Nga Haberet e Mitro Celes
Në politikën e jashtëme, Kryeministri Rama ka “fluturuar” si balon tabake. Sefteden dashuri me vëllain Erdogan. Po të fshijmë disa tepërime, afrimi me Turqinë ishte normal. Miqësia me Turqinë është e lashtë. Për 5 shekuj kemi pasur për kryeqytet Stanbollin. Mbi 7 milionë turq, pranojnë se janë me origjinë arnaute. Tregetia dhe investimet për marshalla…Një ditë behari erdhën ethet.
Sebepi? Sevdaja e qeverisë me Beogradin…
Muaj mjalti pati edhe me Kosovën. Mbledhje të përbashkëta mes qeverive. Pa kufij për arsimin, kulturën, doganat. Normale. Jemi dy shtete. Por jemi një komb. Jemi dy shtete që ëndërrojmë të kemi për kryeqytet Brukselin…Por një ditë të bukur vendin e dashurisë e zuri mëria. Sebepi? Vizita e fundit e Ramës në Serbi. Në kor. Të gjithë kundra Ramës. Shkalemat e parë I hodhën analistët. Të zëmëruar diplomatët. Të thartuar nacionalistët. Dy-tre analistë me Rexhep Qosen në ballë , në mbrojte të Ramës, tingëlluan si zëra në shkretëtirë.
Greqinë Rama e ka parë me syrin e njerkës. Mëria është e lashtë. Që në opozitë, kur Rama dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin për kufijtë detarë. Sa u bë kryeministër, u prish kisha ortodokse në qëndër të Përmetit. Erdhi “sevdaja” me Shpëtim Idrizin dhe mëria me Vangjel Dulen. U prish një kishë në Himarë. Rama mbrojti idenë se kisha e prishur nuk ishte ortodokse por katolike. Në Athinë ranë kambanat e alarmit…I dëgjuan të gjithë. Përjashtim bëri kryeministri shqiptar. Bile shkojë më tejë. Ftojë në kualicion partinë çama. Shpëtim Idrizi, me zgjuarsi dhe kurajo, e detyroi eurodeputetin Han të deklaroi se ekziston çështja çame…Kaq u desh. Shtypi grek, ministrat, deputetët, peshkopët, kapistrat nisën mënxyrat dhe mallkimet ndaj Ramës…
Por Rama nuk e bëri qejfin qeder. Në zenith të mërisë greke, mori rrugën drejt Serbisë. Falë “dashurisë” me shikimin e parë mes Ramës dhe Vuçiç, sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Sërbisë janë në zenith. Për mua kjo është normale. Jemi dy vende fqinj. Falë afërsisë, janë shtuar shkëmbimet tregtare. Turistët sërbë, kanë nisur të zbrazin xhepat në Shqipëri.
Në shikimin e parë, “thyerja e akujve” me Sërbinë, e bën Ramën një politikan modern. Ky “kallëp” politikani pëlqehet nga Brukseli…
Por Ballkani është fuçi baruti…Një politikë e njëanshme, bëhet naive. Duhet drejtpeshim. A ja vlen një krushqi me Sërbinë, duke ftohur marrëdhëniet me Kosovën? Sigurisht aqë jo. Kombi merr përparësi. Në se bën një hap para me Beogradin dhe largon dy hapa Kosovën, dëmi është I madh. Sa më shpejt të korrigjohet, aqë më bukur. Por kjo bëhet pas një analize. Nuk mjafton me një puthje mes Kryeministrit te Presidentit të Kosovës, qoftë edhe buzë më buzë?!
Duke e përqëndruar diplomacinë rreth Beogradit, a ja vlen të lësh jashtë vëmëndjes Greqinë? Sigurisht që jo. Greqia është pjesë e BE-së. Dhe Greqia ka të drejtën e Vetos. Dhe Athina ka ditur ta përdorë veton…
Së dyti, në Greqi jetojnë 1 milionë emigrant. Në Serbi ka emigrante vetëm disa vajza të marturare me mesoburra sërbë.
Së treti. Investitorët grekë janë ulur këmbëkryq në Shqipëri. Investitorët sërbë ende janë me dylbi në dorë?! Greqia vjen pas Italisë në import-eksport…Kemi një komunitet grek, por vetëm disa fshatra serbe në Shqipëri…Kemi pesë banka greke dhe asnjë bankë sërbe…Bashkë me Greqinë bëjmë pjesë në NATO. Serbia ditën lufton të futet në NATO; natën ëndërron për Moskën…