Home KRYESORE VEPRIMTARI PËR NËNË TEREZËN NË ATHINË

VEPRIMTARI PËR NËNË TEREZËN NË ATHINË

Shenjtërimi i Nënë Terezës nga selia e shenjtë e Vatikanit ka mbledhur gjatë shtatorit, në Qendrën Kulturore “MELINA”  të Bashkisë së Athinës  përfaqësues nga komuniteti shqiptar që punon e jeton në kryeqytetin grek si dhe Federata e Shoqatave joqeveritare shqiptare, veprimtarë të  shoqatës “Jeta”, e cila ishte nismëtare për organizimin e kësaj veprimtarie, shkrimtarë e artistë shqiptarë etj.

Merrnin pjesë gjithashtu Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Athinë z. Dashnor Dervishi , Kryepeshkopi i Kishës Katolike të Athinës Sebastianos Rosolatos, Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Athinës znj. Neli Papahela, nënëkryetari i Bashkisë,  z.Vasilis Angjelopulos, Kryetari i Departamentit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Bashkisë së Athinës z. Kristo Dendemas, të cilët folën e pëeshëndetën në këtë veprimtari mbresëlënëse.

Kështu  ambasadori Dervishi, duke falenderuar miqtë grekë në këtë veprimtari, ndau me të pranishmit  edhe kujtimet e veta për Nënë Terezën, në takimin që ai pati rast në gjallje të saj, kur ai ishte Ambasador në Romë.

Kurse Kryepeshkopi i Kishës Katolike në Athinë z. Sebastianos Rosolatos tha se “Kisha katolike e shpalli  Nënë Terezën Shenjtore mes të shenjtëve. Gonxhe Bojaxhiu ishte grua dhe shqiptare, ishte e krishterë dhe murgeshë. Zgjodhi të punojë e varfër në mes të të varfërve”.

Znj. Neli Papahela, duke shprehur kënqësinë  e vlerësimin që ndodhej në një event  të tillë vuri në dukje se është“ nder për Bashkinë e Athinës që jemi të ftuar sot këtu në këtë veprimtari kaq të rëndësishme, po ashtu nder që ndihmuam sado pak me ambientin për të mundësuar realizimin e saj. Kënaqësi që dëgjova fjalët e kujtimet me aq interes të z. Ambasador për Nënë Terezën. Ju lumtë organizatorëve, shoqatave që bashkëpunuan në këtë organizim. Treguat dhe njëherë se jeni një popull me kulturë dhe meritoni shumë. Ne si bashki do të jemi pranë jush.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë,  z.Vasilis Angjelopulos  përcolli për të pranishmit edhe përshëndetjet e Kryetarit të Bashkisë së Athinës  z. Jorgos Kaminis. Nënë Tereza, tha ai, është vlerë për gjithë njerëzimin, patjetër për kishën katolikë, për popullin shqiptar. Respekt për Atë dhe për një popull me bij të tillë. Vlerësim për figurën e Nënë Terezës shprehu edhe kryetari i Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Bashkisë së Athinës z. Kristo Dendemas, me dëshirën dhe premtimin për bashkëpunim më të madh edhe në të ardhmen me komunitetin shqiptar në Athinë.

Gjithashtu në këtë veprimtari folën e shprehën gëzimin e krenarinë e tyre për këtë Mëmë të Madhe të kombit shqiptar e jo vetëm të atij, për Nobelisten e Paqes, veprën humane për njerëzimin dhe shënjtërimin e saj edhe mjaft intelektualë e qytetarë shqiptarë me banim në Greqi që merrnin pjesë në këtë veprimtari./360grade.al

 

Share: