Home KRYESORE Ekonomia e vendit ka nevojë për një politikë tatimore të re

Ekonomia e vendit ka nevojë për një politikë tatimore të re

Nga Kasem Seferi

Një paketë me pothuajse 60 procedura u miratua këto ditë nga Komisioni i Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë dhe, pikërisht, në prag të vitit elektoral 2017, gjë që më nxiti të kujtoj faktin se diskutimi i detyrueshëm me zgjedhësit (tatimpagues) duhet bërë jo vetëm para por dhe pas pranimit në parim të politikës tatimore që propozon qeveria, veçanërisht, mbikqyrja e vazhdueshme e mjeteve që përdoren për zbatimin e politikës tatimore të miratuar, duke dialoguar pa ndërprerje me të gjitha kategoritë e tatimpaguesve, gjë e cila do dëshmonte nëse është apo jo e suksesshme politika tatimore e miratuar.

Merret me mend se zgjedhësit, me anë të votës, u tregojnë politikanëve që vijnë në pushtet se ata do të jenë të gatshëm t’i paguajnë tatimet që përmban politika e tyre tatimore. Fatkeqësisht, në këto tre vitet e fundit, politikanët kanë pasur gjithnjë vështirësi për ta kuptuar si arrihet kjo duke dëshmuar të kundërtën e asaj që tatime më të larta, si domosdoshmëri e paarsyeshme, e shkatërrojnë ekonominë dhe prodhojnë dëshpërim.

Arsyeja kryesore që politikanët dhe ekonomistët që mbështetën politikanë të kësaj kategorie gjatë kësaj kohe, dështuan për të kapur idenë që qëndron prapa gjetjes së përqindjeve tatimore që duan zgjedhësit, thjesht, si rezultat i paqartësisë së tyre në lidhje me punën dhe produktivitetin. Nëpërmjet shqyrtimit të ndjenjave ashtu si dhe nëpërmjet vëzhgimit të zgjedhësve, politikanët duhet ta kuptojnë se kur duhen rritur përqindjet tatimore, veçanërisht, kur ekonomia e vendit ka një prirje për të punuar më fort dhe për të ruajtur për një kohë të gjatë ato të ardhura që do t’u ngeleshin zgjedhësve pas tatimit.

Ajo që nuk ishte e dukshme, sepse kërkohej një analizë të veçantë, ishte fakti se pasi tatimet do të rriteshin, tatimpaguesit që ishin në sistem, me të vërtetë mund të punonin më fort, por në fakt produktiviteti i tyre ra. Pikërisht për këtë sistemi i ri tatimor krijoi një mundësi të re te subjekti që do ta barte atë dhe, në këtë mënyrë, rritja e barrëve publike rriti në mënyrë përpjestimore barrën e njerëzve; e vërteta, që të mbahet brenda disa kufijve, duhet të zotërohet dhe themelin e saj duhet ta ketë të mbështetur në arsye dhe përvojë dhe jo në diletantizëm.

Ajo çfarë ishte e rëndësishme për ekonominë e një vendi si Shqipëria nuk ishte përpjekja e qytetarëve, por produktiviteti i atyre që do të punoinin sëbashku, sepse kur përqindjet tatimore rriten, vetë qytetarët mund të punojnë më fort në përpjekje për të ruajtur nivelin e tyre të të ardhurave. Por, sipërmarrësin që prodhonte dhe tregtonte një lloj malli ose shërbimi, përqindja e rritur tatimore do ta bënte të zhvendosej në një veprimtari ekonomike të një niveli më të ulët.

Politikanët që qendruan në mes të një situate të tillë nuk mundën të konkludonin se rritja e përqindjeve tatimore i bëri qytetarët të punonin më fort, por ata nuk arritën të vërtetonin përse ata po prodhonin më pak dhe njëkohësisht ishin më pak efiçentë në punën e tyre. Gabimet më të këqia në histori janë bërë nga ata politikanë, të cilët në vend që të vërtetonin se të ardhurat mund të fitoheshin duke mos i rritur tatimet, u alarmuan me rënien e të ardhurave që rezultoi kur zgjedhësit iu larguan pagimit të përqindjeve të larta tatimore, duke zevendësuar rregullat normale të tregut, me rregulla të tjera.

Përpjekjet e këtyre politikanëve për të vendosur tatime që zgjedhësit nuk mund t’u shmangeshin, harruan se gjëja më e vështirë ishte se ky lloj tatimi është tatim që ka lidhje të ngushtë me votën e zgjedhësit. Problemi me tatimin e votës është mundësia për të shmangur një metodë që nuk mbron dhe ruan interesin e politikanëve të qarqeve të caktuara kundrejt rivalëve të tyre, sidomos të atyre që premtojnë se do ta heqin mënyrën e keqe të të tatuarit menjëherë sa po ata të marrin pushtetin.

Meqenëse gjatë fushatës elektorale premtohet për një qeveri të moderuar dhe produktive në efektet e saj të dëshirueshme, ky moderim nuk duhet të krijojë kushte që të rriten tatimet deri në tepri sepse një gjë e tillë sikundër e treguan këto tre vite të fundit tregoi se politikanët u treguan mosmirënjohës “për dorën e lirisë që u dha pushtetin për të vepruar.”. Vota nuk mund të prodhojë tatime me tepri; efekti i tatimeve me tepri është skllavëri dhe skllavëria prodhon zvogëlimin e respektimit për votën dhe ky proçes ul cilësinë e vetë tregut dhe nxit gjithashtu eksodin ose dekurajimin e bizneseve që veprojnë drejtë në treg.

Faktori tjetër që çoi në rënien e të ardhurave ishte pushteti i tepruar i punonjësve të administratës tatimore, metodë kjo që zvogëloi më tej rrjedhën e të ardhurave në buxhetin e shtetit; edhe pse kemi një histori dështimi mijëravjeçar, e ashtuquajtura politikë e “masave të rrepta” mbi evazionin tatimor mbeti favoritja e qeverisë së sotme. Adam Smithi te “Pasuria e Kombeve” argumenton qartë dhe saktë përse politika të tilla që në fillesë janë të dënuara me dështim. “Çdo tatim duhet të jetë i sajuar kaq mirë si në të paguarit ashtu dhe për të mos lejuar që nga xhepat e tatimpaguesve të dalin sa më pak para që është e mundur, me qëllim që në buxhetin e shtetit të shkojë ajo që i takon.”.

Ndërkohë, “masat e rrepta” për të zvogëluar shmangien dhe evazionin tatimor, i obligoi qytetarët që të paguheshin në mënyrë anormale, të zvogëloheshin ose ndoshta të shkatërroheshin disa fonde të cilat mund t’ia bënin të mundur tatimpaguesve të investonin. Po ashtu gjobat e mëdha, konfiskimi dhe ndëshkime të tjera, i rrënuan tatimpaguesit dhe tek e fundit, si rrjedhim, u vu në dyshim përfitimi që mund të merrte komuniteti nga punësimi i kapitaleve të tatimpaguesve.

Politikanët, që e kuptojnë se cila është politika më e mirë tatimore do ta gjejnë përgjigjen e saktë te ajo se si mund t’i mundin kundërshtarët e tyre që nuk e kuptojnë se ku të çon një politikë e tillë, sepse zgjedhësit gjithnjë e kanë fare të qartë kur i tatojnë më shumë se sa duhet dhe, për këtë arsye, kanë mbështetur dhe do të mbështesin ata politikanë që nuk do t’i shqetësonin ata me politika tatimore të zbatuara me mjete të gabuara.

Është administrimi i legjislacionit tatimor (ose legjislacioni tatimor në veprim); pra legjislacioni i shkruar tatimor që përcakton se sa duhet të paguajë tatimpaguesi; sa janë efektet e pagesës. Njohuritë në lidhje me legjislacionin tatimor janë vetëm fillimi për njohjen e sistemit tatimor, për arsye se interpretimet e legjislacionit tatimor me gjuhën e administratorëve tatimorë, thjeshtësia dhe kuptueshmëria e formularëve tatimorë, kompetenca dhe plotshmëria e kontrollit, mentaliteti dhe paanësia e masave shtrënguese, të gjithë së bashku që influencojnë shumën e të ardhurave tatimore të mbledhura, shpërndarjen e ngarkesës tatimore dhe efektet ekonomike të tatimit.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: