Analistët thonë se dislokimi i raketave me aftësi bërthamore në enklavën e Kaliningradit në Detin Balltik, është një “kambanë alarmi” për rreziqet me të cilat përballet perëndimi. Dislokimi vjen ndërsa Gjermania paralajmëron se tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë më të rrezikshme tani sesa gjatë Luftës së Ftohtë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.
Raketat ruse Iskander, kanë një rreze prej rreth 500 kilometrash. Dislokimi i tyre në enklavën ruse të Kaliningradit, që gjendet mes Polonisë dhe Lituanisë, ka shqetësuar perëndimin.
“Reagimi dramatik i Perëndimit për raketat Iskander, është një kambanë alarmi, është një mesazh shumë i qartë. Është si një kovë me ujë të ftohtë, që sikur thotë: hapi sytë, nuk është më një botë e sigurt”.
Moska thotë se dislokimi është pjesë e një stërvitjeje të rregullt ushtarake. Gjatë Luftës së Ftohtë, raketa më të mëdha, u dislokuan në Gjermaninë Lindore dhe Çekosllovakinë e atëherëshme. Këtë herë, strategjia është psikologjike, thotë analisti Sutyagin.
“Ideja është që të frikësohet perëndimi. Sepse Rusia nuk ka instrumenta të tjera që të konkurrojë në arenën ndërkombëtare, përveç aspektit psikologjik. Edhe ushtria ruse është më e dobët sesa forcat e NATO-s”.
Rusia shkaktoi edhe më shumë alarm kur instaloi një sistem S-300 për mbrojtjen nga raketat në bazën e saj detare në Siri. Moska mohon që kjo të jetë bërë për të kërcënuar ushtarakisht.
“Bateria e raketave ka si qëllim që të garantojë sigurinë e bazës detare të Tartusit dhe bazës së marinës ruse nga kërcënimet nga ajri. Nuk është e qartë se pse dislokimi i S-300 shkakton kaq shumë alarm mes partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
Por Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, paralajmëroi në një artikull gazete këtë javë se tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë, janë më të rrezikshme sesa gjatë Luftës së Ftohtë. Sutyagin është dakord.
“Bëhet fjalë për një element surprize të përllogaritur nga pala ruse, sepse është pjesë e psikologjisë. E paraqet veten si të çmendur, kështuqë gjithkush të mendojë që janë vërtet të çmendur, kështuqë më mirë të mos i sfidosh ata”.
E papritura ndodh në qiellin evropian. Në prill avionët rusë gumëzhinin mbi një anije luftarake amerikane në detin ballkit.
Javën e kaluar, Finlanda dërgoi avionët e vet luftarakë të identifikonin avionë rusë SU-27, që tha se kishin shkelur hapësirën e saj ajrore, një akuzë që Moska e mohon.
Finlanda, ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë dhe ka forcuar lidhjet me NATO-n për të kundërshtuar agresionin rus.
Nënsekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Work vizitoi Helsinkin së fundmi për të nënshkruar një marrëveshje për më shumë stërvitje ushatarake dhe shkëmbim informacioni./360grade.al