Home KRYESORE Si është trajtuar deri sot pronësia në Shqipëri?!

Si është trajtuar deri sot pronësia në Shqipëri?!

Nga Kasem Seferi, ekonomist

Për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur me pronën në Shqipëri nga viti 1991 e deri më sot, mjafton që të kujtojmë se ka disa agjensi qeveritare që merren me pronën, që janë lakmuar nga çdo qeveri pavarësisht se kë shtresë qytetarësh pretendojnë se përfaqësojnë politikisht dhe në çfarë sherri e kanë futur popullin shqiptar.

Për ta bërë më të lehtë po e nis me citatet që vijojnë: “Nuk ka asgjë që e tërheq kaq zakonisht imagjinatën dhe angazhon ndikimet e njerëzimit, si të drejtat e pronësisë; ose dominimi i vetëm dhe despotik që një njeri pretendon dhe ushtron mbi gjërat e jashtme të botës, me përjashtimin total të së drejtës të ndonjë individi tjetër në univers.

Dhe prapë ka shumë pak, që do t’i japin vetes shqetësimin për të konsideruar origjinën dhe themelin e kësaj të drejte.”. (William Blackstone); “Në tribunë afrikane të quajtur Barotse, “ligji pronësisë nuk përkufizon aq shumë të drejtat e personave mbi gjërat ashtu si detyrimet që kanë ndërmjet tyre personat në lidhje me gjërat. (Max Gluckman); “Teoria e komunistëve mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Shfuqizimi i pronësisë private.”. (Carl Marx dhe Friedrich Engels te Manifesti Komunist 1848).

Kësisoj, ligji mbi pronësinë furnizon kuadrin ligjor në lidhje me caktimin e burimeve dhe shpërndarjen e pasurisë dhe ashtu sikundër thuhet në citatet e mësipërme, njerëzit dhe shoqëritë nuk pajtohen qartë rreth asaj se si t’i caktojnë burimet dhe si ta shpërndajnë pasurinë; për shembull, Blackstone e shikonte pronësinë si siguruese të pronarit të saj me kontrollin e plotë mbi burimet dhe ai e paraqiti këtë për të kontrolluar gjërat materiale si “roje të të gjithë të drejtave të tjera.”. Gluckman gjeti se pronësia në tribunë afrikane Barotse i dërgonte pronarit të saj përgjegjësinë, jo lirinë; për shembull, tribuja Barotse i bën njerëzit e pasur përgjegjës për kontribuimin për lulëzimin e farefisit të tyre dhe, përfundimisht, Marx dhe Engels e paraqitën pronësinë si institucionin me anë të të cilit pakica skllavëronte shumicën.

Filozofët klasikë janë përpjekur dhe ende përpiqen t’i zgjidhin këto diskutime të thella mbi organizimin shoqëror duke shpjeguar se çfarë është realisht pronësia dhe për këtë kanë siguruar teori filozofike, të tilla si teoria që pronësia është një parashikim (Bentham), objekt i shpërndarjes së drejtë (Aristoteli), një mjet i vetëshprehjes (Hegel), ose themeli i lirisë në jetën e komunitetit (Burke).

Në vend të përpjekjes për të shpjeguar çfarë është realisht pronësia, teoria ekonomike përpiqet të parashikojë efektet e formave alternative të pronësisë, veçanërisht efektet mbi efiçencën dhe shpërndarjen. Shembulli 1: Një ditë në një livadh të largët në juglindje të vendit, pela polli një mushkë. Kujt i takon mushka: (1) pronarit të pelës; (2) fshatarit që livadhin që e ka në përdorim dhe ia ka dhënë me qira pronarit të pelës; ose (3) qeverisë për arsye se livadhi është pronë shtetërore? Shembulli 2: Shoqëria O shpenzoi 125 milion US$ për projektimin, hedhjen dhe mirëmbajtjen e satelitit për transmetimin e të dhënave ndërmjet Europës dhe SHBA, në një hapsirë të caktuar 25 milje mbi Oqeanin Atlantik. Mirëpo kohët e fundit një satelit i shoqërisë V është shmangur kaq afër satelitit të shoqërisë O sa që të dhënat e transmetuara nuk janë të besueshme dhe për këtë arsye ka humbur klientët, fakt ky që e ka shtyrë ta hedhë në gjyq shoqërinë V për kundërvajtje. Shembulli 3: Gimi shikon një shtëpi në një bllok të ri të pjesës perëndimore të Tiranës dhe vendos ta blejë atë.

Një ditë më pas hyn brenda, era fillon të fryjë nga perëndimi duke i sjellë në hundë një grahmë të rëndë dhe, në bazë të hulumtimit, mëson se aty afër në breg të kodrës me drejtim nga perëndimi është një stallë lopësh pronari i së cilës planifikon ta zgjerojë biznesin; për këtë arsye, Gimi takon pronarë të tjerë të shtëpive të bllokut me qëllim për ta mbyllur stallën. Shembulli 4: Beni trashëgon pjesën e mbetur të një ferme nga babai i tij, pjesa më e madhe së cilës tashmë është shitur për ndërtimin e shtëpive, ndërsa i mbetet vetëm një pjesë e quajtur “Këneta”, e cila përdoret për peshkim dhe gjuajtjen e rosave të egra.

Një ditë Beni vendos ta thajë dhe ta ketë si zonë rezidenciale, por megjithëatë, shkencëtarët e universitetit e kanë përcaktuar “Kënetën” si pjesë të tokës ujëmbajtëse që ushqen përrenjtë dhe peshkun në lumin e qytetit, gjë që e detyron këshillin e qytetit, pasi ka dëgjuar planet e Benit, të lëshojë një urdhëresë që ndalon tharjen e “Kënetës”. Beni e hedh në gjyq këshillin e qytetit për të drejtën e zhvillimit të pronës së tij, ose në të kundërt ta detyrojë bashkinë e qytetit ta blejë pronësinë prej tij me çmimin që do të mbizotëronte në treg në qoftë se do të lejohej zhvillimi i pronës. Shembulli 5: Një urdhëresë e këshillit bashkiak kërkon që shtëpitë të jenë vendosur pesë metra nga vija e pronësisë. Gëzimi blen një copë tokë me shkurrishte të dendura në një truall të pazhvilluar dhe ndërton shtëpinë atje, ku dhjet vjet më vonë në atë truall ka në pronësi një copë tokë ngjitur me atë të Gëzimit Fredi.

Gardhi i Gëzimit shtrihet dy metra mbi vijën ndarëse në brendësi të pronës së Fredit dhe për këtë arsye i ofron Fredit ta kompensojë për kundërvajtjen, por ky i fundit nuk pranon dhe e hedh në gjyq për ta vendosur gardhin në përputhje me urdhëresën. Sikundër shihet, pesë shembujt e mësipërm kapin disa prej çështjeve më themelore që duhet t’i përgjigjet çdo sistem i ligjit të pronës: shembulli i parë dhe i dytë kërkojnë se si caktohen fillimisht të drejtat e pronësisë; shoqëria O dukshëm e bazon pretendimin e pronësisë së saj mbi vendosjen e satelitit në orbitë rreth së cilës po argumentohet para ndokujt tjetër.

Ky pretendim apelon për një parim ligjor të quajtur rregulli i posedimit të parë, sipas të cilit pala e parë për të përdorur një burim pa pronësi fiton një pretendim për atë (si mund të zbatohet ky rregull për mushkën e lindur në livadhin e zonës juglindore?). Çështja e përgjithshme që ngrihet këtu është: “Si e fiton një person pronësinë e diçkaje?”. Shembulli i dytë kërkon gjithashtu çfarë lloj gjërash mund të pronësohen privatisht: shoqëria O kërkon që një satelit në një hapsirë të caktuar të orbitës mund të pronësohet privatisht njësoj si toka ose kompozim muzikor, ndërkohë shoqëria V e ndjen, ndoshta, se hapsirat e orbitës duhet të jenë pronë publike dhe të hapura për të gjithë në të njëjtat terma, si oqeanet; pra, ekonomia ka shumë për të thënë rreth pasojave të burimeve të pronësuara privatisht, publikisht ose pa pronësi.

Shembulli i tretë lidhet me problemin nganjëherë të njohur si “përdorime të papajtueshme”; për shembull, mundet një pronar prone të krijojë një grahmë që neverit fqinjët e tij?! Në përgjithësi, ligji përpiqet t’i parandalojë pronarët e pronës nga ndërhyrja te njëri – tjetri, por në shembullin e mësipërm, ashtu sin ë shumë raste të tjera, ka një kompensim ndërmjet veprimtarive konkurruese. Në rastin e shtëpisë dhe stallës së lopëve çështja shtrohet se cila nga palët ndërhyn te tjetra dhe, në këtë rast, rezultati përfundimtar ligjor kthen në anën nëse grahma përbën një “shkelje, ose dëm” ashtu sikundër përkufizohet nga ligji.

Sikundër shihet ekonomia ka shumë për të thënë rreth këtij përcaktimi. Shembulli i katërt, njësoj si i treti, ngre pyetjen: “Çfarë mund të bëjnë në mënyrë legjitime pronarët me pronën e tyre?”. Diferenca është se shembulli i tretë lidhet me diskutimin ndërmjet pronarëve privatë, ndërsa shembulli i katërt lidhet me diskutimin ndërmjet një pronari privat dhe qeverisjes vendore dhe, çështja e veçantë në shembullin e katërt, është nëse një pronar prone mund ta zhvillojë tokën e tij sipas dëshirave të tij, ose duhet të përshtatet me kufizimet e zhvillimit të vendosur nga qeverisja vendore; çështja e përgjithshme lidhet me shkallën në të cilën qeveria mund të kufizojë përdorimin e pronarit privat për pronën e tij dhe, përsëri ekonomia, ka shumë për të thënë rreth rregullimit qeveritar dhe marrjes së pronës private.

