Home KRYESORE Vajzat presin flokët për të sëmurët me kancer

Vajzat presin flokët për të sëmurët me kancer

Të dhurosh flokë, të falësh mirësi nga vetja jote, trupi dhe shpirti yt. E ku ka mesazh më të bukur dhe human për vajzat dhe gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Në kuadër të muajit sensibilizues kundra kancerit të gjirit, “Europa Donna Albania” sot zhvilloi aktivitetin e saj të parë “Dhuro flokë! Fal Shpresë”. Një aktivitet për të cilin ka disa ditë që po flitet në media dhe në rrjete sociale.

“Europa Donna Albania” është organizatë që ka në fokus pacientët me kancer gjiri dhe është bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Evropën.

Vajza, gra dhe bashkëshortë ishin të pranishëm në aktivitet, për të përkrahur kauzën që “Europa Donna Albania” ka nisur prej disa ditësh në kuadër të kancerit të gjirit.

irma-libohova1

Në këtë aktivitet ishin edhe personalitete të njohur të ekranit, dhe jo vetëm:
Lajla Pernaska, Fiori Dardha, Irma Libohova, Jona Dervishi, të cilat përcollën mesazhet e tyre sensibilizuese.

fiori-dardha

Gazetarja e njohur Fiori Dardha ishte aty bashkë me mamanë e saj, e cila ka vuajtur nga kanceri i gjirit. Fiori nuk u përmbajt dot dhe u emocionua ndërkohë që po fliste për mamanë e saj.

“I vetmi mesazh që ju jap është që të bëni kontrolle të herëpashershme. Shpesh ne neglizhojmë duke thënë se nuk kemi asgjë. Edhe mami im gëzonte shëndet të plotë në momentin që kreu kontrollin rutinë dhe konstatoi sëmundjen. Punonte, madje punonte edhe më shumë se ç`duhej për moshën që ka. Ajo ka vuajtur më shumë për ne sesa për sëmundjen që mbarte.

Ndaj unë ju bëj thirrje të kryeni kontrolle të herëpashershme, është thjesht një eko gjiri, ju merr vetëm 10 minuta. Unë jam shumë e lumtur që jam sot këtu, që kam mamin tim pranë, që më duket si një ëndërr dhe e kemi kaluar të gjithë këtë. Zakonisht mua nuk më mungojnë kurrë fjalët, por e shoh që po përcillem dhe po përtypem, sepse qenka shumë e vështirë të flasësh për një sëmundje të tillë, aq më tepër kur e ke provuar në familjen tënde”, ka përfunduar Fjori e përlotur.

europa-donna-albania6

Oltiana Petri dhe Diana Myrto ishin dy pacientet të cilat vendosën për të rrëfyer historinë e tyre. Oltiana, një grua e guximshme, e cila i është dashur të luftojë me kancerin e gjirit, rrëfen se për të ka qenë shumë e vështirë në fillim, por tani është në gjendje shumë të mirë dhe po e gëzon jetën në çdo qelizë të saj.

Ndërsa Diana po e lufton për herë të dytë këtë sëmundje të tmerrshme. Një fakt i tillë nuk e ka penguar që ajo ta gëzojë jetën në çdo moment dhe të luftojë fort për të.

Historia e këtyre dy grave na bën të besojmë fort thënien se “nëse lufton, gjithmonë fiton”.

Shumë vajza erdhën enkas në aktivitet për të dhuruar flokët për të sëmurët me kancer. Këto flokë më pas do përpunohen në paruke të personalizuara dhe do të dhurohen për personat që kanë humbur flokët për shkak të mjekimeve./Shendeti.com.al

donjeta

Share: