Akademiku Artan Fuga i ka listuar Qeverisë Shqiptare kushtet që duhet të përmbushë, që të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në fakt, ne një status në Facebook, Fuga shkruan se pretendimet e kryeministrit Edi Rama që negociatat janë bllokuar për shkak të vettingut janë thjesht histori për të mbushur retorikën politike mes palëve.
Reagimi i Akademikut Artan Fuga:
Kushte suplementare për t’u integruar në BE
– Kur për çdo pulë të therrur dhe të vendosur në një frigorifer shtëpie ose dyqani, kur ndërpritet energjia elektrike dhe pula shkrin, gjobën disa herë sa çmimi i pulës ta paguajë operatori me të cilën është lidhur kontrata e furnizimit me atë energji.
– Kur për cdo dëmtim të një qytetari që rrëzohet në rrugë si pasojë e një hendeku ose trotuari të parregulluar, gjobën si edhe dëmshpërblimin, përpos shpenzimeve të mjekimit të tij, t’i paguajë bashkia.
– Kur për çdo autoveturë që thyhet nga gropat në rrugë, shpenzimet dhe gjobën për këtë dëmtim ta paguajë ministria e transporteve ose bashkia që mbulon atë zonë.
– Kur për cdo vonesë më shumë se 30 minuta të një treni, autobuzi ose avioni, udhëtari të dëmshpërblehet me çmimin e biletës së prerë.
– Kur për cdo sëmundje mushkërish, dëmin personal si shpenzimet e mjekimit t’i paguajë ministria e shëndetësisë, e mjedisit ose bashkia që kontrollon territorin e tejndotur.
– Kur uji në të gjithë territorin e Republikës të vijë 24 orë dhe pa nevojën e depozitave dhe pompave të pallateve që rëndojnë buxhetin e banorëve.
– Kur bashkitë të selektojnë mbetjet urbane sipas klasifikimit të tyre dhe t’i riciklojnë pa ndotur mjedisin.
– Kur për cdo qytetar, edhe administratori më i lartë publik të detyrohet t’i plotësojë kërkesën për informacion brenda tre ditësh.
– Kur për çdo kastravec të shitur, kungull me ose pa fara, për çdo shalqi, kilogram mishi, për cdo copë sallami, suxhuku, ose salçiçeje, të dihet origjina nga ana e konsumatorit, lëre pastaj për çdo kokër limoni, kumbulle, qershie, a rrushi.
– Kur në administratë të mos ketë asnjë nëpunës të pranuar sepse është antar i ndonjë partie, por me konkurs të rregullt.
– Kur për çdo të sëmurë për të cilin jepen mjekime të gabuara dhe medikamente jashtë standardit, gjobën, dëmshpërblimin dhe zhdëmtimin i paguan shteti, spitali apo ministria.
Le t’i lemë historitë me vetingje, mitingje, lobingje, etj., por t’u japim të drejtat që u takojnë qytetarëve të trajtuar si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër.
Atëhere të bërtasim : “Europë, Europë!”
Kush nuk u jep qytetarëve këto të drejta, ai e pengon integrimin shqiptar në BE.