Në shembullin e fundit, një pronar prone ka shkelur mbi tokën e një tjetri, por ajo shkelje është e pazbuluar dhe pa dëm të dukshëm për shumë vite dhe pyetja që ngrihet nga ky shembull lidhet me rregullimin për kundërvajtje: A duhet t’i mohohet pronarit një rregullim që ka zgjatur për kaq kohë? Në mënyrë alternative: A duhet që gjykata të dhurojë dëme kompensuese për pronarin?, ose: A duhet që gjykata të pajtohet me kundërvajtësin dhe ta detyrojë ta lëvizë gardhin e tij?; dhe, sikundër shihet, ekonomia duhet të parashikojë efektet e rregullimeve të ndryshme dhe kështu të sigurojë një mjet të fuqishëm për zgjedhjen e mjetit më të mirë. Shembujt e mësipërm ngrejnë katër pyetje themelore për ligjin e pasurisë: Si vendosen të drejtat e pronësisë?

Çfarë mund të pronësohet privatisht? Çfarë mund të bëjnë pronarët me pronën e tyre? Cilët janë rregullimet për dhunimin e të drejtave të pronësisë? Nga këndvështrimi ligjor, pronësia është një tufë të drejtash, që përshkruajnë se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë njerëzit me burimet që ata zotërojnë, ose shkalla në të cilën ata mund: ta posedojnë; përdorin; zhvillojnë; përmirësojnë; transformojnë; konsumojnë; shterojnë; shkatërrojnë; shesin; dhurojnë; lenë trashëgim; transferojnë; lenë peng; japin me qira financiare; huazojnë; ose përjashtojnë të tjerët nga pronësia e tyre. Këto të drejta nuk janë të pandryshueshme, për arsye se (për shembull) ato mund të ndryshojnë nga një gjeneratë në tjetrën, por në çdo kohë të caktuar, ato përbëjnë përgjigjen e detajuar për ligjin për katër pyetjet themelore të ligjit të pronësisë që janë listuar më lart.

Dy fakte rreth tufës të të drejtave që përbëjnë marrëdhëniet e pronësisë janë themelore në të kuptuarit e mëvonshëm të pronësisë: i pari, pronari është i lirë të ushtrojë të drejtat mbi pronësinë e saj/tij, me të cilat kuptohen se ligji nuk e ndalon ose i kërkon pronarit t’i ushtrojë këto të drejta; në shembullin 4 Fredi mund ta kthejë në fermë tokën e tij ose ta lejë djerrë dhe ligji është indiferent përsa i përket asaj së cilës ai zgjedh të bëjë. I dyti, të tjerët ndalohen të ndërhyjnë në ushtrimin e të drejtave të tij dhe, në këtë mënyrë, në qoftë se Fredi vendos ta bëjë fermë tokën e tij, Gëzimi nuk mund të vejë gurë në rrugën e plugut; kjo mbrojtje nevojitet kundrejt dy lloj hyrësish në pronë (personave privatë dhe qeverisë).

Pra, koncepti ligjor i pronësisë është që për një tufë të drejtash mbi burimet pronari të jetë i lirë t’i ushtrojë dhe ushtrimi i tyre të mbrohet nga ndërhyrja e të tjerëve dhe, në këtë mënyrë, pronësia të krijojë një zonë ku të jetë në gjendje t’i mbajë punët e pronarit jashtë syrit dhe veshëve të botës (privacy); pra, pronarët të mund të ushtrojnë vullnetin e tyre mbi gjërat pa u dhënë llogari të tjerëve, ashtu sikundër theksohet në citatin e mësipërm të Blackstone; këto fakte nganjëherë përmblidhen duke thënë se pronësia u jep pronarëve lirinë mbi gjërat.

Ky përkufizim i përgjithshëm i pronësisë është i pajtueshëm me shumë teori të ndryshme se çfarë të drejtash të veçanta duhet të përfshihen në tufën e mbrojtur dhe për çfarë duhet të mbrohen ato të drejta dhe gjithashtu të jetë i qendrueshëm me shpjegime të ndryshme për përgjegjësitë që një person merr me mend duke u bërë pronar; ligji priret të shikojë përtej vetvetes në filozofinë për të ndihmuar në të vendosurit se cilat të drejta të përfshijë në tufën e të drejtave të pronësisë, për arsye se tufa alternative e të drejtave krijojnë nxitës për t’i përdorur burimet në mënyrë efiçente dhe një përdorim efiçent i burimeve maksimizon pasurinë e një kombi. Por ku është sot realiteti shqiptar krahasuar me trajtimin e mësipërm? NO COMMENT!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: