalojnë. Por nuk mund të thonë se çfarë të bënim!!! Morali i kafenesë nuk na lejonte të iknim nga tavolina. Patjetër. E drejtë. Përse do ta bënin këtë akt rrugaçërie! Por, ama askush nuk i detyronte që të vazhdonin bisedat politike në tavolinë kafeneje, sepse elektorati ka të drejtë për arsyet e mësipërme të reagojë negativisht. E njihni sociologjinë komprehensive, zotërinj deputetë demokratë??? Ajo na bind se pak rëndësi ka fakti, rëndësi ka sesi dikush e kupton faktin.
Mënyra sesi e kuptoni ju, nuk përjashton që elektorati juaj ta kuptojë ndryshe atë. Elektorati që kurrë nuk sheh demokratë e socialistë jo të bashkëpunojnë, por edhe dorën nuk ia japin njëri-tjetrit në publik. Ai pyet me shumë të drejtë: Këta në sytë tanë nuk janë aq njerëzorë sa thonë, kur i kapin në flagrancë në kafene. Pra, paskan dy sjellje të ndryshme, njërën në sytë tanë dhe tjetrën për vete, në botën e tyre sekrete. Se populli sheh që proqeveritarë a kundërqeveritarë të ndryshëm kanë jo rrallë edhe projekte biznesi të përbashkët.
Dhe elektorati e ngre dyshimin, që nuk është imi: Janë vërtet kaq të fortë këta, sa mbi interesat e përbashkëta të përfaqësojnë politika të kundërta!!! Dhe ata që kanë dyshime, votën sigurisht e shesin më mirë. Biznesi i votës plotëson kështu biznesin politik. Edhe atje ku nuk ka biznes politik, sikurse është rasti fatkeq i fotografisë.
Ja pra përse i kuptoj demokratët në kafene, por ajo që nuk jam dakord është që ata nga maja e kafenesë parlamentare të hedhin kunja, anatemojnë elektoratin e tyre, tallin popullin opozitar, se ky nuk kuptoka as nga njerzilliku, as nga politika.
Nuk analizohet ashtu ajo fotografi, kërkon profesionalizëm.
Kështu, unë them si qytetar dhe studiues, pastaj, se çfarë trajtimi i bën elektoratit të vet Partia Demokratike, kjo është punë e saj, dhe jo imja.