Home KRYESORE Dëshmitë në Prokurori, ja çfarë thanë nipi dhe shoku i Shullazit për...

Dëshmitë në Prokurori, ja çfarë thanë nipi dhe shoku i Shullazit për gjobën 1 mln euro

Në dëshmitë e para që nipi dhe miku i Emiljano Shullazit dhanë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një ditë pas arrestimit të tyre, ata i kanë mohuar akuzat.

Burimet nga prokuroria thanë se Endrit Zela dhe Endrit Qyqja janë shprehur se organi i akuzës nuk ka asnjë provë ndaj tyre.

“Po na sulmoni vetëm sepse kemi lidhje me Emiljanon, por nuk keni asnjë provë”. Kjo është fjalia që nipi dhe miku i Emiljano Shullazit u kanë thënë oficerëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po i marrin në pyetje, pas arrestimit spektakolar të 2 ditëve më parë.

Endrit Zela, nipi i Shullazit dhe Endri Qyqja, shoku i tij, akuzohen se kanë gjobitur me 1 milionë euro biznesmenin Ylvi Beqja, përmes shantazhit dhe dhunës. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte firmosur urdhër-arrestet për ta, të cilat u zbatuan sapo shkelën pranë burgut 313.

Çka spikat në këtë histori është një detaj që tregon përmasat e ndodhive përsa i përket hetimeve ndaj kësaj bande. Teksa jashtë dyerve të Krimeve të Rënda arrestohej Endrit Zela, Emiljano Shullazi po priste nipin dhe kur vuri re se u vonua pyeti policët e burgjeve se ç’po ndodhte.

Por askush nga gardianët nuk pati guxim t’i thoshte Shullazit se nipi i tij u arrestua, duke u mjaftuar vetëm me frazën se takimi është shtyrë. Sakaq, burimet pranë prokurorisë thanë për TemATV se gjatë momenteve të para kur ata janë marrë në pyetje, kanë kërkuar praninë e avokatëve dhe janë shprehur vetëm se organi i akuzës është nisur vetëm mbi faktin se bëhet fjalë për nipin dhe shokun e Shullazit dhe kaq mjaftoi për t’i arrestuar.

Ndërsa për gjobvënien 1 milionëshe, ata e kanë mohuar, ndërsa pyetjeve specifike preferuan t’iu përgjigjen me praninë e avokatëve./360grade.al

Share: