Home KRYESORE Ambasada greke, mos krijoni armiq imagjinar!

Ambasada greke, mos krijoni armiq imagjinar!

Ambasada greke në Tiranë nëpërmjet një njoftimi për mediat, thotë se nuk duhet të krijohen armiq imagjinarë, pasi kthimet dhe vonesat në këtë periudhë janë normale për shkak të punëve sezonale që kërkojnë shqiptarët.

Deklarata e plotë e ambasadës greke në Tiranë

Meqenëse gjatë ditëve të fundit, vihet re një fushatë dezinformimi të qytetarëve Shqiptarë, Ambasada e Greqisë në Tiranë dëshiron që të bëjë sqarimet e mëposhtme:

Nuk ka as edhe një ndryshim për sa u përket kushteve të kalimit në pikat e kalimit në kufijt Greko – Shqiptarë, të cilat zbatojnë ato që parashikon Marrëveshja Shengen për qytetarët e të vendeve të treta që dëshërojnë të vizitojnë zonën Shengen. Kjo gjë iu shpjegua në mënyrë plotësisht të qartë Ministrit të Brendshëm z. Tahiri nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Greke, gjatë takimit të tyre më 4 Nëntor.

Të gjitha vonesat apo edhe ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, gjatë muajve Nëntor dhe Dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, kryesisht për shkak të mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve Shqiptarë që kërkojnë punë sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim, rrjedhimisht nuk plotësojnë kërkesat që parashikon Marrëveshja Shengen, të cilat Autoritetet Greke i respektojnë dhe i zbatojnë pa asnjë devijim.

As edhe një ndryshim nuk ekziston për sa u përket shërbimeve që autoritetet konsullore Greke në Shqipëri u ofrojnë qytetarëve Shqiptarë. Ato, me përpjekje mbinjerëzore, gjatë muajve të fundit ia kanë dalë që të shkurtojnë kohën e pritjes, nga 10 ditë në 3 ditë pune, që nga momenti që çdo dokument dorëzohet nga posta. Kuptohet që autoritetet Greke nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çdo vonesë të mundshme në dërgimin e korrespondencës nga ana e Postës Shqiptare.

Shkrime të ndryshme që bëjnë fjalë për gjoja ‘’hakmarrje greke ‘’, janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim që të krijojnë armiq imagjinarë. Ndjenjat e sinqerta të miqësisë dhe të solidaritetit të Greqisë dhe të popullit grek kundrejt popullit shqiptar, kanë kohështrirje të gjatë dhe nuk mund të vihen në diskutim. Ata 700 mijë emigrantë Shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Greqi dhe të integrohen natyrshëm në shoqërinë greke, përbëjnë një tregues të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve.

Share: