Home KRYESORE Gazetari në SHBA: Nëse Trump fiton, do të hakmerret për deklaratën e...

Gazetari në SHBA: Nëse Trump fiton, do të hakmerret për deklaratën e Ramës!

Intervistoi Luiza Pinderi

Dritare.net- Ju jetoni në SHBA dhe ndiqni nga afër në median tuaj gjithë fushatën. Si ka ecur fushata e zgjedhjeve presidenciale?

Kjo ka qenë një nga fushatat më të ndryshme prej të gjitha fushatave që janë zhvilluar në SHBA. Siç dihet aty fushatat fillohen me zgjedhjet paraprake dhe pastaj vazhdojnë me zgjedhjen e kandidatëve që bëjnë konventat e dy partive. Kjo fushatë ishte ndryshe, pasi ka pasur shumë paparashikime. Nëse në fillim mendohej se mund të dilte Jeff Bushi apo John Richard Kasich, doli diçka e paparashikueshme. Doli Donald Trump i cili eleminoi 12 kandidatë, që ishin më të fuqishëm se ai. Në anën tjetër ishte Hillary, një grua, që ishte befasi për demokratët dhe për fushatën zgjedhore. Ishte befasi pavarësisht se ajo fitoi bindshëm. Kanë qenë dy kandidaturat më të paparashikuara. Nëse do ta përkthejmë në shqip i bie që mes dy qorrëve, të zgjedhim qorrin me një sy.

Dritare.net- Po shqiptarët në Amerikë sa kanë qenë të përfshirë në fushatë ose kandidatët për presidentë sa u janë drejtuar, duke kërkuar votën e tyre?

Fuqia e shqiptarëve në zgjedhjet elektorale për mbështetje është pothuajse 0%. Për arsye se ka diçka që i pengon shqiptarët. Në Amerikë ka rëndësi të madhe ajo që quhet “register voters”, që do të thotë se t’i duhet të jesh i regjistruar dhe të votosh. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, megjithëse kanë shtetësinë dhe kanë të drejtën e votës  nuk janë të regjistruar për të votuar. Dhe kjo bën që të mos krijojnë grupe lobiste për çdo kongresmen, senator apo kandidat për president. Që të ndihmojnë edhe në këtë rast Hilaryn ose Trump.

Por ndodh diçka tjetër. Siç dihet çdo fushatë në Amerikë, siç ndodh edhe në çdo vend tjetër, fuqinë e saj e ka tek paraja. Në përgjithësi shqiptarët janë të fuqishëm nga ana ekonomike dhe financiare. Edhe këtu duke qenë se fushatat janë shumë të kushtueshme, janë fushatat më të shtrenjta në botë, llogaritet që rreth gjysmë miliard dollarë mund t’i kushtojë fushata një kandidati për president, ndaj edhe shqiptarët, japin kontributin e tyre duke mbështetur ndonjërin nga kandidatët. Siç është edhe rasti tani me njeriun më të afërt për shqiptarët dhe njeriun që duan, Hilary Clinton. Por siç e thashë edhe më përpara të dy kandidatët janë të dobët, por për ne shqiptarët ajo është më e afërt për tu votuar dhe besoj se do të marrë votën e shqiptarëve, të atyre që janë regjistruar.

Dritare.net- Hilary ka mbështetjen e shqiptarëve, për shkak edhe të së kaluarës, të lidhjeve që kanë pasur shqiptaret me familjen Clinton?

Ky është një borxh që duhet t’ia kthejnë shqiptarët. Të mos harrojmë se në vitin 1999 Hillary Clinton ka qenë zonja e parë dhe ka pasur ndikim. Të mos harrojmë vizitën e saj për herë të parë në kampin e kosovave në Maqedoni. Ajo vazhdimisht ka treguar një mbështetje dhe një respekt të madh për shqiptarët dhe i ka vlerësuar ata. Për shqiptarët e Shqipërisë nuk harrohet vizita që bëri kur ishte Sekretare e Shtetit dhe fjalimi që mbajti në Parlamentin Shqiptar. Kjo tregon se Hillary  Clinton ka njohuri e njeh Shqipërinë, ndërsa Donald Trump është një njeri i paparashikueshëm, dhe për mendimin tim nuk asnjë lloj njohurie për Shqipërinë dhe asnjë lloj lidhjeje me shqiptarët. Me përjashtim të një lidhjeje të vetme që ka pasur, kur ka qenë president i Miss Univers dhe një fotograf që mbulonte këtë eveniment të bukurisë ishte Fadil Berisha. Pra Fadil Berisha është një nga të vetmit shqiptarë, që mund ta njohë Donald Trump.

