Për herë të parë ka reaguar edhe akademiku i njohur Artan Fuga në lidhje me sulmin me salcë ndaj Ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Përmes një postimi në Facebook, profesor Fuga duke e cilësuar skandaloze këtë ngjarje nuk ka dashur që të japë një qëndrim nëse kjo formë proteste për reformën e Arsimit të Lartë është e drejtë apo jo.
Duke rikujtuar se tashmë prej dy vitesh është kundër kësaj reforme, Fuga kritikon ashpër ato që ai i quan “profesoruca” që sipas tij u kujdesën për flokët e ministres.
Statusi në Facebook:
I kuq salce mbi të verdhë flokësh
Mjaft gazetarë këto ditë më kanë kërkuar një opinion për ngjarjen skandaloze ku mbi flokët në të verdhë të ministres Lindita Nikolla, u hodh nga studentja salcë e kuqe. I falenderoj shume dhe këtë herë u kërkoj të falur. Etika nuk ma lejon të shprehem. Eshtë ndërgjegja e asaj vajze që sigurisht i ka vajtur në majë të hundës që e di përgjigjen nëse bëri mirë a keq. Pse ajo hodhi salcë mbi flokë nuk jam unë që t’i hedh gurë mbi të. Sa për mua, unë kam dy vjet që i hedh ligjit të mbrapshtë të arsimit të lartë tonelata salcë, kuintalë majonezë, qindra kilogramë djathë kaçkavall të grirë… Kaq di unë. Ajo që më bën të vjell dhe më sjell neveri janë ca profesoruca prej gjasme, që kanë marrë titullin jashtë cdo rregulli, ca servila të ndyrë, që tamam si berbera qajnë hallin e flokëve të zonjës ministre nëpër media. Edhe vajza e ruan vet dinjitetin e vet, edhe zonja ministre e ruan vet dinjitetin e vet dhe nuk kanë nevojë për berbera që të bërtasin si shofera : Hajde për Korçëëë! Neveri për ata të paaftë…