Për presidentin e sapozgjedhur Donald Trump ka filluar puna e zgjedhjes së një kabineti dhe përgatitjes për kalimin e pushtetit në duart e tij në 20 janar.
Një post vendimtar për ata që ndjekin politikën e jashtme amerikane është ai i Sekretarit të Shtetit. Këtu Donald Trump mendohet se po shqyrton të paktën dy kandidatura. Nga pikëpamja e ngushtë e raporteve me Kosovën, pika më neuralgjike në Ballkan dhe në trojet shqiptare, njëra prej kandidaturave është në dukje shumë e mirë, tjetra shumë e keqe.
Shumë e mirë është kandidatura e Senatorit Bob Corker. Republikani nga Tennessee ka një përvojë të shkëlqyer në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është një figurë shumë e përgjegjshme dhe serioze. Ai do ta ngrinte imazhin e administratës së re.
Corker është kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Senatin Amerikan. Për shkak të kësaj pozite, i ka udhëtuar edhe në Kosovë, ku është takuar me udhëheqës shqiptarë dhe është njohur me situatën dhe zhvillimet në Ballkan.
Kandidati tjetër është diplomati veteran John R. Bolton. Ish-Ambasadori i SHBA-së në OKB, shihet me droje nga shqiptarët si asnjë diplomat tjetër amerikan. Ai është në fund të fundit, i vetmi diplomat nga SHBA që ka folur kundër pavarësisë së Kosovës.
Bolton do të sihte bërë Sekretar Shteti nëse Mitt Romney do të kishte fituar zgjedhjet presidenciale në 2012. Edhe në vitin 2008, ai ishte në krye të listës të shumë prej kandidatëve presidencialë republikanë. Nga pikëpamja e Kosovës duket si një e keqe që vjen rrotull, pa u ulur asnjëherë mbi ne, po as duke u larguar përfundimisht.
Edhe këtu duhet pasur pak kujdes gjithësesi. Ajo që harrohet shpesh është se Bolton e bëri deklaratën e Kosovës, kur punonte si studjues për një institucion të mendimit shkencor në Washington. Në atë kohë, ai ishte i mërzitur me administratën Bush që nuk e kishte çimentuar dot në OKB dhe nuk fliste më si zyrtar shteti por si qytetar i pavarur.
Është domethënëse që Bolton nuk i është kthyer më çështjes së Kosovës dhe nuk është hedhur për të përfituar fjala vjen nga problemet në Kosovë, nga konflikti me Rusinë, apo nga vullnetarët shqiptarë në ISIS që të përfitojë për të thënë, që kishte patur të drejtë që kishte kundërshtuar pavarësinë. Ai duket se i është shmangur me kujdes temës. Që mund të thotë se ka ndryshuar mendim apo se si ekspert me përvojë e di që çështja tani është e mbyllur për amerikanët dhe është e kotë që t’i rikthehet.
Sigurisht shqiptarët do të donin një Sekretar Shteti që nuk e ka kundërshtuar kurrë pavarësinë nga çfarëdo këndi, po në jetë nuk ka asnjë garanci se do të marrësh çdo gjë që do.
Vetë Corker e ka shërfillur lajmin se mund të bëhet Sekretar Shteti. “Është shumë shpejt për të ndarë poste”, tha ai për një gazetë lokale.
Është interesant se Donald Trump ka dashur fillimisht që ta merrte Senatorin Corker për Zëvendës-President, mbase pikërisht për shkak të maturisë dhe njohurive të tij në marëdhëniet ndërkombëtare, ku presidenti i sapozgjedhur ka mangësi. Mirëpo, Corker refuzoi me mirësjellje duke i thënë se preferonte më shumë një post kabineti si Sekretar i Shtetit apo i Thesarit.
Kur u pyet në korrik, gjatë Konventës nëse do të ishte në kabinetin e ardhshëm republikan Bob Corker tha se askush nuk mund të lobojë që të bëhet anëtar kabineti. Zgjedhja bëhet nga një grup fare i vogël dhe pastaj një ose më shumë kandidatë mund të intervistohen nga presidenti.
Senatori tjetër amerikan nga Tennessee, Lamar Alexander e mbështeti fuqimisht kolegun e tij duke thënë se ai do të ishte një “anëtar i shkëlqyer kabineti. Një Sekretar i mirë Shteti. Apo një Sekretar i mirë i Thesarit. Ai ka njohuri shumë të mira të çështjeve financiare apo të botës”.
Mirëpo, jo të gjitha janë të kënaqur nga ky lajm i pakonfirmuar për kandidatët e kabinetit. Komentatori konservator Mark Levin ka qenë shumë i ashpër kundër Senatorit Corker. Ai tha se senatori ishte pjesë e establishmetit republikan pikërisht asaj pjese që Trump duhet të rrëzojë me fitoren e tij.
“Do hyjmë në luftë me Trump nëse e bën këtë” bërtiti Levin në radion e tij. “
Ai njeri sabotoi Kushtetutën, sabotoi amendamentin për traktatin dhe ndihmoi që Barack Obama të bënte çfarë të donte me Iranin. Më kanë ardhur në majë të hundës Republikanët si ai”.
Nga ana tjetër, Trump është duke e peshuar tërheqjen e figurave serioze nga Partia Republikane. Në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Trump ka problem të mëdha se ekspertët më të mirë po i rrinë larg. Një Sektar Shteti si Bolton nuk do t’ia përmirësonte situatën. Si Bolton Trump është vetë. Atij i duhet më shumë dikush si Senatori Bob Corker, që të barazpeshojë ndikimet dhe imazhin me aleatët dhe rivalët në botë.
“Kur ne senatorët vrasim mendjen për sigurinë kombëtare dhe si t jemi të sigurt në botë, zakonisht drejtohemi së pari te Bob Corker dhe dëgjojmë çfarë na thotë ai”, tha Senatori Alexander. “Më vjen inat ta humb si koleg në Senat, por do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për Presidentin- e zgjedhur Trump. Mendoj se që tani kanë një marrëdhënie shumë të mirë”./Illyria Press/