Dritare.net- Donald Trump nuk ka mbështetës shqiptarë në Amerikë?

Me përjashtim të atyre që janë regjistruar republikanë dhe janë konservatore. Për mendimin tim, pasi nuk mund të shpreh mendimin e tyre, por edhe ata janë në dilemë dhe ankth se për kë do të votojnë.

Dritare.net- Po për Suzanna Shkrelin a kanë qenë shqiptarët të dyzuar, a e kanë dhënë menjëherë mbështetjen për të? 

Për Suzana Shkrelin shqiptarët u treguan në fillim pak të ngurtë dhe të ftohtë. Shqiptarët në fakt e nuhasin politikën, e nuhasin se kush mund të fitojë dhe kush nuk mund të fitojë. Dhe kjo ndikon në çdo kandidat, pasi nuk duan që të mbështesin dhe të shpenzojnë paratë kot. Kur panë se Suzanna po ecte mirë dhe vet partia në Michigan e përkrahu dhe e mbështeti, një rast i veçantë ky për Suzanna Shkrelin. Atëherë shqiptarët e kuptuan se diçka po lëvizte dhe se mund të ndodhte ndonjë surprizë. Megjithëse duhet pranuar se rivaliteti në zonën elektorale nr. 8 ku kandidon Suzanna Shkreli me ish kongresmenin Mike Bishop, është shumë e fortë, është një nga më të vështirat. Por nuk dihet, demokratët punojnë fort, punon partia. Kur të emëron partia, kandidati shkëputet nga fushata dhe atë e marrin në dorë grupet e organizuara të partisë për të të mbështetur dhe për të përkrahur. Nuk i dihet pasi në këto zona si Michigan dhe New York, janë toka të demokratëve. Këtu dallohet klasa e mesme dhe e ulët e qytetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve dalin në votime dhe nuk janë mbështetës dhe përkrahës të republikanëve. Republikanët mbrojnë interesat e të pasurve, ndërsa demokratët janë ata që mbrojnë interesat e shtresave të mesme dhe të varfër. Këtu mund të fitojë diçka.

suzana

Dritare.net- Ju thatë që vota e shqiptarëve nuk ka vlerë, është pothuajse 0% sepse nuk janë të regjistruar. Pse nuk janë të regjistruar, kështu ndodh edhe me emigrantët e tjerë apo vetëm me shqiptarët?

Me përjashtim të emigrantëve të vjetër, duke përfshirë edhe ata që kanë ardhur pas viteve ’90-‘95, pjesa tjetër që vjen në Amerikë, e ka mendjen vetëm te paraja, se si të bëjë para dhe nuk do t’ia dijë se ç’është politika, se çfarë janë zgjedhjet. Më tepër të interesuar janë në Shqipëri dhe më tepër dinë në Shqipëri, për zgjedhjet në Amerikë sesa mund të dinë shqiptarët atje. Po ta pyesësh ndonjërin nuk e di se kush është kandidat.

Dritare.net- Në prill të 2016-ës, Edi Rama bëri një deklaratë kundër Donald Trump. Çfarë mendoni ju për këtë deklaratë?

Ishte shumë e gabuar, sidomos për kryeministrin një vendi. Çfareë do të ndodhë nëse Trump bëhet president? Jemi në një sondazh të barabarte dhe në një situatë të paparashikueshme, ku të gjithë mendojnë se mund të jetë edhe Trump edhe Hilary, fitues. Donald Trump, as nuk e di ku bie Shqipëria, por nëse fiton do të bëhet një raport, një përmbledhje e fushatës së tij dhe do të shihet përkrahja nga jashtë. Mendoj që këto deklarata, do të kenë ndikim, pastaj dhe këtë e them me siguri, pasi e njoh temperamentin e amerikanëve. Ata janë më inatçorë se ne shqiptarët. Amerikanët, kur të duan të duan me gjithë rroba, kur të urrejnë të urrejnë me gjithë rroba. Dhe sidomos Donald Trump, që i ka manifestuar këto tek temperamenti e karakteri i tij, një karakter agresiv. Siç është parë edhe në fushatë, ai përdor një fjalor nga më oridinerët, edhe për kandidatët edhe për koleget e tij, jo më për Shqipërinë dhe për ndonjë vend tjetër si Shqipëria që i është paraqitur si kundërshtar dhe që e kanë quajtur si rrezik.

Dritare.net- Ju vete për kë do të votoni?

Unë jam i regjistruar si republikan dhe këtë e kam nga tradita familjare. Prej kur kam shkuar të votoj, kam votuar vazhdimisht për republikanët. Do të votoj për Donald Trump. Nuk kam çfarë them më tepër.

Dritare.net- Jeni i detyruar, sepse nuk e doni Clinton?

Jo se nuk e dua. Hilary-n e dua, e kam mbështetur, e kam përkrahur gjatë gjithë fushatës. Nëse e keni ndjekur nëpërmjet materialeve që kam botuar, analizave të mia, intervistave, të gjitha takimet e saj në Neë York, unë i kam mbuluar drejtpërsëdrejti. Por e quaj votën e shenjtë, pasi e kam ideal. Do votoj një republikan, se jam republikan, jam konservator.

Dritare.net- Cili mendoni se do të fitojë? Ju mendoni Trump?

Kjo është një pyetje e vështirë jo vetëm për mua por edhe për analistin dhe komentatorin më të përsosur në Amerikë. Po t’i bëje këtë pyetje, do të ishte para një dileme. Është shumë e vështirë të besohet se kush do t’i fitojë këto zgjedhje. Fushata është e hapur dhe mendoj se ashtu siç janë sondazhet 50% me 50%, ku lëvizin me 1% herë për njërin dhe herë për tjetrin, por mendoj se më e vështirë do të jetë njohja e zgjedhjeve. Donald Trump e ka deklaruar në mënyrë të tërthortë se nuk do t’i njohë zgjedhjet. Flitet se nëse do të fitohet me 1% ose 2%, do të përsëritet një 2008 tjetër, siç ndodhi me George W. Bush dhe Al Gore, kur për 2% Bush e hodhi në Gjykatën Kushtetuese rezultatin e zgjedhjeve. Megjithëse e fitoi pastaj, ndërkohë që Al Gore e kishte fituar me 3 milionë vota popullore. Kam frikë se do të ndodhë edhe kjo me demokratët, edhe Hilary mund ta përdorë këtë strategji. Në rast se humb me rezultat të ngushtë, 1% ose 2 %, zgjedhjet do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese nga ana e të dy kandidatëve. Hilary po përdor një strategji duke i bërë presion Donald Trump që të njohë zgjedhjet, pasi stafi dhe kampi i demokratëve ndiejnë siguri se do të fitojnë.

Dritare.net- Po FBI duket se po i jep siguri Trump, me mailet që po i nxjerr Hilary-t.

E  vërtetë sepse shansi i republikanëve në këtë kontekst është i madh pasi drejtori i i FBI dhe CIA janë që të dy republikanë. Kritikat më të mëdha këtu shkojnë tek presidenti Obama dhe administrata e tij, që i la këta të dy kandidatë. Amerika ka një praktikë jo të shkruar, që ndiqet vazhdimisht. Në rast se drejtori i FBI dhe CIA punojnë mirë, në çdo lloj administrate, administrata e re që vjen vazhdon me të njëjtin drejtor, pasi ndryshimi i tyre sjell shumë pasoja, duke qenë se dy pikat më strategjike të Amerikës janë këto dy institucione, FBI dhe CIA. Nëse lëvizin këto të dyja, shkatërrohet Amerika.

Dritare.net- Po nëse fiton Trump, do të ndryshojnë ekuilibrat ndërkombëtarë, në politikën e jashtme do të ketë një riorientim?

Kjo është ajo që e karakterizon Amerikën. Politika amerikane është shumë largpamëse. Në kohën e monizmit bëheshin llogaritje 5 vjeçare, kam përshtypjen që në Amerikë llogaritjet bëhen me 10 vjeçare ose më shumë, 20 vjeçare. Kushdo që vjen president politika e tyre nuk ndryshon. Kanë një politikë që e ndjekin gjithmonë, pavarësisht kush president apo administratë vjen, pavarësisht bindjeve që ka. Kemi rastin e Bushit, që nuk ishte ndoshta në nivelin e presidentëve të tjerë, por prapëseprapë dy mandatura i fitoi dhe e udhëhoqi Amerikën me sukses. Nuk është presidenti ai që mund ta ndryshojë politikën e Amerikës. Ajo ka një politikë të vetën që e ka mbajtur Amerikën dhe e ka bërë superfuqi./dritare.net

Share: