Home KRYESORE “The Hill”: Shqipëria rrezikon daljen nga NATO për shkak të drogës dhe...

“The Hill”: Shqipëria rrezikon daljen nga NATO për shkak të drogës dhe krimit

Gjigandi i informacionit në SHBA, “The Hill”, nën siglën e ekspertit të fushës së krimeve, Bill Cowan (Fox News Channel), publikon së fundmi lajmin se vendi ynë mund të rrezikojë së shpejti të dalë nga Aleanca e Atlantikut Verior, NATO, për shkak të shndërrimit të tij në një vatër të kultivimit të drogës.

Duke cituar një sërë hulumtimesh nga media të tjera ndërkombëtare si “Mirror”, Daily Mail”, “Washington Post”, etj., artikulli rikujton një sërë trumbetimesh që i janë bërë trafikut të drogës në Shqipëri, arsenalit të armëve të të gjitha llojeve, perandorive të parave të nxjerra prej tyre, terrorizmin, krimin e organizuar, madje edhe operacionin e bujshëm të Lazaratit.

“Shqipëria po i ngjan versionit ballkanik të Meksikës dhe Kolumbisë”, thotë artikulli.

Ndërsa, konstatimi më i tmerrshëm që publikohet në të, është se e gjithë kjo histori droge është e lidhur me komponentë të ISIS, organizatës terroriste që po tund themelet e Botës.

Edhe Mbretëria e Bashkuar konstaton se “fermat e kanabisit” në Shqipëri po kontrollohen nga simpatizantë të ISIS dhe mbështetës të tij, që në këtë vend me një numër të madh islamikësh, ka gjetur strehë të mirëfilltë.

Nga po ky shtet është konfirmuar se një pjesë të mirë e farës së shitur në Britaninë e Madhe ilegalisht, vjen nga Shqipëria.

Po ashtu, vendi ynë është jo vetëm një prodhues i madh i drogave të paligjshme, por edhe tranziti i drogës që vjen nga Azia për në Evropë.

Kështu konstaton Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga, agjencia e drogës së Bashkimit Evropian.

Duket se “rrënjët” e drogës dhe krimeve të tjera të përmendura, janë të ngulura në majat e Shtetit tonë, në Parlament e Qeveri.

Artikulli, duke iu referuar raporteve të ndryshme ndërkombëtare, citon emra konkretë si Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e familjarë të tyre, të cilët janë të lidhur fort me biznesin e drogës. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka konfirmuar vërtetësinë e një raporti të brendshëm të 2015, ku citoheshin lidhje korruptive të anëtarëve të parlamentit, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

Cowan sugjeron nisjen e një hetimi ndërkombëtar për krerët e këtij vendi, hetim që duhet të manaxhohet nga SHBA. Kjo, në të mirë të sigurisë së gjithë Ballkanit.

Ai sugjeron që Kongresi Amerikan të kërkojë hetim ndërkombëtar për krerët e qeverisë shqiptare për lidhje me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe terrorizmin.

Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe një shndërrim i tillë i një vendi anëtar, rrezikon stabilitetin e të gjithë Aleancës. Shqipëria është betuar përpara kësaj Aleance se do ta mbrojë atë, por realiteti tregon se po e vë në rrezik.

Po ashtu, Shqipëria aspiron të bëhet anëtare edhe e Bashkimit Europian, dhe lidhjet e drogës dhe prania në rritje e ISIS në këtë vend, nuk është shenjë e mirë as për sigurinë afatgjatë të partnerëve tanë evropianë.

Share: