Nga Kastriot Dervishi
Ndër të tjera, në ekspozitën fotografike në zyrat nëntokësore të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte vendosur edhe lista e 5.157 personave të të ekzekutuar me dhe pa gjyq nga komunistët.
Kjo listë alfabetike është e vështirë të kuptohet nga syri i zakonshëm se në çfarë periudhe shtrihet informacioni i saj. Perceptimi i parë është sikur ajo i takon vetëm viteve të sundimit të regjimit komunist, por në të vërtetë 2.100 persona të listës i takojnë viteve 1941-1944, përfshi edhe ballistët e Lushnjës të vrarë në vitin 1943.
Në referim të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, i ndryshuar, dhe VKM-së nr.445, datë 13.11.1991 (njohja e përndjekjes kur mungonin dokumentet), e ndryshuar, komisioni shtetëror i dy ministrive dhe shoqatës së të përndjekurve politikë mundi të përpilojë në vitet 1992-1996 një listë prej 5.157 personash.
Sipas ligjit, krimet e komunistëve janë përllogaritur për vitet 1941-1944 gjatë luftës (nga partizanët) dhe 1944-1991 gjatë kohës së pushtetit të tyre. Komisioni grumbulloi të dhëna arkivore si dhe nga familjarët e subjekteve.
Në përfundim, deklaroi listën në fjalë, të cilën e publikoi edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Lista në fjalë është e paplotë, por është i vetmi dokument i cili referohet për krimin komunist.
Politika vizitoi zyrat nëntokësore. Vlerësoi ekspozitën dhe listën. Sapo mbaroi punë, shkoi në Kuvend dhe iu kthye historive me ballistë e shkrimtarë komunistë.
Tani ngelet të shkojë në varreza për të nderuar ata që vranë 2.100 shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.