Kryetari i Komisionit hetimor për privatizimin e CEZ, Taulant Balla, në një lidhje direkte me studion e lajmeve të Top Channel ka deklaruar se ish-kryeministri Berisha nuk ka asnjë shans që t’i shpëtojë dëshmisë.
Sipas Ballës, Berisha i druhej dëshmisë së juristit Romeo Karaj, ndaj përdori taktika e alibi të ndryshme për t’i shpëtuar seancës së sotme.
“Kam dyshime që Berisha mund të ketë pasur dijeni për dëshmitë e juristit Romeo Karaj, për lidhjet e familjarëve dhe ministrave të Berishës në një aferë që i ka kushtuar qytetarëve 414 milionë euro humbje. Mendoj se kjo ishte arsyeja përse ai u orvat me deputetët e tjerë të PD të bllokonin zhvillimin normal të punës së këtij komisioni, ku janë thirrur dëshmitarë, ministra si Ruli e Bode, etj”, ka deklaruar Balla.
Ai e ka cilësuar si absurde kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij për shkak se ndodhet në gjyq për shpifje me familjarët e ish-kryeministrit.
“Unë përplasje për korrupsion kam pasur edhe me Genc Rulin edhe me të tjerë. Berisha i përdori gjyqet e mia dhe famijlarëve të tij si alibi për të shmangur dëshminë. Është e vërtetë që unë kam shumë gjyqe me familjen Berisha, por shumicën e kam fituar unë”, ka thënë Balla.
Për deputetin socialist, dëshmia e ish-kreut të qeverisë për privatizimin e OSSH-së, që u krye gjatë mandatit të tij, është e pashmangshme.
“Më datë 9 dhjetor, si Çeço do vijë në komision, do dëshmojë. Ata u munduan të përdorin një rreng, sepse çdo dëshmitar duhet të betohet për të thënë të vërtetën, pasi vetëm Berisha nuk mund ta bëjë këtë betim”, ka vijuar Balla.
Sipas tij, e rëndësishme është se puna e komisionit vijoi edhe sot në mënyrë të suksesshme. “Për herë të parë kemi një komision që po u shkon gjërave në fund, sepse kemi dokumenta që tregojnë për një marrëveshje mafioze. Kemi ministra që kanë firmosur ngritjen e cmimit të energjisë për të rritur fitimet e CEZ”, ka shtuar Balla.